Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, ka reaguar në rrjetet sociale pas deklaratës së gazetarit amerikan Marc Caputo se Sali Berisha mund të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pavarësisht se është “non grata”.
Sipas Ballës, kjo nuk do të thotë detyrimisht se "non grata" i është hequr, dhe këtë e ilustron me shembuj kur persona të shpallur të padëshiruar nga autoritetet amerikane janë lejuar të hyjnë në territorin e SHBA-së.
"Ja disa shembuj konkretë ku persona të shpallur ose të sanksionuar nga SHBA kanë udhëtuar ose janë lejuar të hyjnë në mënyrë të jashtëzakonshme, nën rrethana të veçanta:
Ali Abdullah Saleh (ish-president i Jemenit)
Shpallur nga SHBA si i korruptuar dhe nën sanksione të OKB-së.
U lejua të udhëtonte në SHBA në vitin 2012 për trajtim mjekësor.
Kjo u bë pas një vendimi të posaçëm në nivel të lartë, me arsyetimin se ndihmonte tranzicionin politik në Jemen, një prioritet amerikan në atë kohë.
Mahmoud Ahmadinejad (ish-president i Iranit)
Balla shprehet se, edhe pse Irani është nën sanksione të gjera dhe Ahmadinejad ka qenë nën kufizime të ashpra, ai ka marrë vizë për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, në disa raste.
Kjo bazohet në Marrëveshjen e Selisë së OKB-së, që SHBA duhet t’u japë hyrje liderëve të huaj që marrin pjesë në punimet e OKB-së.
Hun Sen (ish-kryeministër i Kamboxhias)
Disa anëtarë të familjes së tij janë sanksionuar nga SHBA për korrupsion dhe abuzime me të drejtat e njeriut, por ai vetë ka udhëtuar më parë në SHBA për samite rajonale.
Deri më tani, nuk është shpallur personalisht “non grata”, por ky është një shembull se si, edhe nëse figura të afërta janë të sanksionuara, përjashtime janë bërë për arsye diplomatike.
Shembujt vazhdojnë me udhëtimin e disa zyrtarëve rusë të sanksionuar në OKB:
"Pas aneksimit të Krimesë dhe sanksioneve të vitit 2014, disa zyrtarë rusë të sanksionuar nga SHBA janë lejuar të udhëtojnë në Nju Jork për ngjarje në OKB, megjithëse me lëvizje të kufizuar dhe vetëm për punimet zyrtare. SHBA ka refuzuar disa kërkesa të tjera, por disa herë ka lejuar hyrjen për të mos shkelur marrëveshjet ndërkombëtare" përfundon postimin e tij Balla pas deklaratave të gazetarit, të cilat janë përshëndetur si një fitore dhe heqje e "non gratës" mes entuziastëve demokratë.
Komente
