Neritan Alibali

'Babanë e morën natën nga burgu dhe e dërguan në breg të lumit, para skuadrës së pushkatimit, ku një oficer i Sigurimit i tha…'/ Dëshmia e ish-drejtorit të Teatrit Kombëtar

7 Qershor 2020, 08:22| Përditesimi: 25 Korrik 2021, 14:01

  • Share

Memorie.al publikon historinë e panjohur të vëllezërve Alibali me origjinë nga  Shkodra, një nga familjet e njohura të atij qyteti, e cila gjatë Luftës ishte e lidhur e gjitha me Lëvizjen Antifashiste dhe nisur nga ai kontribut që ata dhanë, pas mbarimit të Luftës u dërguan me studime brenda dhe jashtë vëndit, si Jusuf Alibali në Bashkimin Sovjetik, Ylli Alibali në Poloni, etj,. dhe deri në vitin 1974 ata ishin me detyra e funksione jo pak të rëndësishme të atij regjimi, si ushtarakë, etj. Dëshmia e Neritan Alibalit, lidhur me goditjen që pësoi familja Alibali në vitin 1974 pas dënimit të ashtuquajturit “Grupi puçist i Beqir Ballukut”, ku u arrestua babai i tij, Xhevati, ish-shef sektori në Institutin e Studimeve Ushtarake dhe gazetar i shtypit ushtarak si gazeta “Luftëtari” dhe revista “10 Korriku”, të cilin më pas e kaluan me të ashtuquajturin “Grupi i agjentëve polakë”, ku ishte i arrestuar edhe i vëllai i tij, Ylli Alibali, që ishte diplomuar në Poloni. Torturat ç’njerzore fizike dhe psikologjike, si dhe makinacionet e shumta që përdori Sigurimi i Shtetit ndaj Xhevat Alibalit, duke e nxjerrë natën nga burgu dhe duke inskenuar një skenë pushkatimi diku në bregun e lumit para një grope të porsahapur, në mënyrë që ta thyenin dhe të merrnin prej tij deklaratat që ata kërkonin, si dhe qëndrimi që mbajtën ndaj bashkëshortes së tij, Ferial Alibalit, koleget e saja në Teatrin Popullor, si Roza Anagnosti, Drita Pelingu, Mimika Luca, Esma Agolli, etj., kur atë e larguan që andej dhe e dërguan si punëtore në një rrobaqepësi ku ishte dhe aktorja Edi Luarasi!

“Babai ma thoshte shpesh, që: përpara se ta kalonin te i ashtuquajturi “Grupi agjentwve polak”, në mesnatë, e kanë marrë nga burgu i Tiranws dhe i kanë inskenuar një moment pushkatimi. E kanë çuar te lumi i Tiranës, sikur do ta pushkatonin, madje ka qënë edhe skuadra e pushkatimit aty para një grope që sapo e kishin hapur. Dhe një eksponent i lartë i Sigurimit të Shtetit, përpara se të bëhej akti, i ka ndaluar ata dhe i ka thënë Xhevatit: “Mjafton që të na japësh ca deklarata dhe mund të shkosh në shtëpi, tek të afërmit e tu, ndryshe ne do t’i zhdukim dhe të afërmit e tu”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për Memorie.al, është Neritan Alibali, ish-drejtor i Teatrit Kombëtar në fillimin e viteve ’90-të dhe gazetar, politikan e deputet i Kuvendit Popullor, i cili rrëfen historinë e dhimbëshme të babait të tij, Xhevat Alibalit dhe vëllezërve të tij, të cilët në vitin 1974, pas goditjes së të ashtuquajturit “Grupi puçist në Ushtri”, me në krye Beqir Ballukun, u arrestuan dhe përfunduan burgjeve të regjimit komunist, pasi më parë ishin torturuar në qelitë e Sigurimit të Shtetit. Për më shumë rreth këtyre dhe ngjarjeve të tjera të familjes Alibali, na njeh nëpërmjet kësaj interviste, z. Neritan Alibali, tashmë prej vitesh, pedagog në një nga universitetet jo publike në Tiranë.

Zoti Neritan, a mund të na thoni si fillim diçka shkurtimisht mbi origjinën e familjes suaj?

Babai im, Xhevat Alibali ka lindur në vitin 1933 në Shkodër prej nga është dhe origjina e familjes sonë. I ati i tij dhe njëkohësisht gjyshi im, Sali Alibali, ka qënë një oficer i lartë i Mbretërisë së Zogut dhe ata kanë ardhur në qytetin e Tiranës kur im atë ka qënë diku te 4-5 vjeç duke u vendosur me banim në një shtëpi te rruga “Vllazën Huta”. Familja Alibali ka marrë pjesë totalisht në Luftën Nacionalçlirimtare, dhe ka qënë ndoshta një nga familjet më të mëdha që është përfshirë në këtë luftë, e nisur nga ky fakt, pas çlirimit të gjithë, duke filluar që nga im atë dhe vëllezërit e tij, kanë qënë në nivelet e pushtetit. Kështu xhaja im, Jusuf Alibali, ka qënë zv/ministër i Drejtësisë në kohën e Manol Konomit, im atë Xhevati dhe dy vëllezërit e tjerë, Besniku e Agimi, kanë qënë ushtarakë dhe kështu me rradhë.

Kur filloi goditja ndaj familjes Alibali?

Në vitet 1974-‘75, kur ndodhi raprezalja në Ushtri me të ashtuquajturin “Grupi puçist i Beqir Ballukut”, që Enver Hoxha dënoi ata duke i akuzuar për grusht shteti, në atë periudhë, paralel me të, nis edhe fillimi i goditjes së familjes sonë. Fillimisht ata përjashtuan të vetmin antar të Partisë që ne kishim në familje, xhaxhain, Jusufin, duke e akuzuar si liberal dhe e çuan puntor në uzinën “Partizani”. Në 1 shkurt 1974 arrestuan xhaxhain tim, Yllin, (i diplomuar në Poloni për Veterinari) i cili u përfshi në grupin e të ashtuquajturve “agjentët polakë”, dhe në 21 mars kanë arrestuar, babain tim Xhevat Alibalin.

Pas arrestimit, ç’ndodhi me babanë tuaj, Xhevatin, për çfarë e akuzuan?

Fillimisht Xhevatin e futën në “Grupin e puçistëve” dhe ka pasur të njëjtin grup hetuesish si Beqir Balluku dhe grupin e tij. Ka bërë disa muaj hetuesi dhe ata kanë qënë shumë agresivë ndaj tij.

E kanë torturuar…?!

Natyrisht hetuesia ndaj tij ka qënë shumë e rëndë, pasi tim eti i kanë thyer klavikulën, i kanë fikur cigaret dhe ai i ka pasur shenjat deri vonë nëpër duar. Hetuesia u zhvillua te “Burgu 313”, ku ishin dhe krerët kryesorë të ashtuquajturit “Grupi puçist në Ushtri” si Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Rrahman Parllaku, etj. Babanë e kanë mbajtur gjatë natës duke e marrë në pyetje dhe nuk e linin të flinte natën, duke i lënë një prozhektorë te koka. Hetuesia ka pasur edhe element tragjikomikë sepse, vala e dëshmitarëve kanë qënë qesharakë, siç na I ka treguar babai kur u lirua nga burgu.

Përse?!

P.sh., njëri nga dëshmitarët që i ka dalë në hetuesi, kishte deklaruar se: “Kur kam shkuar në shtëpinë e Xhevat Alibalit, kam hyrë me mënd dhe kam dalë pa mënd, sepse ka qënë një shtëpi moderne, me piktura moderniste”, etj. Dhe kur im atë e pyeti se: ku e kishte ai shtëpinë? Dëshmitari nuk dinte të përgjigjej. Po ashtu një dëshmitar tjetër, nëpërmjet ballafaqimit në hetuesi kishte deklaruar se; ‘kur kam qënë në Moskë, e kam takur Xhevat Alibalin në kafen “Arakvi” të Moskës, dhe aty ai më ka thënë se në Shqipëri shkrimtarët dhe artistët nuk kanë liri, se atje nuk ka demokraci’ etj. Por im atë iu përgjigj se; nuk kishte qënë asnjë ditë në Bashkimin Sovjetik. Dhe çuditërisht, e vetmja akuzë që Xhevati u dënua 10 vjet burg politik, ishte ajo se ai kishte thënë se: ‘në Shqipëri nuk ka liri dhe demokraci’.

A e parandjeu babai juaj arrestimin?

Natyrisht ai e dinte dhe e ndjente paraprakisht që do të arrestohej, sepse ai është përjashtuar nga Ushtria në moshën 42 vjeçare, diku nga dhjetori i vitit 1974.

Me çfarë detyre ishte asokohe që u arrestua Xhevati?

Ai kurrë nuk ka qënë ushtarak me trupat, por ka qënë gazetar ushtarak, në gazetën “Luftëtari” dhe shef sektori në Institutin e Studimeve Ushtarake. Prej nga u tha që: ‘nga këtu dolën edhe Materialet e Zeza’, pra nga ky sektor. Dhe u komentua që: ‘ky ishte një nga vartësit e Beqir Ballukut për të helmuar Ushtrinë’.

Në Institutin e Studimeve Ushtarake, çfarë sektori mbulonte babai?

Im atë ka qënë historian i Luftës së Dytë Botërore dhe nisur nga ky fakt, ai e ka njohur shumë mirë historinë e Gestapos hitleriane. Pra, ai i dinte metodat dhe pavarësisht dhunës që i’u ushtrua gjatë procesit hetimor, ai kurrë nuk pranoi që të bënte kompromis me Ushtrinë dhe të pranonte diçka. Parimi i tij ka qënë që; nëse unë do të pranoja atje edhe gjënë më të vogël, atëherë, hetuesia do të më detyronte që të firmosja edhe gjëra të tjera në proçes-verbale. Kështu që edhe kur doli në gjyq, ai nuk pranoi asgjë dhe nuk kërkoi mëshirë por vetëm drejtësi.

Pak më parë thatë se babai e parandjeu arrestimin, çfarë thoshte ai në shtëpi rreth asaj që mund t’i ndodhte?

Unë e kam dëgjuar me veshët e mi dhe e mbaj mënd shumë mirë (pasi kam qënë 14 vjeç atëhere kur ndodhi arrestimi i tij), që babai, i thoshte një nga miqve të tij më të ngushtë, që: ‘unë ata do t’i pres në shtëpi dhe kur të shoh që do të vijnë, unë kam përgatitur telat me korent, që të vras veten’.

Ku e arrestuan?

Në fakt atë e arrestuan në kafen “Vollga”, diku andej nga qëndra. Ai ishte duke pirë kafen në mëngjes dhe më pas erdhi ajo e famshmja “Pobieda” e bardhë, që dilte nëpër Tiranë dhe arrestonte. Dhe aty e kanë arretsuar, madje nuk e kanë lënë që të paguante as kafen. E kanë tërhequr zvarrë deri te “Pobieda”. Kjo ka ndodhur në 21 mars të vitit 1975. Unë nuk e mbaj mënd se kush e arrestoi, por di të them këtë gjë, që; kur kanë bërë kontrollin e shtëpisë, kanë qënë grupi prej tetë hetuesish të Beqir Ballukut, dhe ata kanë marrë si prova të gjithë literaturën ruse, shqiptare etj. Madje çudia ishte se ata i thanë mamasë që ishte prezente, që: “Këtu në shtëpinë tuaj, nuk shofim asnjë fotografi të Enver Hoxhës dhe asnjë vepër të tij”?! Ndoshta donin nga që i gjithë “grupi i agjentëve polakë” ku ishte dhe xhaxhai, Ylli, ishin civilë, e ata donin t’i gjykonin me një gjyq ushtarak dhe kështu që futën një ushtarak në grupin e tyre në mënyrë që ta bënin fakt të kryer.

Me çfarë akuzash e futën në atë grup?

E vetmja gjë që unë kam lexuar në komunikatën gjyqësore për lidhjet e tim eti, me ata të ashtuquajturit “Grupi i agjentëve polak”, ishte se: ky kishte qënë mik me të gjithë këta që kishin qënë gjithashtu miq të xhaxhait tim. Dhe është interesante që: të gjithë ata që u dënuan me “Grupin polak”, ishin familje të mëdha me një kontribut të jashtëzakonshëm gjatë Luftës. Që nga Vedat Buzi, kryeinxhinier e drejtor i Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi” që kishte vëllanë, Hiqmet Buzi, “Hero i Popullit”, dhe babanë “Dëshmor i atdheut”, e me rradhë të gjithë të tjerët, dhe mesa duket, Enver Hoxha kishte vendosur që t’i tregonte popullit shqiptar, që: ‘kur godiste edhe familjet e mëdha të Luftës, të tjerët duhet të heshtnin….’!

A njihej Xhevati me pjestarët e të ashtuquajturit “grupi agjentëve polak”?

Xhevati dhe Ylli kishin lidhje dhe njohje me pjestarët e “Grupit polak”, sepse Ylli vetë ishte student në Poloni dhe ai njihej nga afër me ta dhe ishin shokë. Ata të gjithë kishin ardhur në shtëpinë tonë. Unë kam qënë i vogël, por dij që babai Xhevati, ka mbajtur një qëndrim shumë të fortë në gjyq.

Para se të flasim për gjyqin ku ai u dënua, të kthehemi edhe njëherë te procesi hetimor, si e kanë trajtuar?

Di dhe një gjë që ai ma thoshte shpesh, që: përpara se ta kalonin te “Grupi polak”, në mesnatë, e kanë marrë dhe i kanë inskenuar një moment pushkatimi. E kanë çuar te lumi i Tiranës, sikur do ta pushkatonin, madje ka qënë edhe skuadra e pushkatimit aty para një grope që sapo e kishin hapur. Dhe një eksponent i lartë i Sigurimit të Shtetit, përpara se të bëhej akti, i ka ndaluar ata dhe i ka thënë Xhevatit: “Mjafton që të na japësh ca deklarata dhe mund të shkosh në shtëpi, tek të afërmit e tu, ndryshe ne do t’i zhdukim dhe të afërmit e tu”. Dhe babai u ka thënë: “Pushka top t’ju bëhet, unë nuk kam se çfarë të deklaroj”.

Sa vjet e dënuan Xhevatin?

Babain e dënuan 10 vjet dhe ai e ka kryer dënimin në Spaç, për 10 vjet nuk ka lëvizur që aty, ndërsa xhaxhai, Ylli, e ka bërë në Ballsh.

Pas dënimit të babait, ç’ndodhi me pjesën tjetër të familjes, pra me ju fëmijët dhe nënën tuaj?

Nga që babai e parandjente që do të arrestohej, ai i kërkoi mamasë që të bënte ndarjen dhe madje e ka kërkuar me firmë. Mamaja e bëri ndarjen dhe parimi i tij ishte që të shpëtoheshin fëmijët në rradhë të parë.

Nga puna e lëvizën mamanë?

Mamaja ime, Ferjal Alibali ka qënë aktore në Teatrin Popullor (e njohur sidomos për rolin e plakës Nicë te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” etj.) dhe kur ndodhi arretsimi i tim eti, natyrisht që e hoqën nga Teatri dhe e lanë për disa muaj si garderobiere po atje. Dhe më pas e hoqën nga Teatri dhe e çuan të punonte në ndërrmarje rrobaqepsie, ku ishte bashkë me aktoren e njohur, Edi Luarasin.

Kur e larguan nga Teatri, çfarë qëndrimi mbajtën kolegët e saj?

Në vitin 1993 kur unë u emërova si Drejtor i Teatrit Kombëtar dhe kur pashë dosjen e saj, vura re disa letra, të cilat disa nga shoqet e saj kishin mbajtur një qëndrim përtej ‘cakut’ që duhej mbajtur për të ruajtur veten në atë kohë. Por kishte dhe të tjerë emra të njohur, kolege të saj, si: Drita Pelingu, Mimika Luca, Roza Anagnosti, Esma Agolli, që i kanë qëndruar afër mamasë sime në atë kohë.

Ju fëmijët, patët privacione?

Ne ngelëm pa shkollë, unë kam punuar që 16 vjec te Ndërmarrja e Ndërtimit “21 Dhjetori” si punëtor me lopatë, ndërsa motra pa punë. Të paktën i shpëtuam internimit dhe arsimin e lartë e kemi bërë pas viteve ’90-të.

Sot pas kaq vitesh, ç’farë konkluzionesh, apo më saktë si do ta përcaktonit atë që ka ndodhur me familjen e babait tuaj?

Kjo ishte një tragjikomedi. Problemi është se si “Grupi polak” ka me dhjetra e dhjetra grupe gjatë gjithë historisë së diktaturës në Shqipëri. Po kështu është fakt se pas viteve ’90-të, askush nuk u morr në përgjegjësi për atë që kishin bërë me “Grupin polak”, pra akuzat e montuara etj. Unë jam jurist dhe logjika që ata, “thjesht kanë zbatuar ligjet e vëndit”, nuk mund të qëndrojë. Ligjet edhe në kohën e diktaturës, edhe në ato kushtetuta që ishin formale, por realisht në to ishin shkruar disa gjëra ku thuhej që respektonin jetën dhe të drejtat e njeriut, por ata s’u zbatuan dhe u ushtrua një dhunë e pa-preçedentë. Rasti i “Grupit polak” është vërtetë një rast I tillë që duhet marrë si shëmbull./Memorie.al

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • REZI: 07/06/2020 09:54

    KETYRE MIRE JA U BENIN SE HANIN NE ÇDO ÇANAK QE TJU JEPNIN

    Përgjigju
    • Mos paragjyko ,per keta qe kane vuajtur...: 07/06/2020 10:56

      Kure nuk i njehe mire Histirine e fatekeqesive te kujdo qofte. Mos paragjyko ,,se gjyna mbi te gjitha,,per cilin do qe ka vuajtur.. Ndersa Kure jua njehe Historine,,sic thua ti ,,ke shume te drejte. Gjithsesi te Uroje shendet,,dhe shyqyr ,,thuaj qe skemi me te Tilla vuatje ..

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?