Artan Lame

Opinion

Bajram Peçi: In Memoriam - Lamtumirë Artan Lame!

23 Maj, 16:20| Përditesimi: 23 Maj, 16:29

  • Share

Lajmi i trishtuar për ndarjen e parakohshme nga jeta të Artan Lames na ka prekur dhe tronditur thellësisht.

Bota shqiptare e koleksionistëve është në zi. Ai ishte një pasionant i rrallë në kënaqësinë që i përcillte pasioni, në zhanret ku ushtroi mbledhjen e studimin.

Ishte fillimi i viteve ’90 kur filloi formimi si i tillë, koha kur si specialist te shoqëria detare “Adriatika”, u pasionua me mbledhjen e ruajtjen e vlerave materiale, që i shihte si vlera të kulturës kombëtare të trashëgimisë kulturore.

I dhënë tërësisht pas historisë, u lidh me individë e grup shokësh, me të cilët ndanin informacion dhe kulturë koleksionimi. Vlerat e fondeve të tij shquhen posaçërisht në katër nga fushat, njëra më e veçantë nga tjetra, ku Artani u shqua:

A. Koleksionimi i medaljeve, i titujve të nderit dhe dekoratat e Shqipërisë.

 Mbledhja dhe bërja e tyre fond personal kronologjik, për ata që kanë njohuri në fushë, kuptohet se përbën një aventurë. Ka qenë e mbetet një vështirësi serioze, së pari, se vetë shteti shqiptar nuk ka qenë aq i vëmendshëm dhe i kujdesshëm për të ruajtur të inventarizuara emetimet në kronologji kohore, në përkatësi me sistemet kushtetuese dhe organizimin arkivor. Artani pothuaj se siguroi përmes investimit kohor e studimor tërësinë e tyre. I përshkroi ato, duke filluar nga medaljet e para të shtetit shqiptar, ato të Princ Widit, monarkia. Për herë të parë në kulturën e kësaj fushe, në prill të vitit 2010 nxori botimin dy vëllimesh, në të cilat bën klasifikimin zyrtar të dekoratave, vitin e instituimit, Klasin ose Gradën, metalin me peshën dhe pastërtinë, përmasat, kordonin, rrallësinë, motivacionin, vendin e prodhimit. Botimi përfshin periudhën 1914 deri në vitin 2000. Ilustrimi me ngjyra është në formatin 1/1 me origjinalin, në faqe dhe shpinë. Botimi gjithashtu shoqërohet me dekret-ligjet mbretërore, të Presidentit të Republikës, të Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Është i vetmi në llojin e tij dhe besoj se i tillë do mbetet, si pasuri në etazherët e koleksionistëve!

Botimi i Artan lames për medaljet

B. Ishte i kompletuar si koleksionit e studiues numizmat me fondin e monedhave të Shqipërisë, 1926 e deri në ditët e sotme.

E veçanta e Artanit në numizmatikë ishte koleksionimi dhe studimi i monedhave të Perandorisë Otomane dhe ato Bizantine. Ishin pasioni i tij. Ai ishte pamëdyshje më i miri mes nesh në studimin e numizmatikës otomane dhe bizantine, ku vetëm mendimi se do duhej të futeshe të kërkoje në një “pus” 1000 vjeçar, ishte i frikshëm.

Koleksioni i tij i monedhave otomane është i veçantë, njohjen e emetimeve kronologjike të monedhave e kish të përkryer dhe përshkrimi i tyre në kuadrin historik e bënte atë një njohës brilant, jo vetëm mes nesh, por shumë më gjerë. Në dy seanca te rubrika “Netët e Muzeut”, që organizon Banka e Shqipërisë, komuniteti i numizmatëve pati kënaqësinë pak kohë më parë të dëgjonte referimin tërheqës të Artan Lames mbi monedhat otomane.

C. Artani ka bërë dhe i ka lënë Shqipërisë një koleksion fare-fare të rrallë, atë të uniformave ushtarake, që ka veshur e mbathur ushtrinë shqiptare që nga themelimi i saj, të spaletave e të gradave, të yjeve dhe shiritave dekorues. Vendi ynë ka një muze ushtarak, e kam parë dhe e vlerësoj atë, por as që bëhet fjalë se do gjente e do mbante uniforma të ushtrisë së para 100 vjetëve, ato të mbretërisë, ato të pasçlirimit, të modelit sovjetik e më tej të modelit kinez e të viteve të tjera më pas.

 Kam shkruar më lart se “...i ka lënë Shqipërisë një koleksion...”, për një fond që i përket familjes, me bindjen se do ngelet vlerë muzeale nën kujdesin e shtetit. Do ishte një dëm i madh për kulturën e trashëgimisë që ky koleksion të shpërbëhej, e shoh më të dobishëm, tashmë që krijuesi i saj i përkushtuar nuk jeton, më të vihet nën kujdes të posaçëm, njëlloj si xhubletat! Kushdo qoftë çmimi i këtij fondi uniformash, ai mendoj e besoj se duhet të ketë vendin e tij në muzeun e ushtrisë?

Ky koleksion është shfaqur me raste për publikun, prej vitit 2000 kur patëm fatin ta shohim në Muzeun Historik Kombëtar e më pas në Galerinë e Arteve. Është vërtet diçka e rrallë.

Koleksioni i uniformave ushtarake shqiptare ndër vite

D. Vlerat e mëdha të këtij koleksionisti të shquar, i cili e drejtoi si kryetar i saj për disa vjet Shoqatën e Koleksionistëve të Shqipërisë, do t’i mbyll duke informuar lexuesin mbi koleksionin e tij të Flamurëve Kombëtare ndër vite. Ata janë të të gjitha formave e dizajnimeve, me shqiponjë në flatrim, me pendë të ndryshme në numër nga koha në kohë, ashtu siç u zhvilluan në praktikën si para pavarësisë, duke filluar me versionin e Aleadro Kastriotit, ato të pavarësisë, versionin e Spirdon Ilos, etj.

Prej fondit të tij të koleksionit, 50 prej flamurëve i pamë të ekspozoheshin për herë të fundit në sallën e Galerisë së Arteve në Korçë, me rastin e 100 Vjetorit të Republikës Autonome të Korçës.

Në të fundmin bashkëpunim që pata me Artanin ishte Epspozita e Retro Transportit të zhvilluar në Tiranë para dy vjetësh, ku unë ju bashkangjita koleksionit të automobilave retro të Arben Prrenjasit me një ekspozim të pullave postare “Automobila dhe konstruktorë”, në 5 stenda ekspozimi. Artan organizoi dhe drejtoi një shfaqje koleksionesh, me rastin e Konferencën Ndërkombëtare të retro-transportit që kish ndërmarrë z. Blendi Gonxhe, atë kohë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Për të katërta këto kategori koleksionesh, pothuaj të gjitha disiplina ndihmëse të studimit të historisë, Artan Lame la trashëgimi në publicistikë një sërë artikujsh përmes botimeve në revistën “Koleksionisti”, organ i Shoqatës të Koleksionistëve të Shqipërisë, si dhe në shtypin e përditshëm.

Artani, me pasionin, dijet dhe vullnetin e tij, ushqeu më të mirën tek brezi i tij dhe ai i më të rinjve. Emri dhe ndihmesa e tij e çmuar do mbetet burim frymëzimi. Një shpirt i madh si i Tanit do na mungojë, por do jetë dhe nxitje për të ardhmen. Vlerat dhe përkushtimi i tij do të kujtohen me dashuri.

 U prehsh në paqe Artan! Ngushëllime familjes për humbjen e më të dashurit njeri të tyre!

*(Bajram Peçi- Ish-kryetar i Shoqatës të Koleksionistëve të Shqipërisë, redaktor i Revistës “Koleksionisti”)

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?