Unioni i Gjyqtarëve

Opinion

Bajram Peçi: Financat publike, pagat e magjistratëve dhe qytete që vdesin

14 Qershor, 21:02| Përditesimi: 14 Qershor, 22:39

  • Share

Në mënyrën se si krerë të GJK dhe KLGJ, kanë dalë në deklarime ndaj shefit të qeverisë, që u kërkoi si kryeministër të mos orvaten të bëjne rritje page 700 euro për gjyqtar, nismë të cilën e quajti lajthitje, ndjen se nuk i përkasin një trupi.

Pa dhënë ndonjë shpjegim, pse Unioni i Gjyqtarëve kërkon tani një ndryshim të buxhetit, këto institucione të larta kanë të drejtë ta bëjnë si propozim, por jo ta bëjnë jashtë përcaktimeve që vijnë si nga Buxheti i Shtetit ashtu dhe nga ndarja e pushteteve?!

Buxheti dihet se ka një funksion politik në marrëdhënien midis qeverisë dhe parlamentit. Te buxheti, kur ka qenë koha, janë shtruar për t’ju bërë të njohura deputetëve mundësitë ekonomike të shtetit shqiptar, qofshin të ardhuara apo borxhe publike, nevoja për përmirësimin e shërbimeve publike, etj. Ato ju nënshtruan miratimit parlamentar dhe buxheti u bë një akt ligjor, kundër të cilit organet e pushtetit ekzekutiv nuk mund të menaxhojnë shpenzimet publike ose të mbledhin të ardhura. Buxheti ka marrë fuqinë e ligjit dhe është i detyrueshem për respektim e zbatim.

Edhe buxheti i organeve të drejtësisë është i strukturuar brënda parashikimit të buxhetit të shtetit. Nuk kam dieni nëse në menaxhimin e tij merr pjesë edhe Ministria e Drejtësisë, si pjesë e qeverisë, por është e qartë se ai ndahet për funksionimin e duhur të sistemit gjyqësor-prokurori dhe administrimin e burgjeve. Shpenzimet për gjykatat, prokurorët publikë, magjistratët dhe stafin administrative të tyre si dhe institucionet e vuajtjes së dënimit, janë të detajuara, siç ndodh edhe nëpër digastere.

Nëse qeveria rriti këto ditë (me autoritetin që i jep ligji) me 570 milionë lekë buxhetin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, natyra e rritjes ska asnjë lidhje me natyrën e shtesës progresivisht në pagë! Këto lekë nuk janë mbi buxhetin e përgjithshëm, por dalin nga shumat e planifikuar për t’u shpenzuar, të cilat në 5-mujorin e parë të vitit nuk u përdorën (11.8 miliard lekë) nga të tjerë sektorë. Ato 11.8 miliard lekë u rishpërndanë edhe në dobi të sektorit bujqësor e shërbimeve digjitale.

Pra, të gjitha shkallët e gjykatave, të gjitha llojet e prokurorive, janë organe buxhetore, nuk punojnë me vetëfinancim. Në gjykata funksionon vetëm seksioni i të ardhurave, që vjen prej vjeljes së tarifave gjyqësore, gjobat, pagesa për lirimet me kusht, shërbimit të provës, etj. A di ndonjë nga organet drejtuese t’i japë (në mos kryeministrit) opinionit publik një bilanc të këtyre të ardhuarve, të cilat, nëse me gjasa janë tejkaluar me 30 milion euro, opinioni të flejë i qetë se nuk do merret kjo sasi nga taksat e punonjësve dhe (mos o Zot!) nga arsimi ose shëndetësia?

Natyrshëm që në një buxhet që i jepet kuvendit për miratim, nuk është e mundur dhe besoj se nuk egziston as si zë dëmshpërblimi në vlera te kosideruehsme, që rrjedhin nga pasvendimet, vendore e ndërkombëtare, për ndalime, paraburgime e burgime të padrejta. Ato i ngarkohen në kurriz qeverisë, por askush nga vendimmarrsit prokuror apo gjyqtar ligji nuk parashikon se duhet të dëmshpërblejë. KLGJ dhe KLP ndoshta do ishin organet që t’ua varnin në qafë dëmshpërblimet.

Ndërsa krerët e drejtësisë janë njerëzit më të paguar në shtetin shqiptar, është krejt e pakuptueshme pse ligjvënsit, pakujdesisht apo anarkisht, me tabelën e pagave kanë prishur hierakinë? Në çdo sistem, demokrat apo komunist, diktaturë, madje dhe monarki konstitucionale qoftë, ruhet rendi i pagave, prej kreut të shtetit e deri te nëpunësi i nivelit më të ulët, idem si gradat në ushtri. U treguam qesharkë apo të nxituar kur e prishëm këtë rend shtyrë nga dëshira për të forcuar pavarësinë dhe integritetin e sistemit?! Gjykuam se sistemi do bëhej më imun ndaj politikës (!?), ndaj korrupsionit, ndaj ndikimeve e ndërhyrjeve të jashtme? Ndodhi kjo vallë!

Rritja e pagave vjen si e dobishme për ato shtesa të popullatës që e përfituan, siç ngjau me parlamentarët, me gjyqtarë e prokurorë, me sektorë të administratës, që përfshiu 135 mijë buxhetorë. Niveli i pagave për gjithë punonjësit u caktua 45 mijë lekë, por në dorë shumica e tyre marrin diku te 30 mijë lekë, ndërsa niveli i shërben më së shumti detyrimeve për sigurimet shoqërore e shendetësore. Kushdo është i lirë dhe i aftë të bëjë dallimet në nivelin e ulët të jetesës së punonjësve dhe diferencat mbi 10 herë nga më e ulta pagë te më e larta!

Shqipëria, që aspiron t’i bashkangjitet sa më shpejtë BE-së, mes mëtonjësve është e vetmja që nuk ka një plan-perspektivë për industrializimin. Të gjithë shohin, por askush nuk di të thotë se si mund të ndalohet vdekja e qyteteve të cilat u krijuan dhe ishin të lidhura kryesisht me shfrytëzimin e pasurive nëntokësore, minerale dhe naftës? Industritë e ngritura për nxjerrjen dhe përpunimin e kromit, bakrit, hekur-nikelit, qymurgurit, naftës e gazit, u shkatërruan dhe vëndburimet ju dhanë koncesionarëve të huaj. A mundet dot më Ballshi t’i mbaj banorët e saj të lidhur pas qytetit, kur nuk ka asnjë lloj prodhimi dhe pothuaj askush nuk merr pagë?

Ndokush që lexon thotë me vete: ç’na hap barkun me këto muhabete? Nuk dua aspak t’ju ndërmend i dashur lexonjës se sa shtet rrumpallë ishim që lejuam të ndodhte kështu, por ja se si: Me ato 30 milion euro shtesë që kërkon në çdo vit magjistratura, është e tepërt të them se sa mundësi punësimi i jep Ballshit. Në mos Ballshit, Rubikut! Në mos Rubikut e Laçit, njërës prej uzinave që prodhonin armatim!

Qytete e banorë me trup të drobitur, për të mos thënë të braktisur, janë pa shpresë. Shpresën, harrojeni se do ta japi inisiativa e lirë (kapitaliste) e banorëve pa asnjë mundësi investimi, pa prona, pa të ardhura? e jep vetëm leku përmes investimit nga shteti. Kjo ndodh të bëhet vetëm atëhere kur shteti (parlament, qeveri e sistem drejtësie), ndjen dhimbjet e të tjerëve!

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?