Amfiteatri antik i Durrësit u kthye në skenë të artit bashkëkohor mbremjen e se premtes me shfaqjen e baletit “Nga Errësira në Dritë”, kuruar nga producenti Klod Dedja.
Balerinët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit sollën në skenë një interpretim të jashtëzakonshëm, nën drejtimin artistik të koreografit Edi Blloshmi.
“Kjo është një performim ose një bashkëpunim me Teatrin e Operas dhe Baletit, me balerinë të shkëlqyer që kanë ardhur nga opera e Lionit, me tre koreograf ndërkombëtarë, jo për të bërë një shfaqje, por të ishim pranë njerëzve, pranë një publiku joartistik. Arti nuk është bërë për artistët, arti është bërë për popullin”, tha producenti Dedja.
Publiku ndoqi me interes veprat koreografike ndërkombëtare, si Critical Mass nga koreografi britanik Russell Maliphant, Cantata nga mjeshtri italian Mauro Bigonzetti dhe Intricate Threads of Humanity nga koreografi shqiptar me karrierë ndërkombëtare Erion Kruja.
“Shfaqje e jashtëzakonshme, ka tre kryevepra me 3 koreograf me famë botërore, mes tyre një shqiptar, kemi tre kryevepra, me skenë magjike dhe publik, skenë e mbushur plotë”, shprehet koreografi Blloshmi.
I pranishem ishte ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili vlerësoi shfaqjen.
“Është një shfaqje mbresëlënëse dhe më bën të ndihem krenar që BE mbështet projekte të tilla artistike në Shqipëri”, u shpreh Gonzato.
“Nga errësira në dritë” çeli siparin e edicionit të parë të festivalit multidisiplinar TAMOM – një nismë e re që synon të kthehet në traditë kulturore.
Komente
