Bajram Begaj dhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

Bajram Begaj: Rrugëtimi drejt BE, siguria, roli ndërkombëtar, drejtësia, rinia...sfidat e vendit drejt së ardhmes

24 Korrik 2022, 20:22| Përditesimi: 24 Korrik 2022, 20:26

  • Share

I nderuar Zoti Meta, e nderuar Zonja, kryetare e Kuvendit, i nderuar Zoti Kryeministër, e nderuar Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, e nderuar Presidente Osmani, shkëlqesi Ambasadorë dhe Autoritete të Larta Shtetërore Të nderuar Miq e të Ftuar, të dashur qytetarë dhe bashkëkombës! Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen. Dëshiroj të falënderoj Presidentin Meta, për përmbushjen e detyrës, komunikimin institucional e personal që patëm gjatë kohës që unë, ushtrova detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura si dhe gjatë periudhës së transferimit të detyrës.

Për mua sot është një ditë e veçantë, padyshim dita më e rëndësishme e jetës sime. Jam përpara jush dhe ju drejtohem me nderin dhe privilegjin më të madh të një individi, të zgjedhur në postin më të lartë të shtetit, atë të Presidentit të Republikës. Ky besim, më ngarkon me përgjegjësinë më të madhe ndaj qytetarëve të kombit tim, ndaj historisë së shtetit tonë, ndaj partnerëve të Shqipërisë, por edhe ndaj miqve dhe familjes time. Sot u betova për besnikëri ndaj Kushtetutës e ligjeve të vendit, për të respektuar të drejtat dhe liritë e shtetasve, për të mbrojtur Pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar.

Do të jem shërbëtor i popullit tim, përfaqësues i unitetit tonë kombëtar, mbështetës i palëkundur i rrugëtimit euro-atlantik për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, e kudo që ata jetojnë e punojnë.

Do të jem kontribuues dhe përkrahës i komunikimit e bashkëpunimit, i nismave dhe ideve që zhvillojnë e çojnë përpara shoqërinë tonë. Dialogu dhe bashkëpunimi, midis forcave politike, shoqërisë civile, komuniteteve fetare, të pakicave kombëtare, dëgjimi i vëmendshëm i zërit të medias së lirë, transparente dhe të vërtetë, respektimi dhe pranimi i debatit mundëson që forca e tij të mishërohet në mirëqenie, zhvillim e progres për qytetarët dhe vendin. E ardhmja e vendit është përgjegjësi e të gjithëve. Interesi ynë i përbashkët mbetet konsolidimi i institucioneve, të cilat kanë përgjegjësinë, për të garantuar sigurinë e vendit; për të forcuar liritë e të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës, për të mbrojtur dhe promovuar interesat e shqiptarëve kudo që ndodhen, për të ruajtur identitetin kombëtar, për të sotmen dhe brezat e ardhshëm.

Sot më shumë se kurrë kërkohet unitet dhe bashkëpunim i klasave politike. Vetëm një bashkërendim i tillë do të na mundësojë të arrijmë objektivat tona kombëtare. Unë do të inkurajoj dhe mbështes çdo veprim, për të arritur marrëdhënie të shëndosha ndërmjet institucioneve kushtetuese. Të garantosh zbatimin e Kushtetutës nënkupton zbatimin e ligjit edhe për të ndëshkuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Të vijojmë në rrugën e reformës në drejtësi, jo thjesht sepse ky është një kusht thelbësor në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por edhe sepse ndërtimi i një sistemi gjyqësor të pavarur, dhe me integritet, garanton luftë pa kompromis kundër korrupsionit e krimit të organizuar, të cilat gërryejnë shoqërinë, thellojnë pabarazinë e padrejtësinë sociale, si dhe cenojnë rëndë sigurinë kombëtare.

Reforma në Drejtësi me ndihmën e aleatëve tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Bashkimin Europian, po jep frytet e saj. Përfitoj këtu nga rasti të shpreh mirënjohjen për ndihmën e pakursyer të partnerëve tanë euroatlantike. E po ashtu e gjej të udhës të ritheksoj se tek Shqipëria dhe shqiptarët, miqtë tanë do të gjejnë kurdoherë partnerin e tyre të besuar.

Unë kam privilegjin, që të marrë detyrën në një nga momentet më të rëndësishme të shtetit shqiptar në raport me aspiratën, vlerat dhe ëndrrën tonë europiane. Mbajtja e Konferencës së pare Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, është një arritje e madhe, mëse e merituar nga Shqipëria dhe shqiptarët, falë reformave të ndërmarra.

Pas një rrugëtimi të gjatë, me shumë përpjekje, sfida dhe detyrime, kjo ngjarje shënon vetëm fillimin e një kapitulli të ri, në të cilin do duhet të jemi të gjithë bashkë, krah për krah. Shqipëria megjithëse e vogël, dëshmon me krenari se edhe popujt e vegjël prodhojnë siguri dhe kontribuojnë në sigurinë rajonale dhe globale.

Ky fakt provohet nga angazhimi ynë në arenën ndërkombëtare - angazhimi diplomatik në kuadër të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe angazhimi i Shtetit Shqiptar, për të dënuar agresionin rus ndaj integritetit territorial të një vendi sovran si Ukraina. Njëzëshmëria e klasës politike shqiptare për të mbështetur kauzën e popullit ukrainas, por edhe gjestet individuale të qytetarëve tanë, në mbështetje dhe ndihmë të popullit ukrainas, tregojnë gjithashtu se ne dimë të jemi së bashku për kauza të mëdha. Qenia jonë në NATO, rreshtimi ynë në këtë aleancë moderne, angazhimi me përkushtim i Forcave tona të Armatosura, e bën Shqipërinë më të fortë, më të qetë dhe më të sigurte. Por lufta në Ukrainë tregon se siguria dhe paqja e qëndrueshme nuk dhurohen, ato fitohen.

Ndaj një nga detyrat më të rëndësishme të një vendi është të garantojë sigurinë e tij. Ne jemi të vetëdijshëm që faktorët e rrezikut kanë ndryshuar. Në ushtrimin e mandatit tim, vëmendja ndaj çështjes së sigurisë kombëtare do të jetë gjithmonë e madhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët që janë të ngarkuar nga ligji. Të rishikojmë Strategjinë tonë të Sigurisë Kombëtare, për të pasur një reagim të menjëhershëm. Të sigurojmë jo thjesht mbrojtjen nga kërcënimi, por të punojnë për parandalimin e elementëve që kërcënojnë sigurinë e vendit tonë.

Është përgjegjësi për të gjithëve ne, të mendojmë për adresimin e situatave me të cilat përballemi. E gjithë shoqëria duhet të angazhohet, të diskutojë hapur dhe me kurajo, të përfshihet në mënyrë aktive për të forcuar dhe zgjeruar themelet e demokracisë. Themele ku Edukimi dhe Arsimimi, përbëjnë pa dyshim dy nga shtyllat kryesore me një ndikim vendimtar në emancipimin dhe progresin e shoqërisë. Edukimi është ushqimi i shpirtit, arsimimi është pasqyra ku ne shohim përparimin tonë dhe çelësi i suksesit.

Shqiptarët kanë ditur ti përdorin këto dy elementë për të mirën e tyre, për një familje dhe shoqëri të shëndetshme. Vendi ka nevojë për politika e nisma të guximshme dhe efektive. Politika që rrisin besimin në drejtësi, ekonomi, shëndetësi, edukim dhe arsim, për një të ardhme siç e meritojnë qytetarët, siç e dëshiron rinia me energjinë, meritat dhe talentin e saj, dhe si e ëndërrojnë fëmijët me çiltërsinë e tyre.

Ndaj ne, populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë: me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit, të punojmë të gjithë së bashku për atdheun tonë, Shqipërinë. Zoti bekoftë Shqipërinë dhe Shqiptarët!

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?