Kronikë

“Avujt” e alkoolit në timon, këtë vit shoferët e dehur 19 aksidente me 7 viktima (DETAJET e ndëshkimeve)

27 Gusht, 16:33| Përditesimi: 27 Gusht, 16:56

  • Share

Përdorimi i alkoolit mbetet një ndër shkaqet e aksidenteve në Shqipëri. Ndonëse krahasuar me vitin e kaluar, ka thuajse një përgjysmim të rasteve, pasojat fatale me humbje jete janë trefishuar nga janari deri në ditët e fundit të këtij muaji. Report Tv sjell në mënyrë të detajuar rastet e ndëshkimeve të shoferëve që kapen të dehur në timon.

***

Një makinë “SsangYong”, që futet mes turmës me njerëz gjatë mbrëmjes së të martës në bulevardin “Epidamn” në Durrës, kishte në timon një të dehur, shqiptaro-britanik, Vasil Delia, 52 vjeç. Incidenti përfundoi pa të dëmtuar, ndërsa Delia u arrestua.

Shoferë nën avujt e alkoolit, vijojnë të jenë gangrena e rrugëve në të gjithë vendit, duke prodhuar aksidente nga veriu në jug. Referuar të dhënave që Report Tv siguron nga Policia e Shtetit, gjatë periudhës nga 1 janari deri më sot, 27 gusht, si pasojë e lëvizjes nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, në të gjithë vendit u regjistruan në total 19 aksidente me pasoja, të lehta ose të rënda. Të paktën 7 persona humbën jetën.

Viti i kaluar kishte një numër shumë më të lartë, gati dyfish, të aksidenteve për shkak të alkoolit, nga të cilat pati vetëm 2 viktima.  

Përgjithësisht, të dehurit në timon, shkaktojnë aksidente në parakalime të gabuara dhe shpejtësi tej normave të lejuara. Si pasojë e alkoolit, i cili ndikon direkt në aftësitë orientuese, ulet përqendrimi, vëmendja, ngadalësohen reflekset, ndryshon perceptimin mbi largësinë apo distancën dhe rrit vetëbesimin e rremë. Të gjitha në kompleks shkaktojnë aksidente që shpesh përgjakin rrugët.

Por çfarë thotë Kodi Rrugor për të dehurit në timon?

Të gjithë ata që konstatohen me vlerë nga 0.0 g/l deri në 0.3 g/l, gjobiten nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë. Atyre që kanë më pak se 3 vjet patentë, shoferëve e makinave mbi 3.5 ton, dhe autobusëve, taksistëve, u pezullohet patenta nga 3 deri në 6 muaj.

Gjoba shkon nga 10 mijë deri në 20 mijë lekë, nëse vlera është midis shifrave 0.3 deri në 0.5 g/l, plotësuar edhe me heqje patente nga 3 deri në 6 muaj. Sa vjen dhe rritet sasia e alkoolit, shtohet ndëshkimi.

Nga 0.5 deri në 0.8 g/l gjoba është nga 10 deri në 20 mijë lekë, por pezullimi i patentës bëhet nga 1 deri 2 vjet. Gjobë nga 20 deri në 40 mijë lekë dhe pezullim patente nga 1 deri në 2 vjet nëse vlera e alkoolit rezulton nga 0.8 deri në 1.5 g/l.

Për të gjitha rastet e konstatimit “i dehur në timon”, nga 0.1 g/l e në rritje, bëhet edhe heqja e pikëve të patentës, 8 nga 20 në total dhe nëse është ripërsëritur brenda vitit, i hiqen edhe 10 pikë të tjera. Mbi 1.5 g/l alkool, i hiqet krejtësisht patenta.

Përveç të gjitha masave të mësipërme, nëse shoferi i dehur ka shkaktuar aksident vetëm me pasoja materiale, i bllokohet edhe mjeti, nëse ai është pronar. Ndërkohë, gjobat rriten natën. Nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në 07:00 të mëngjesit, shtohen nga një e treta deri në dy të tretat.

Kur kryhet një arrestim në flagrancë?

Policisë Rrugore i lind e drejta që në momentin kur aparati matës nxjerr vlerën 0.5 g/l e sipër, të kryejë dhe arrestimin, që çon më pas në ndjekje penale. Megjithatë, bazuar në urdhrat e prokurorit, në disa raste mund të ketë përjashtim nga arrestimi edhe nëse vlera e kalon 0.5 g/l, ndikuar nga rrethanat, një nënë më fëmijë të vogël apo një i moshuar mbi moshën 70 vjeç. Por këto lehtësira nuk vlejnë në rastet kur aksidenti është me pasoja.

AKSIDENTET NGA ALKOOLI 
Janar-Gusht 2024: 37 aksidente 
Janar-Gusht 2024: 2 viktima
 
Janar-Gusht 2025: 19 aksidente
Janar-Gusht 2025: 7 viktima

 

VLERAT E ALKOOLIT DHE GJOBAT 
0.0 – 0.3 g/l           5-15 mijë lekë                 pezullim patente disa kategori
0.3 – 0.5 g/l           10-20 mijë lekë               pezullim patente 3-6 muaj
0.5 – 0.8 g/l           10-20 mijë lekë               pezullim patente 1-2 vjet
0.8 – 1.5 g/l           20-40 mijë lekë               pezullim patente 1-2 vjet

 

HEQJA E PIKËVE TË PATENTËS 
I dehur herën e parë        -8 pikë
I dehur brenda vitit         -10 pikë të tjera
1.5 g/l                             -hiqet patenta

G.M./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?