Politikë

Balla: Diaspora na votëbesoi për të vijuar me rrugëtimin drejt BE! ‘Këshillë’ kolegëve që kërkuan pamjet e numërimit të votave: T’ia lëmë KQZ të bëjë transparencë

20 Maj, 12:18| Përditesimi: 20 Maj, 13:27

  • Share

TIRANË- Drejtuesi politik i PS për diasporën, Taulant Balla ka falënderuar të gjithë emigrantët shqiptarë që i besuan votën Partisë Socialiste dhe Edi Ramës për të vijuar me rrugëtimin historik të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Në një komunikim për mediat, nga Parku Olimpik ku prej 9 ditësh vijohet me numërim e votave të diasporës, Balla tha se 2 në 3 emigrantë zgjidhën të votojnë PS dhe kjo sipas tij u jep frymëzim për të punuar më shumë.

“2 në 3 votues nga jashtë i kanë dhënë besimin Ramës dhe PS për ta përmbyllur këtë rrugëtim historik të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Menjëherë pas zgjedhjeve Tirana u shndërruar në kryeqytet europian, duke pritur samitin më të madh edhe nga pjesëmarrja e udhëheqësve. Dua të falënderoj edhe ata që nuk na votuan, të tilla janë zgjedhjet. 2 në 3 menduan se mund të jenë forca të tjera politike dhe kjo na jep frymëzimin për të punuar më shumë. Jam i sigurt që në 2029 do jenë më shumë bashkatdhetarë që do regjistrohen për të marrë pjesë për të votuar”, tha Balla.

Balla u pyet edhe për kërkesat që pesë kandidatë socialistë kanë bërë në KQZ ku kërkojnë pamjet filmike të numërimit të votave. Për ministrin, i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta bëjë këtë transparencë siç e parashikon Kodi Zgjedhor, ku KQZ përzgjedh një pjesë të kutive të votimit për rinumërim.

“Kodi i ka të caktuara procedurat. Falë përpjekje të PS kur ka qenë në opozitë, për të bërë transparencë, në një fazë të dytë është vetë KQZ që përzgjedh një pjesë të kutive të votimit, që do bëjë transparencë, t’ia lëmë KQZ ta bëjë këtë transparencë, kodi përcakton që palët që mund të bëjnë ankimime janë partitë politike.

Ajo që unë thash dhe që vlen të theksohet është që secili ka të drejtë për të kërkuar, për të bërë transparencë, por falë parashikimeve të vendosura në Kod, është KQZ që do të bëj transparencën të plotë të këtij procesi në një fazë tjetër. Palët që kanë pretendime ka një mënyrë si bëhen dhe u shpjegova, kodi parashikon që partitë kanë një proces. Ju keni qenë dëshmitarë të një debati që na vonoi. Pati një pretendim nga PD për të ndarë veçmas votat që kishin ardhur nga Greqia, e rriti kohën e numërimit. Të gjitha palët ruajnë të drejtën e tyre të parashikuar në kod sa i përket ankimeve

Secili është pjesë e një ekipi. PS respekton vullnetin e të gjithë qytetarëve, dhe atyre që na kanë besuar dhe ata që s’na kanë besuar. Falë betejave të PS kur ne kemi qenë në opozitë, nga viti 2009 kemi kërkuar të hapeshin kutitë dhe të rinumëroheshin për efekt transparence. Këtë betejë që e zhvilluam sapo na u dha mundësia e kodifikuam dhe ia kemi lënë KQZ. Mos harroni që në 2021, falë transparencës së KQZ ka pasur edhe numërues që janë ndjekur penalisht”, tha Balla.

Një këshillë e ka për të kolegët socialistë që i kërkuan KQZ pamjet filmike të numërimit të votave, kur thotë se "kërkesat për transparencë secili e ka të drejtë ta bëjë dhe si këshillë dhe si më i vjetër, po u them që këtë gjë e bën KQZ. E ka bërë në 2021, në 2023 dhe do ta bëjë sërish".

Ai shtoi se vonesa në përfundimin e numërimit u ndikua nga një kërkesë e Partisë Demokratike për ndarjen e votave të ardhura nga Greqia, gjë që zgjati procesin.  

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kalon për gjykim për dosjen Partizani, a do të ketë drejtësi?