Për të 10 vit me rradhë është zhvilluar në Shirokë të Shkodrës gara e ‘Thriathlone’, sportit që përfshin 3 disiplinat vrap, not dhe çiklizëm. Numri i pjesmarrësve i kaloi të 100, ndërsa përveç garuesve nga Shqipëria kishte edhe nga Kosova e Mali i Zi.
Një histori e veçantë është ajo e Lionel dhe Bledar Mesit, babë e bir, fitues të kategorive për fëmijë dhe meshkuj, të dy nga Shkodra.
“Gara ishte shumë e bukur. Unë jam pjesë nga viti në vit sepse më pëlqen të marr pjesë,”-u shpreh Lionel Mesi, garues.
“Unë sot posaçërisht kam veshur bluzën e Vllaznisë, pasi ishte dëshira e djalit, që gjithashtu e kishte veshur. Njëkohësisht përveç Vllaznisë përfaqësoj edhe forcat e armatosura. I bëj thirrje të gjithë të rinjve që të merren me sport sepse është shumë bukur dhe të bën mirë për shëndetin,”-tha Bledar Mesi, garues.
Në kategorinë e vajzave fituese u shpall Deborah Keci, drejtoresha e shumësportëshit të klubit Tirana.
“Më shumë sesa fitorja emocion i veçantë është pjesmarrja në këto aktivitete. Nuk është me rëndësi nëse del i pari apo i fundit, por që ta çosh garën deri në fund, që të sfidosh veten dhe që të provosh emocione e garës. Për mua përsa kohë e shkel vijën e finishit je i fituar,”-deklaroi Deborah Keci, garuese.
Organizimi ‘Thriathlonë’ nga bashkia e Shkodrës përveç garës ka për qëllim edhe promovimin e bukurive natyrore të qytetit dhe konkretisht Shirokës.