Një sërë pikëpyetjesh ngrihen ende, edhe 3 ditë pas shpërthimit të fuqishëm në zonën industriale në Lushnje, në lidhje me shkaqet që e sollën dhe kushtet e sigurisë në punë.
Roland dhe Elidion Hoxha, 51 dhe 23 vjeç humbën jetën në vinçin e tyre pranë magazinës në ndërtim ku siç thanë burimet, kishin shkuar për të mbledhur skrap. Vinçi ka qenë duke ngritur bombola me oksigjen, të cilat mendohet se kanë shpërthyer pas zjarrit që mund të jetë shkaktuar gjatë procesit të saldimit në tarracën e magazinës.
Zyrtarisht ende nuk është thënë se kush po e ndërtonte magazinën ku ndodhi shpërthimi, një objekt me strukturë metalike, poshtë telave të tensionit të lartë. Burimet jo zyrtare thonë se leja ishte marrë nga deputeti Bujar Çela, i cili ndodhet në spitalin e Traumës si pasojë e plagëve që mori dhe ende nuk është marrë në pyetje nga hetuesit. Megjithatë, nuk dihet ende se cila firmë ishte kontraktuar për të bërë punimet. Në mungesë të një reagimi por edhe dokumenti zyrtar, nuk përjashtohet mundësia që leja të jetë në emër të personave të afërt të deputetit Çela.
I plagosur mbeti edhe biznesmeni Saimir Korreshi, i cili është vëllai i nënkryetarit të Bashkisë së Lushnjes, Elton Korreshi. Ai ndodhej në biznesin e tij të pijeve me shumicë kur ndodhi shpërthimi, por nuk dihet nëse mes tij dhe deputetit të plagosur të ketë ndonjë lidhje të mundshme edhe në magazinën në ndërtim.
Prokuroria po heton ende pa pasur asnjë person përgjegjës, për 3 vepra penale: atë të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, të ndërtimit të paligjshëm, pasi ka dyshime se për devijimin e lejes së projektit dhe të shkatërrimit të pronës nga pakujdesia.
3 ditë nga shpërthimi tragjik, ende nuk ka një qëndrim zyrtar mbi atë se çfarë përfaqësojnë 5 të plagosurit e tjerë, përveç deputetit Bujar Çela e vëllait të nënkryetarit të bashkisë. A ishin persona të rastësishëm në kapanon apo punëtorë në magazinën e deputetit?!
Këtë të hënë këshilli bashkiak i Lushnjes në një mbledhje jashtë radhës miratoi shumën 500 mijë lekë për shpenzimet e ceremonisë mortore për babë e bir nga fshati Stan, të humbën jetën në ditën e parë të tyre të punës në atë kapanonin që shpërtheu
Për dëmet e shumta që u shkaktuan në biznese dhe shtëpi pranë zonës së shpërthimit, Bashkia e Lushnjës ka ngritur një grup pune për verifikimin e më tej dëmshpërblimin e të dëmtuarve.