Babai i Andi Malokut, Genci Maloku është paraqitur sot në prokurorinë e Posaçme SPAK, ku ka zhvilluar një takim me prokurorin e çështjes që po heton atentatin e datës 1 nëntor 2019 të ndodhur në Durrës, ku mbeti i vrarë Andi Maloku, dhe i plagosur Landi Muharremi e prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja. Gjatë takimit me prokurorët Genci Maloku, në cilësinë e personit që ka humbur djalin në këtë atentat mafioz, kërkoi nga prokuroria që të njihet me provat materiale, filmimet dhe materialet e tjera, që ka grumbulluar organi i akuzës.
Ai këtë kërkesë e ka bërë në cilësinë e personit të dëmtuar në këtë ngjarje, pasi ka humbur djalin e tij, Andin, i cili ishte i punësuar si shofer pranë prokurorit Arjan Ndoja. Por pavarësisht depozitimit të kërkesës dhe takimit me prokurorin, Genci Malokut, nuk i është dhënë asnjë provë dhe material filmik. Kjo pasi çështja është nën hetim dhe nxjerrja e materialeve sekrete në këtë fazë, sipas përfaqësuesve të akuzës do të sjellë dëmtimin e procesit hetimor.