Ekonomi

Azo për Report Tv: Shqipëria me çmimet më të larta edhe se vendet e BE, u rritën ato të shportës! Duhet ndërhyrje e qeverisë, ja faktorët që ndikojnë

19 Qershor, 17:58| Përditesimi: 19 Qershor, 19:14

  • Share

Çmimet e produkteve ushqimore dhe jo vetëm kanë pësuar rritje në Shqipëri, madje janë më të larta edhe se në vendet e bashkimit Evropian.

Shkaku kryesor i rritjes së tyre është mungesa e prodhimit vendas pasi kostot për të janë të larta dhe rimbursimi apo subvencionimi nuk jep rezultatin e duhur. As zhvlerësimi i euros nuk e ka ndihmuar këtë dukuri që të mbante çmimet e ulëta që ndihmojë konsumatorin shqiptar, teksa Maqedonia e Veriut ka çmimet më të ulëta në rajon, së bashku me Kosovën.

Kështu deklaroi sot në ‘Studio Live’ gazetarja Dorina Azo e ‘Monitor’, duke shpjeguar edhe situatën më të fundit të tregut të shportës.

E ftuar në Report Tv nga moderatori Arbër Hitaj, në një lidhje live, ajo u shpreh:

“Ka rritje të lehtë të tyre, janë më të larta edhe se në vendet e BE-së. Si qumështi, djathi, veza, 30% më shumë se viti 2023. Produkti i pijeve alkoolike me 19% rritje, edhe ushqimet gjithashtu rritje, përveç atyre alkoolike. Të vetmet produktet më të lira janë cigaret, 40% më të lira sesa në Evropë. Me këtë treg çmimesh renditemi si Italia dhe Portugalia. Më shtrenjtë çmimet janë në Poloni, Rumani, Spanjë. Kurse më të lira janë në Kosovë, maqedoni e Veriut dhe Turqia. Në përgjithësi ka rritje të çmimeve në Evropë”, shpjegoi ajo.

Por cilat janë shkaqet që Shqipëria ka çmimet më të larta nga vendet e rajonit dhe deri në BE?

“Në vendin tonë penalizon prodhimi vendas, që përbëjnë edhe pjesën kryesore të shportës. Nuk nxjerrin në treg këto produkte që do lehtësonin xhepin e konsumatorit shqiptar, si rasti i qumështit, që prodhohet më shtrenjtë sesa më parë. Ka skema subvencionesh e rimbursimi sektorësh, që i zbaton edhe BE-ja, por nuk shkojnë direkt tek prodhuesi sa të reflektohet në treg. Prodhimi ka kosto të larta, ka mungesë force punëtore. Prodhuesit e kanë më të lehtë të marrin produktin jashtë, sesa nga fermeri shqiptar, sepse fermeri e shet produktin më shtrenjtë për shkaqe të ndryshme.

Një tjetër ndikim është edhe ekonomia informale. Kostot e importuesve, që vijnë me kosto tëlartë, si pasojë e transportit dhe logjistikës e që shkon tek rritja e çmimit”, shpjegoi gazetarja.

Gjithashtu ajo theksoi se as zhvlerësimi i euros nuk e ndihmoi tregun shqiptar dhe shportën me çmime të favorshme për konsumatorin shqiptar, kurse zgjidhje mbetet vetëm ndërhyrja e qeverisë.

“As zhvlerësimi i euros nuk ka ndikuar e ndihmuar që ne të marrim me çmime më të lira. Qeveria duhet të ndërhyjë për të marrë masa dhe lehtësuar kostot e qytetarëve për produktet ushqimore. Shqipëria është më e shtrenjta në vendet e rajonit. Maqedonia i ka më lirë, Kosova reflekton raportin e vitit 2022 nga Eurostat. Siç thashë jemi afër çmimeve në Portugali e Itali, në disa raste edhe te Zvicra. Duhet të ndryshojnë skemat e subvencionimit, sepse fermerët kanë kosto të larta. Produktet e vendit po zëvendësohen me të importit, sepse prodhimi shqiptar ka kosto të larta prodhuese”, tha Azo.

Por një nga faktorët që duket se ndikon në çmimet e larta është edhe trendi në ngjitje i turizmit në vendin tonë.

“Edhe fluksi i lartë i turistëve ka shtrenjtuar jetën dhe produktet. Jo vetëm hotelet, plazhet, shezlongët, por edhe produktet. Do vijojë shtrenjtimi i çmimeve për shkak të turizmit, do vijojnë të reflektohen jo vetëm te ushqimevet, por edhe te hidrosanitaret, prej tregjeve të huaja e që transmetohet te tregu i brendshëm”, vijoi gazetarja.

Ajo shtoi se ekonomia shqiptare ka varësi të madhe nga importi dhe kërkohet ndërhyrje konkrete dhe e fortë e qeverisë në këtë treg.

“Ne jemi ekonomi që varemi nga importi, ndryshimet vijnë edhe në varësi të tregut ndërkombëtar. Kemi industrinë e vajit të lulediellit që pothuajse është shuar fare prej vitesh dhe vjen e gatshme, e këtu vetëm amballazhohet. Edhe zhvlersimi i euros nuk ka dhënë impaktin e duhur. Duhet të ndërhyjë edhe qeveria që produktet e shportës të përbëhen kryesisht nga ato vendase, nëpërmjet masave të saj”, përfundoi Azo për Report Tv.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çmimet më të larta se në BE, a mendoni se duhet të ndërhyjë qeveria?