Ka ndodhur kjo së fundmi me caktimin e trupit gjykues për aferën “Partizani”. Sapo është shpallur përbërja, një lumë akuzash, me të drejtë, vërshoi mbi gjithë sistemin e drejtësisë. Ajo që duket qartazi në paragjykimin e trupit gjykues është (për rrjedhojë) dyshimi nëse ky trup do jetë i aftë të marrë një vendim të drejtë dhe objektiv?!
Le ta marrim të mirëqenë korrektësinë e kancelarit në vëzhgimin e procesit dhe të sekretarisë së gjykatës në hedhjen e shortit. Problemi qëndron te gjyqtarja speciale dhe dy anëtarët, që dalin se kanë lidhje fisnore ose klanore, madje politike me Sali Berishën dhe pjesëtarë të familjes së tij, gjëra që procesi elektronik i shortit nuk ka si i di, nuk i njeh dhe nuk i merr parasysh!
Ligji parashikon në rastet kur ka konflikt interesi se vetë anëtari i trupit gjykues mund të kërkojë me shkrim të tërhiqet nga çështja. Nëse kjo s’ndodh, vetë prokuroria mund të kërkojë ndryshimin e trupit gjykues kur vren se mes palëve ka njohje e lidhje të tjera! Nëse edhe kjo s’ndodh, paragjykimi i vendimit të njëanshëm tashmë ka marrë rrugë të pakthyeshme?
Ajo çka bie në sy është heshtja e Sali Berishës ndaj përbërjes së trupit gjykues, gjë që ndodh në kundërshtim me praktikat e deri tanishme kur shprehet ngutshëm, vrullshëm e me pasion, në çështjet penale ose civile të tijat, të familjes ose të partisë familjes! Si prej “arshivës” nën zotërim ashtu dhe nga komisioni i baltosjes, që ka të atashuar ngaherë pranë vetes ose TV së familjes, nuk është hedhur deri tani ndonjë top balte mbi trupën. Çuditërisht nuk ju është bërë biografia e tyre dhe e familjes dhe ende nuk janë gjetur nofkat fyese! Kjo sjellje e bën edhe më shumë dyshuese në opinion paragjykimin e trupit gjykues. Nuk ka si ndodh ndryshe sepse është vetë Saliu që e ka mësuar opinionin me të tilla qendrime!?
Sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka qenë protagonist në shtyrjes e shtetit drejt humnerës “Shtet i dështuar”. Gjithë grupi i institucioneve gjykatë, prokurori, avokati, prej të cilave buron autoriteti për të vendosur kushtetutshmërinë e ligjeve, ka qenë përgjithësisht i korruptuar dhe i papërgjegjshëm për të afruar e siguruar sundimin e ligjit në një shoqëri të lirë. Orvatja, me ndihmën edhe të aleatëve tanë, SHBA-Europë, për të ngritur një sistem drejtësie nga e para, ka qenë mjaft e dobishme, por ende e pa përfunduar nga vettingu. Pastrimi, domosdoshmërisht duhet vazhduar!
Gjyqtarët janë në zemër të një shteti kushtetues, që funksion nën sundimin e ligjit. Drejtësia në Shqipëri spikat për të keq mes vëndeve, kur nxirret përfundimi se ata nuk janë imunë ndaj korrupsionit dhe pandershmërisë. Vitet e fundit, sidomos me zbërthimin e telefonave të koduar të botës krimit, u panë se si një numër alarmant rastesh të mafjes shqiptare ishin lidhur dhe bashkëvepronin me punonjës të profilit të ulët e të lartë të policisë, me gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, të cilët kishin kaluar edhe vettingun. Regjistrimet e fshehta prej Sky Ecc zbërthyen rrjete kriminale.
“Të penduarit” Nuredin Dumani, Erjon Alibej, Henrik Hoxhaj e disa të tjerë, gradualisht zbuluan shkallën e frikshme të korrupsionit të brendshëm dhe të jashtëm në sistemin e drejtësisë. Dobia që solli gjetja e mençur ligjore me të penduarit, solli zbulimin e zbardhjen e disa krimeve, por mbi gjithçka do vlerësoja bërjen publike të emrave të prokurorëve e të gjyqtarëve, me të cilët bota e krimit kish bashkëpunuar.
Në luftën kundër korrupsionit gjyqësor, dukuri mëse familjare tek ne, është thelbësore të kërkohet shmangja e trupave gjykuese të tilla, me lidhje të dyshuara familjare ose të provuara politike. Ato veçse nxisin edhe më urrejtjen mes palëve, edhe kështu siç është, tej mase e polarizuar. Janë bërë publike raste kur prokurorë “mëndjelehtë” hedhin në fb statuse politike me njëanshmëri të dukshme preferencash politike dhe dihen e njihen gjyqtarë që përkrahin kahje politike.
Të jesh gjyqtar është më shumë sesa thjesht një profesion, është vetë funksionimi i shtetit. Të jenë të pavarur është jo vetëm detyrim ligjor, por dhe detyrim moral, të lirë të marrin vendimet, duke qenë të lidhur vetëm e vetëm nga ligji e të mos ndjehen të frikësuar e të kërcënuar. Kjo, në teori, se praktikisht ndodh jo rrallë e kundërta: nuk janë të pavarur, nuk i mbështesin vendimet tek ligji! Mund të ndodhi kështu edhe për shkak të mungesës së kontrollit ose pakujdesisë në ushtrimin e detyrave kushtetuese të organit KLGJ, që në gjyqësor nuk vëzhgon proceset e vendimmarrjeve, por sidomos ndikimit të tyre përmes emërimit dhe shkarkimit të personelit gjyqësor të motivuar politikisht.
Siç kemi gjykatat ashtu do ta kemi si shtet edhe shtyllën kurrizore!? Gjyqtarët e korruptuar kanë qenë kërcënimi më serioz për një shtet si Shqipëria, ku sundimi i ligjit, veçanërisht ligjet kundër korrupsionit, nuk janë kryer dhe nuk janë zbatuar gjithnjë. Shkaku është se proceset e gjykimit kryhen nga gjyqtarë që janë vetë të korruptuar.
Nuk janë të rastit që përmenden aq shpesh këto muajt e fundit një ish prokuror dhe një ish gjyqtar, të larguar nga sistemi, që tani do i kemi si deputetë në Kuvend, ku do japin ndihmesën e tyre si juristë për t’u lënë shqiptarëve ligje që ata t’i zbatojnë.
Korrupsioni gjyqësor, siç përcaktohet nga Transparency International, duhet të paktën të përfshijë: keqpërdorimin nga personeli gjyqësor të pushtetit të besuar për përfitim privat ose përfitim personal, pavarësisht nëse ky përfitim është material ose jomaterial; çdo veprim që lidhet me informacionin ose ushtrimin tjetër të ndikimit në procesin e vendimmarrjes gjyqësore dhe ndikimin politik. Kur i lexon këto, lind vetiu pyetja: a është afera “Partizani” një krim i dyshuar me më peshë nga krime të tjera, ku e ku më të dukshme, që pasuan me grumbuj kufomash të vrarë në aferën “Gërdec” e 21 janar? Gjetja “Aksident teknollogjik” lidhet përsëdrejti me procesin që ju bë përzgjedhjes së gjyqtarëve të atij procesi.
Prokuroria jonë, edhe tani kur kemi praninë e një të “Posaçme”, nuk guxon të bëjë qoftë dhe një formulim akuze kundër personit përgjegjës dhe t'i shpjegojë gjykatës (se e ka detyrë) se çfarë krimi është kryer në Gërdec, “Aksident Teknollogjik” apo vrasje me dashje si pasojë e pangopësisë për para e pasuri, e babëzië dhe shthurrjes morale të kreut të qeverisë përmes (më e pakta) trafikut të influencës.
Provat që inkriminojnë të akuzuarin janë detajuar prej vitesh, dhe çfarë provash se (pavarësisht zhdukjes dhe manipulimit të provave, rrëzimit të fakteve dhe devijimit të ekspertizave)? Prokurori, që është një shërbëtor i shtetit, nuk duhej të vonohej në ngritjen e akuzave, pasi Gjykata e Strasburgut i vlerësoi vrasjet në 21 Janar “...si një ndër krimet më të rënda shtetërore”, duhej të mbante qendrim në emër të shtetit e jo të bindjeve të tyre politike. Druaj se i gjithë procesi i gjyqit për aferën “Partizani”, i mbushur që në krye me probleme, do i nënshtrohet kritikave... Çdo paragjykim për gjyqtarët kërcënon të shkatërrojë besueshmërinë e gjykatës.
Komente
