Kronikë

Avokatja Guska: Shteti s’e zgjidhi për 20 vite konfliktin, babai i autorit telefonoi Policinë ta parandalonte! Ylber Jaku kërkon përfaqësues nga Britania, s’i beson drejtësisë shqiptare (VIDEO)

10 Maj, 11:34| Përditesimi: 10 Maj, 11:43

  • Share

 

Aurora Guska, avokatja e të arrestuarit Ylber Jaku, ka shpjeguar pas seancës së masës së sigurisë në Gjykatën e Kukësit, atë çfarë ka ndodhur, rrethanat, shkaqet, fjalët e të dyshuarit dhe masën e sigurisë me avokat kryesisht, ku u caktua “arrest me burg”.

Ajo shprehet se Jaku nuk pranon mbrojtje nga Shqipëria, pasi nuk ka besim të drejtësia shqiptare dhe kërkon përfaqësues nga shteti anglez apo ambasada, pasi është edhe shtetas britanik.

Ai nuk ka qenë në Angli ditën e krimit, pasi ndodhet në Has ku punon edhe në ndërtim, ndërsa nuk i beson drejtësisë shqiptare edhe për shkak se konflikti i pronësisë kishte lindur prej 20 vitesh dhe shteti shqiptar nuk e kishte zgjidhur. Gjithashtu Guska tha se babai i plagosur i autorit ka telefonuar dhjetëra herë Policinë duke kërkuar të parandalonin krimin, pasi djali i tij kishte dalë nga kontrolli kur kishte parë gjendjen e tyre në spital pas plagosjes.

Megjithë sinjalizimet, krimi ka ndodhur 3 metra nga banesa e viktimës Reshit Sallahu, u shpreh ajo.

Deklarata e Avokates, Aurora Guska:

“Ylber Jaku nuk pranon avokat, por sipas ligjeve masat e sigurisë janë detyrimisht që të përfaqësohen me avokat dhe jam kryesisht. Prindërit e Ylber Jakut, Agim dhe Vera Jaku, kanë një konflikt pronësie, një rrugë kalimi për të shkuar te banesa e tij dhe familja e viktimës nuk e ka lejuar dhe janë në procese gjyqësore për mbi 20 vite. Por çfarë ka ndodhur që çështja shkoi deri këtu? Para dy javësh, babai i të arrestuarit, ka marrë në telefon Policinë, ka njoftuar dhe ka shprehur se personi që kishte konflikt, që është babai i viktimës, kishte marrë një fadromë dhe po prishte të vetmen rrugë që atë e çonte drejt shtëpisë. Duke qenë para këtij fakti, babai i viktimës shkon në Polici dhe u thotë o ma hiqni Agimin, ose unë do hakmerrem.

Vajza, motra e viktimës, ka marrë një sëpatë duke dëmtuar prindërit e të arrestuarit. Për të mos pasur pasoja, babai i të dyshuarit ka marrë të birin dhe i ka thënë kemi bërë aksident dhe ndodhemi në spital. Ylberi punon në Has, nuk ka qenë në Angli, nuk është e vërtetë që ka ardhur prej andej, ka qenë në punë, merret në ndërtim. Ka shkuar në Spitalin e Traumës për t’i vizituar dhe është tonditur shumë kur i ka parë prindërit në atë gjendje, sidomos nënën që ka marrë plagë më të rënda dhe është në gjendje më kritike. Ka ikur, ka fikur telefonin dhe duke qenë në këto kushte Agim Jaku, babai i autorit, këto janë të zbardhura, ka telefonuar dhe bërë mesazhe Policisë për disa orë me radhë. U ka thënë se djali im ka dalë jashtë kontrollit, evitoni çdo ngjarje të mundshme. Por çfarë ka ndodhur, nuk është marrë asnjë masë, ngjarja ka ndodhur vetëm 3 metra para oborrit të shtëpisë së viktimës. Ylber Jaku nuk ka bërë asnjë rezistencë dhe është dorëzuar në polici.

Vetë Ylber Jaku, duke qenë me shtetësi angleze, ka bashkëshorte angleze dhe dy fëmijë, kërkonte të ketë një përfaqësues nga Ambasada e Anglisë që të vinte në seanca, pasi ai vetë nuk ka besim te drejtësia shqiptare, për shkak se prindërit e tij janë rropatur 20 vite rrjesht dhe nuk kanë mundur dot që të zgjidhin një konflikt kaq të thjeshtë. Gjykata vendosi arrest me burg për veprën penale të vrasjes. Vetë Jaku u pyet nga Gjykata dhe tha se s’ka asnjë pretendim, nuk flet, duke thënë vetëm se s’ka besim te drejtësia shqiptare dhe kërkon përfaqësues nga Anglia.

Jaku nuk ka dhënë asnjë dëshmi as para oficerit gjyqësor gjatë hetimeve dhe as para Gjykatës. E vetmja fjali që thotë është se “nuk kam besim te kjo drejtësi, dua që si shtetas anglez të jetë një punonjës i shtetit anglez dhe t’ia shpjegoj rastin se çfarë ka ndodhur me prindërit e mi dhe neglizhenca e të gjitha institucioneve, Policisë, pushtetit lokal, ka bërë atë që unë sot përfundova këtu”.

1746867740_reshitsallahuylbertjaku.jpg

Ylber Jaku, autori i dyshuar dhe Reshit Sallahu, viktima


Lajmi kryesor:

Kukës/ Vrasja për hakmarrje e pronat në Has, Gjykata lë në arrest me burg Ylber Jakun! Avokatja: S'ka besim te drejtësia shqiptare, kërkon përfaqësues nga Ambasada e Britanisë (VIDEO)


A.Q/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si ju është dukur fushata zgjedhore?