Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, komentoi në Kuvend listën e kandidatëve të opozitës.
Sipas tij, listat janë njësoj me ato të vitit të humbjes së madhe 2013, kur Partia Demokratike humbi pushtetin.
Balla paralajmëroi opozitën se do të marrë 1 milion shuplaka më 11 maj.
"Kështu si jeni hallakatur ju sot, normale që do të jetë pak e vështirë. Unë flas për në fund të seancës. Në fakt, s'keni faj, u hallakatët që ditën e parë, imagjinoni si do të shkoni deri më 11 maj. Uroj që të arrini deri aty. Se në fakt, një gjë besoj që duhet ta themi, meqë ishte pjesë e diskutimeve gjatë gjithë ditës sot kjo çështja e listave. Ju keni ardhur më 11 maj me të njëjtën listë që u paraqitët në 2013 dhe si është ajo: bëj të njëjtën gjë, të njëjtën përgjigje do të marrësh. Më 11 maj i bie të merrni po 1 milion shuplaka, siç morët në vitin 2013", deklaroi Balla gjatë prezantimit të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 90/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, në Republikën e Shqipërisë”.
Partia Demokratike u përball me disa largime pas publikimit të listave mbrëmjen e së mërkurës, me pakënaqësi të mëdha sa i takon futjes në lista të hapura të disa emrave të njohur të legjislaturës së tanishme.
Detaji pikant nga salla e Kuvendit ditën e sotme ishte boshatisja e karrigeve nga deputetët e PD-së, ku vetëm fare pak prej tyre ishin prezent, që e kishin siguruar emrin në listën e mbyllur si besnikë të Sali Berishës. Kjo ishte edhe një shenjë e qartë e përçarjes brenda Partisë Demokratike, pasi një numër i madh i deputetëve aktualë nuk ishin në listat e mbyllura të partisë.
Komente
