Azilkërkuesit dhe krimi shqiptar, Lleshaj: Pikëpyetjet holandeze dhe franceze do gjejnë sqarim të shpejtë

9 Tetor 2019, 15:54| Përditesimi: 9 Tetor 2019, 17:36

  • Share

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj nga Brukseli pas takimit me Komisionerin Avramopoulos foli për cështjen e negociatave dhe arsyet e skepticizmit të Francës e Holandës. Lleshaj tha se Holanda dhe Franca mbeten vende të cilat kanë ende pyetje të pasqaruara ose shqetësime të pa-adresuara por shtoi se shumë shpejt pikëpyetjet do të marrin zgjidhje.

"Unë dua t’ju them një gjë të cilën e kam ndarë edhe me kolegun tim holandez që lidhet me pjesëmarrjen e shqiptarëve në krime në Holandë, e cila është, në pikëpamje statistikore, në kufijtë e të papërfillshmes, për arsye se shqiptarët përfaqësojnë në vlerën e përgjithshme të kriminalitetit në Holandë një numër i cili është 0,02% e së tërës. Jam shumë i sigurt që shumë shpejt ne do kemi akoma më shumë rezultate dhe besoj që të gjitha pikëpyetjet holandeze do të gjejnë një sqarim shumë të shpejtë" tha ai.

Në lidhje me azilkërkuesit shqiptarë në Francë, ministri i Brendshëm tha se "Në të gjithë zonën Shengen numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është në rënie të përditshme, me një anomali, e cila lidhet me Francën. Ndërkohë që në të gjithë zonën Shengen numri bie në mënyrë të vazhdueshme, eksponenciale, në Francë kemi patur një rritje të lehtë, e cila lidhet me shumë faktorë, por ndër të tjera lidhet edhe me faktin që Franca aplikon politika të ndryshme nga vendet e tjera ku numrat bien" tha ai.

Fjala e plotë e ministrit Sandër Lleshaj
Sigurisht që ne jemi të qartë lidhur me sensibilitetet e disa vendeve anëtare sa i përket progresit të Shqipërisë në drejtim të plotësimit të kritereve për hapjen e negociatave ku Holanda dhe Franca mbeten vende të cilat kanë ende pyetje të pasqaruara ose shqetësime të pa-adresuara. Ne kemi patur dialog intensiv me të dyja vendet për të mundësuar sqarimin më të mirë të situatës, për arsye se për fat të keq, sa herë që bëhet fjalë për Shqipërinë, ka një diferencë të madhe midis realitetit objektiv në terren dhe perceptimit në kryeqytetet europiane dhe diferenca është e konsiderueshme.

Kjo diferencë midis realitetit objektiv dhe perceptimit vjen për shumë arsye, një ndër të cilat është edhe puna për të bërë sqarimet e duhura, jeni edhe ju ndoshta pjesë e këtij kontributi në këtë diferencë midis perceptimit dhe realitetit. Unë dua t’ju them një gjë të cilën e kam ndarë edhe me kolegun tim holandez që lidhet me pjesëmarrjen e shqiptarëve në krime në Holandë, e cila është, në pikëpamje statistikore, në kufijtë e të papërfillshmes, për arsye se shqiptarët përfaqësojnë në vlerën e përgjithshme të kriminalitetit në Holandë një numër i cili është 0,02% e së tërës. Pra krimi i ushtruar nga shqiptarët në Holandë është shumë më poshtë sesa krimi i ushtruar nga qytetarë të vendeve të tjera anëtarë të BE, në Holandë. Pra edhe më poshtë sesa krimit të ushtruar nga qytetarë të vendeve europiane që janë më të vogla sesa Shqipëria.

Dua të them se nuk është se bëhet fjalë për një përmasë të madhe të kriminalitetit shqiptar në Holandë, por besoj se është me shumë rëndësi të theksojmë që perceptimi i tyre është ai që është. Pra një perceptim që e zmadhon realitetin disa-fish. Jemi përpjekur ta sqarojmë, por më tepër sesa ta sqarojmë këtë situatë, jemi përpjekur të rrisim me partnerët tanë holandezë, në mënyrë që për çdo rast, - sepse edhe një rast i vetëm i një pjesëtari të krimit të organizuar, është i mjaftueshëm për t’u shqetësuar. Pastaj nuk po flasim për një, por për dhjetëra raste që janë dhe po përpiqemi për të ndërtuar mekanizma bashkëpunimi me qëllim që të adresojmë së bashku këtë krim, i cili në fakt kryhet në Holandë dhe që juridikisht është përgjegjësi e autoriteteve holandeze të merren me krimin që ushtrohet në vendin e tyre. Por ne si vend ndiejmë përgjegjësi për qytetarët shqiptarë, për mbajtësit e pasaportës shqiptare, do thoja më mirë, se më duket e tepërt ta përdor termin qytetar shqiptar, për ata që bëjnë krime në një vend të BE, - për mbajtësit e pasaportës shqiptare, ne jemi shumë të interesuar për të bashkëpunuar.

Kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë përditë mekanizma dhe instrumente bashkëpunimi për të intensifikuar hetimet e përbashkëta, dhe kemi patur sukses.  Jam shumë i sigurt që shumë shpejt ne do kemi akoma më shumë rezultate dhe besoj që të gjitha pikëpyetjet holandeze do të gjejnë një sqarim shumë të shpejtë. E kam pasur mundësinë të diskutoj dhe me Ministrin për Drejtësi dhe Siguri z.Grapperhaus. Sa i përket Francës, unë mund të them që në përgjithësi numri i azilkërkuesve nga Shqipëria ka njohur një rënie drastike, të rregullt që nga viti 2015-2016 kur pati një shpërthim, kur shumë shqiptarë ju bashkuan korridorit ballkanik të refugjatëve që mësynë drejt Europës, por që nga ajo ditë ka rënie të vazhdueshme.

Në të gjithë zonën Shengen numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është në rënie të përditshme, me një anomali, e cila lidhet me Francën. Ndërkohë që në të gjithë zonën Shengen numri bie në mënyrë të vazhdueshme, eksponenciale, në Francë kemi patur një rritje të lehtë, e cila lidhet me shumë faktorë, por ndër të tjera lidhet edhe me faktin që Franca aplikon politika të ndryshme nga vendet e tjera ku numrat bien. Në diskutimin që kam patur me kolegun francez, të cilin e presim së shpejti edhe në Shqipëri, kemi identifikuar se ku qëndron problematika dhe po ndërtojmë mekanizma, instrumente për ta adresuar. Por jemi shumë të sigurt që tendenca  e përgjithshme e rënies së numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria në Europë do të njihet shpejt edhe në Francë, sepse në zonën Shengen, thashë, bie. Përjashtim Francës që është anomali, të cilën do ta zgjidhim dhe po punojmë për ta zgjidhur.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?