Taulant Balla

Politikë

Balla: Italia, ura jonë drejt Europës, partneri strategjik i Shqipërisë dhe në ekonomi

19 Shtator, 13:26| Përditesimi: 19 Shtator, 13:29

  • Share

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mori pjesë sot në konferencën me temë “Shqipëria, Urë Mundësish, për nxitjen e investimeve italiane - Investimet Strategjike për të Ardhmen”, ku theksoi rëndësinë e partneritetit mes Shqipërisë dhe Italisë si ura jonë drejt Europës.

“Objektivat tona janë të qarta: përmbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027, nënshkrimi i traktatit të anëtarësimit në fillimvitin 2028 dhe anëtarësimi i plotë në BE brenda kësaj dekade. Ecuria e deritanishme është një arsye e fortë për gjithë këtë optimizëm. Jemi ndoshta  vendi i parë dhe i vetëm, që kemi arritur të hapim 28 kapituj brenda 11 muajve, krahasuar me vende të tjera dhe synojmë të mbyllim kapitujt e mbetur brenda këtij viti.”

68% e eksporteve shqiptare drejt BE-së shkojnë në Itali, ndërsa 42% e importeve tona nga BE vijnë nga Italia. Italia renditet ndër tre kontribuesit kryesorë të investimeve të huaja direkte në Shqipëri, me 12.7% të totalit. Në janar - mars 2025, investimet e huaja direkte kapën shifrën 362 milionë euro, një rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Vetëm në prill - qershor 2025 u regjistruan 541 biznese me pronësi të huaj, pothuaj 50 % më shumë se një vit më parë”, tha ai.

Turizmi u cilësua prej tij si një tjetër shtyllë e rëndësishme e lidhjeve mes dy vendeve.

“Vetëm gjatë vitit 2024 mbi 800 mijë turistë italianë vizituan Shqipërinë, duke e vendosur Italinë ndër burime kryesore të turizmit hyrës. Ky fluks është një urë e gjallë lidhëse kulturore dhe ekonomike që çon drejt investimeve të reja në hotele, shërbim dhe produkte lokale”, nënvizoi Balla.

Balla u ndal te diaspora shqiptare në Itali dhe komuniteti arbëresh duke njoftuar qasjen e re të Kuvendit të Shqipërisë, me një komision të përhershëm dedikuar shqiptarëve që jetojnë jashtë.

“Do të merret dhe do të ndjekë zbatimin e të gjitha strategjive, përkujdesjen e domosdoshme, qoftë të qeverisë qendrore apo atyre vendore sa u takon shqiptarëve në diasporë. Nuk do ta fsheh asnjëherë afeksionin ndaj vëllezërve dhe motrave tanë në diasporë, dhe e them me plot krenari se suksesi i çdo njërit prej tyre është sukses i Shqipërisë. Promovimi i këtyre historive suksesi është nder për ju, por edhe për Shqipërinë tonë të përbashkët. Nuk besoj që ka ndonjë diapsorë tjetër më të lidhur me vendin e vet se diaspora kuqezi”, tha Balla.

Italia do të vazhdojë të mbetet ura jonë drejt Evropës deklaroi Balla ndër të tjera në fjalën e tij.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Opozita pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës, si iu duket?