Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock

Baerbock: Të mbrohen palestinezët në Bregun Perëndimor

9 Janar, 20:37| Përditesimi: 9 Janar, 20:46

  • Share

"Është përgjegjësi e qeverisë izraelite të zbatojë dhe të arrijë të realizojë shtetin ligjor tek sulmet ndaj njerëzve që banojnë në mënyrë legjitime këtu dhe sulmohen ilegalisht ", u shpreh politikanja e gjelbër pas një vizite në një komunë palestineze në Bregun Perëndimor të hënën. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ndodhet për vizitë disa ditore në Lindjen e Mesme. Ajo shtoi, se është "përgjegjësia e ushtrisë izraelite të mbrojë palestinezet dhe palestinezët nga nguluesit e dhunshëm".

Të martën, Baerbock në takimin me ministrin e Jashtëm egjiptian, Sameh Shukri u shpreh se Rripi i Gazës dhe Bregu Perëndimor i përkasin popullit palestinez dhe palestinezët nuk duhet të dëbohen nga rajonet e tyre. Baerbock të martën viziton edhe pikën kufitare Rafah.

Baerbock, e cila filloi të hënën vizitën në Lindjen e Mesme u njoh me situatën e palestinezëve në zonat e Jordanit Perëndimor të rrethuara nga një sërë ngulimesh izraelite. Një fermer i prekur, tregoi, ndër të tjera, se ai nuk mund të shkojë në fushat me perime dhe fruta, sepse nguluesit i kanë bllokuar rrugët dhe kanë sulmuar familjen e tij. Izrealitët e kishin dëbuar nga shtëpia e tij që është në një luginë mes një zone palestineze dhe një ngulimi izraelit, ka rrëfyer ai.

Gaza dhe Bregu Perëndimor

Gjatë vizitës së ministres së Jashtme gjermane, Baerbock në një zonë palestineze në Bregun Perëndimor, ajo dhe delegacioni i saj vëzhgoheshin nga një dron me shumë gjasa i startuar nga ngulimet izraelite. Ajo që ndodh në zonat përreth Bregun Perëndimor, është "ilegale si nën të drejtën izraelite dhe ilegale edhe sipas të drejtës ndërkombëtare", tha Baerbock. "Rritja e dhunës në Bregun Perëndimor, që nga sulmi terrorist i Hamasit islamist ndaj Izraelit më 7 tetor, tregon edhe se stabiliteti në Gaza dhe në Jordanin Perëndimor janë të lidhur me njëri-tjetrin.

Ministrja e Jashtme gjermane theksoi, se ndërtimi ilegal i ngulimeve paraqet një "pengesë serioze për paqen e vazhdueshme në rajon". Një zgjidhje me dy shtete është "shansi i vetëm, që izrealitët dhe palestinezët të jetojnë në paqe krah njëri-tjetrit. Tani është momenti për të ndjekur këtë kurs".

Gjermania mbron të drejtën legjitime të Izraelit për t'u vetëmbrojtur

Në të njëjtën kohë, ministrja e Jashtme gjermane, Baerbock në bisedat në Tel Aviv me ministrin e Jashtëm izraelit, Israel Katz siguroi Izraelin për solidaritetin e Gjermanisë. Baerbock është shprehur, se Izraeli mund të "jetë i sigurtë: Gjermania e mbron kudo të drejtën legjitime për vetëmbrojtje të Izraelit në kuadër të së drejtës ndërkombëtare." Ndërsa kundrejt Hamasit Baerbock apeloi, të ndalë sulmet kundër Izraelit dhe të lirojë të gjitha pengjet. "Nëse Hamasi nuk do të vazhdonte këtë luftë të pakuptimtë në mënyrë fanatike, lufta do të kishte marrë fund me kohë."

Luftëtarë të Hamasit, që kategorizohet nga Izraeli, SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera si organizatë terroriste, vranë në mënyrë brutale më 7 tetor 1140 vetë dhe morën 250 pengje në Rripin e Gazës./ DW

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?