Pulla postare dhe aeroplani i parë që kreu shërbim postar në Gjermani

Dosje

Bajram Peçi: 100 vjet nga emisioni i pullave 'Posta Ajrore' dhe lindja e grupit të koleksionistëve Aerofilateli

30 Korrik, 18:12| Përditesimi: 30 Korrik, 19:04

  • Share

Posta Shqiptare bëhet vëndi i parë në Ballkan, që emëton pullat e shërbimit postar ajror. Ishte kryeministri Fan Noli, që në nëntorin e vitit 1924, nënshkroi marrëveshjen qeveritare ndërmjet Shqipërisë dhe shoqërisë ajrore gjermane “Lufthansa”. Ministër i postave ka qenë Qazim Koculi, që njëkohësh me kryeministrin pa mandat, qëndruan në këto poste nga qershori deri në 24 dhjetor.

 Konçesioni do ishte 10 vjeçar. Shoqëria shqiptare e transportit ajror mori emrin “Adria Aero Lloyd”. Ndërkohë që përgatiste flotën, sipas marrëveshjes (në kontratë përfshihej dhe prodhimi i pullave) filloi edhe nga përgatitja e serisë të pullave që do tarifonin shërbimin postar e kolipostar. Si e qysh ndodhi kjo ecuri në një vend me prapambetje të theksuar, me sistem feudal, pa asnjë lloj industrie, por sidomos pa rrugë transporti? Pikërisht, ky ka qënë faktori që ndikoi në kapërximin e etapave.

 

Shqipëria e vitit 1913 trashëgoi nga pushtimi 500 vjeçar turk, mjerisht vetëm 160 kilometra rrugë dhe një urë (druri) mbi Drinasë. Nga fundi i shek. XIX ishin ndërtuar rrugët Shkodër-Lezhë-Shëngjin, pjesërisht rruga Berat-Këlcyrë-Përmet, Gjirokastër-Kakavi, Delvinë-Sarandë dhe Durrës-Tiranë. Të gjitha këto ishin për kalim karroca e qerre.

Gjatë Luftës së Parë Botërore ushtria Austro-Hungareze ndërtoi në Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme 650 km rrugë automobilash. Ndërkohë, ushtria italiane ndërtoi rrugët Vlorë-Tepelenë-Gjirokastër; Vlorë-Llogara-Himarë-Sarandë-Delvinë-Gjirokastër dhe riparuan rrugën Tepelenë-Këlcyrë. Të gjitha sa sipër ishin projektuar për qëllime kryesisht ushtarake. Ushtria franceze ndërtoi rrugën Follorinë- Korçë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Zvezdë, Korçë-Maliq-Pogradec dhe Pogradec-Progër. Në mes vitet ’20 shteti shqiptar ndërtoi rrugët automobilistike Peqin-Elbasan; Elbasan-Librazhd-Pogradec.

 Nga sa shihet, kryeqyteti, Tirana, nuk lidhej me rrugë transporti me asnjë prej qendrave të mëdha urbane të Shqipërisë, ndaj shoqërisë ajrore ju dha e drejta e ndërtimit të aeroporteve për qytetet Tiranë, Vlorë, Shkodër e Korçë, të cilat në muajin maj 1925 ishin gati. Nga muaji janar e deri në fillim të muajit nëntor nuk figuron në historinë e administratës shtetërore që ndokush të ketë kryer funksionet e ministrit të postave, deri në emërimin e Musa Jukës.

 Të parin shërbim të postës ajrore në Europë njihet ta ketë kryer Gjermania, e cila, në muajin qershor të vitit 1912, vuri në qarkullim enkas për këtë shërbim emisionin e pullave për transport ajror, 1 pamje me 3 vlera. Pulla kishte në pamjen e saj një shpend në fluturim, që mban në sqep një zarf postar.

 Transporti i postave në linja ajrore ishte një dukuri teknike e sapo zbuluar e që solli në Europë një zhvillim të madh të korespondencave dhe transportit postar sepse shkurtonte dukshëm kohën nga dorëzimi te marrësi. Pas Gjermanisë, pak muaj më vonë, ishte Suedia; në 1917 Italia; në 1918 Austria; në 1919 Zvicra; në 1920 Spanja; në 1923 Portugalia dhe në 1925, e shtata në këtë llojshmëri shërbimi, Shqipëria.

Emisioni i parë i pullave postare, që Gjermania u kushtoi shërbimeve të postave ajrore

 Aeroplani i parë që kreu shërbim postar në Gjermani ishte një biplan me një helikë, trupi dhe krahët ishin struktura druri të mbuluara me pëlhurë dhe me fletë alumini në zonën e përparme të trupit. Avioni kishte një pajisje uljeje me dy rrota dhe një tjetër rrotë te bishti. Ky avion, përveç postave, kreu edhe shërbim udhëtarësh e mallrash.

 Posta Shqiptare ka qenë pararendëse e këtij lloj transporti në Ballkan për shërbimin dhe emëtimin e një serie pullash kushtuar postës ajrore që në maj të vitit 1925. Nga fqinjët tanë ishte Italia e cila në muajin maj 1917 kreu një mbishtypje për shërbim posta ajrore. Greqia e filloi këtë shërbim në muajin tetor 1926 dhe emetoi një seri me 4 vlera, në të cilin shfaqej pamja e një aeroplani “Savoia-Marcheti S-55” dhe me pamje të Akropolit dhe Parthenonit. Turqia ka filluar fluturime Stamboll-Ankara në vitin 1929 dhe në korrik të vitit 1934 emëtoi një seri me 4 vlera. Jugosllavia emetoi në muajin qershor 1934 një seri me 5 vlera. Bullgaria emetoi në nëntor 1927 një seri me 4 vlera dhe Rumania në shtator 1929 emetoi një seri me 3 vlera.

 Aeroplani S.55 kreu fluturimin e tij të parë në gushtin e vitit 1924, në shërbim të Regia Aeronautica. U përdor përveç postës italiane edhe në postën e Greqisë, në forcat ajrore spanjolle dhe aviacionin detar mbretëror të Rumanisë.

Seria e pullave për postën ajrore që emëtoi Greqia. Në pamje shihet Savoia-Marchetti S.55. Ka qënë fluturuese me dy jastëk, e projektuar nga prodhuesi italian i avionëve Savoia-Marchetti. Ai u krijua për të kryer transporte tregtare dhe ushtarake

Shërbimi i parë postar ajror në Shqipëri do operonte me “Junkerë F-13”. I pari fluturim u krye në linjën Tiranë-Vlorë. Junkers F 13, me të cilët u pais flota e shërbimit në Shqipëri, është aeroplani i parë transportues në botë tërësisht metalik, i projektuar dhe prodhuar nga prodhuesi gjerman i avionëve “Junkers”.

 I prodhuar menjëherë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ai ishte me krahë monoplane, me strehim të mbyllur për katër pasagjerë dhe një kabinë të hapur me dy vende. U prodhuan gjithsej 322 avionë, një numër mjaft i madh për një aeroplan komercial të epokës, që operuan në të gjithë botën. Junkers F-13 përbënte mbi një të tretën e gjithë trafikut ajror në fillim të viteve 1920.

Junker F-13, tipi i aeroplanit që kreu në Shqipëri shërbimin e transportit të postës. Shkronja e emërtimit F qëndronte për Flugzeug (avion)

Shoqëria “Adria Aero Lloyd” prodhoi në shtypshkronjën shtetërore Berlin 50 mijë seri të pullave për tarifimin e shërbimit të postës ajrore të Shqipërisë, të cilat u vunë në përdorim prej 30 majit. Seria përbëhej nga një pamje me 7 vlera që dalloheshin prej ngjyrave të ndryshme. U bë me letër filigran të formës rombe, letër e sigurisë së lartë për letrat me vlerë, që ishte përdorur nga posta e Perandorisë Gjermane në vitin 1905 deri në vitin 1911 për prodhimin e emisionit të zakonshëm. Seria u realizua me printim të qartë në letër sateni me shkëlqim, filigranë të dukshëm, gomë mat.

 Pamja në pullë paraqet majtas-lart, aeroplanin luftarak të Gjermanisë të tipit FX111, me dekor peisazhin e Tiranës. Djathtas-poshtë, afër shifrës së vlerës Qind e Frank, një shqiponjë, shpendi ynë kombëtar në fluturim.

 Përdorimi për herë të parë i pullave u bë në datën 30 maj 1925, në linjën Tiranë-Vlorë. Më datë 1 qershor u kryen fluturimet e para në linjën Tiranë-Korçë dhe Tiranë-Shkodër. U mbajtën dhe u përdorën parreshtur në të tre linjat, deri në janar 1927, gjithësej 21436 seri. Njëherësh me linjat e transportit ajror dhe qarkullimin e pullave, përmes zyrave postare u vunë në përdorim dhe katër vulat datare për katër qytete, rrethore-30 mm, “Posta Aerore”.

 Mbi këto pulla, në një pjesë prej tyre, u mbishtyp më 18 janar 1927, diagonalisht, nga e majta-lart në të djathtë-poshtë, “Rep. Shqiptare”, 22200 seri, si pararendëse njoftimi për mosnjohjen e monarkisë Ëied dhe përgatitjen pas një viti të shpalljes së regjimit të ri monarkist.

Fragment zarfi i udhëtuar me postë aerore, Tiranë-Vlorë. Tarifa e shërbimit 30 qindarka.

 Mbi pullat ajrore u bënë dhe dy mbishtypje të tjera: 24.IV.1928-“Fluturimi i Parë Vlorë-Brindizi”, 5350 seri dhe më 1.XII.1929-“Mbr.Shqiptare”, me gërma gotike, 1014 seri. Në tetor 1930, ky emision me tre mbishtypjet ishte hequr nga qarkullimi, për t’i lënë vendin emisionit të ri ajror, shtypur në Romë.

 Të gjitha aeroportet e shërbimit civil të Adria Aero-Lloyd në Shqipëri, përfshi dhe ndonjë tjetër që agjencia ngriti, si Gjirokastra, kanë qenë funksionale, sipas nevojave, edhe në periudhën e regjimit komunist. Shqipëria përfitoi shumë prej tyre në aspektin e civilizimit.

 Dalja e tyre jashtë përdorimit ndërkombëtar ndodhi vetëm kur, sipas Marrëveshjes së Koncesionit nënshkruar më 15 tetor 2004, Tirana International Airport (TIA) nënshkroi se “...ka të drejtë të drejtojë, operojë dhe të zhvillojë Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” për një periudhë njëzet vjeçare”. Koncesioni filloi të zbatohet në 23 prill 2005. Shënohet se, gjatë koncesionit të gjitha fluturimet ndërkombëtare prej dhe drejt Shqipërisë do të realizohen vetëm nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, duke filluar nga prilli 2005. Ky ishte një kthim mbrapa i shërbimit ajror shqiptar.

Nga pullat e “Posta Ajrore” lind klasa filatelike Aerofilatelia

 Të gjithë artikujt postarë që janë transportuar me rrugë ajrore, që përfshin: pullat e postës, zarfa, karta postare, etiketa të rregullave të postës ajrore, vula postare, tarifa të postës ajrore, përmes koleksionimit të tyre, krijuan grupin Aerofilateli.

 Kjo degë e re e filatelisë, u përkushtua përmes mbledhjes në studimin e postës ajrore. Në aerofilateli, termi "Postë ajrore" u pranua të përkufizohet si transport i postës me anë të fluturueseve të çdo lloji, në çdo destinacion, të nënndara në: Postë me aeroplan, me balonë, postë e dorëzuar me balona të mbushura me hidrogjen ose helium, postë e dërguar dhe e dorëzuar posaçërisht nga aeroplanët gjermanë Zeppelin.

 Aerofilatelia shënohet ta ketë fillesën prej shkurtit të vitit 1911, kur u krye fluturimi i postës ajrore nga qyteti Allahabad drejt Nainit në Indinë e ndodhur nën sundimin britanik. Avioni i përdorur ishte një Biplani Humber-Sommer i cili bëri një udhëtim prej 5 milje, për të kapërxyer lumin ujëshumë nga një breg te tjetri në 13 minuta. Fluturuesi mbante një thes me rreth 6000 letra në biplanin e tij Humber. Të gjitha letrat morën një vulë anullimi speciale, në të cilën përshkruhej një biplan, male dhe shënimi, "Posta e parë ajrore, 1911, U. P”.

 Transporti ajror i postës u vlerësua magjepsëse dhe një numër i madh filatelistësh u tërhoqën nga materiali ekzotik që lidhej me postën ajrore. Kjo degë e filatelisë u bë shpejt një klasë konkurimi dhe u përfshi në rregulloret e FIP e FEPA.

 Organizimi i parë i njohur për klasën e re tërheqëse, njihet të jetë kryer prej Konferencës Ndërkombëtare të Aeronautikës Civile, të thirrur nga Presidenti SHBA-së, Coolidge, prej 12 deri 14 dhjetor 1928. Konferenca dhe pullat përkujtojnë arritjet e Vëllezërve Ëright (17 dhjetor 1903), të parat përkujtimore të SHBA-së për të nderuar një ngjarje të aviacionit.

-Postcard kushtuar Konferencës së Aeronautikës Civile SHBA

-Seria e parë e pullave të Postës SHBA, 1918, për postën ajrore.

Të dy pullat e kësaj serie (shih Postcard) përmbajnë aeroplanë dhe ishin pulla postare të rregullta, jo pulla postare ajrore, por meqenëse vlera 5-cent ishte tarifa e postës së atëhershme të postës ajrore, u përdor në një zarf të miratuar të postës ajrore me legjendën Via Air Mail.

 Përdorimi i termit "Aerofilateli" ndeshet të jetë bërë për herë të parë në vitin 1929, fill pas kësaj konference përkujtimore historike.

 Posta ajrore në Shtetet e Bashkuara u shfaq me fluturime jozyrtare që bartnin postën përpara vitit 1918 dhe pas vitit 1918, kur Posta e SHBA mori përsipër dërgimin e të gjithë postës ajrore. Sipërmarrjen e fluturimeve posta e shoqëroi me serinë e pullave që vuri në qarkullim.

 Posta e Shqipërisë ka emëtuar 14 emisione “Posta Ajrore”, prej të cilave 8 janë të reja dhe 6 janë mbishtypje (4 mbishtypje mbi emisionin e vitit 1925 dhe 2 mbishtypje mbi emisionin e vitit 1950). Në Balkanfila Tiranë, 5-9 Maj 2016, Aerofilatelinë nuk e vendosëm si klasë filatelike sepse nuk kishim aplikant.

-Zarfa të përdorur në Shqipëri për shërbimin e postës ajrore. Nga lart-poshtë: zarf i përdorur 1925-39; 1940-50; 1975-90

-Vula datare e Posta ajrore-Tiranë

I vetmi konkurim (në mos gabohem) në klasën filatelike Aerofilateli, është bërë në kampionatin e Francës, Paris 2012, ku si komisioner kam çuar një 5 frame të Niko Xharos, i cili u vlerësua me Argjend. 80 tabakët e këtij konkurimi ishin tërësisht me fondin pulla, zarfa, karta postare të udhëtuara të serive 1925 dhe 1930.

 Nga koleksionet që i përkasin kësaj tematike, kam ndeshur tek anëtarët e shoqatës tonë fonde të pasura Aerofilateli. Mbresa veçanërisht më ka lënë fondi që ka mbledhur Muharrem Gimjani të zarfave postarë që kanë udhëtuar dhe marrë vulën Zeppelin.

 Shpresoj që publikimi në revistën tonë i këtij artikulli me karakter historik dhe enciklpoedik të shërbejë si nxitje për përfshirje të filatelistëve në këtë klasë.

 Për të mos krijuar keqkuptime, vë në dukje se seritë e pullave me raketat që udhëtuan në hapësirë i përkasin një tjetër grupi, "Astrofilateli"-së, një klasë kjo tërësisht e veçantë.

Bibliografi

-100 Vjet Posta Shqiptare-Korpus dokumentesh, “Adelprint 2012”.

-American Air Mail Catalogue (AAMS, 6th ed. 1998)

-Bajram Peçi, “Shqipëria e vjetër motorike në muzeun Ron”, “Mediaprint 2023”.

- John J. Smith Aero Filatelist Annals, vëllime. I – XXV-Korrik 1953-Janar 1980

-John S Phipps, “Pullat dhe Postat e Shqipërisë…”, Dhori Kotti-Korçë 2002.

-Michel katalog Deuchland, Michel Sudeuropa, Michel A-L & M-Z.

-Schappach, “Geheimmnisvolles Briefmarkenland Albanien”, Olms verlag 1987

S.B/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Deri në 3 vite burg për braktisjen e kafshëve, si e vlerësoni?