Politikë

Balla: Mbështes protestën për UÇK-në në Tiranë, Berisha s’ka folur kurrë për komandantët

29 Shtator, 15:49| Përditesimi: 29 Shtator, 16:03

  • Share

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është deputeti i fundit që mori fjalën në seancën e sotme parlamentare. Në momentin që ai u ngrit në foltore, opozita braktisi sallën duke mos dëgjuar dhe përgjigjet që Balla i ktheu për të gjitha akuzat që PD-ja hodhi në sallë sot ndaj mazhorancës.

Një temë që Balla i dha rëndësi ishte dhe ajo për ekspozimin e 4 ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë, çështje e sjellë në Kuvend nga demokrati Tritan Shehu për protestën që do të mbahet më 17 tetor në Tiranë në mbrojtje të të drejtave të tyre.

Balla u shpreh se Partia Socialiste ka qenë gjithmonë krah luftës për çlirimin e Kosovës, ndërsa sulmoi dhe kryedemokratin Sali Berisha, për lidhje me Slobodan Millosheviç, ish-president i Serbisë.

Ndër të tjera ai vlerësoi Shehun si përfaqësuesi i demokratëve që foli pas kaq shumë kohësh për luftën në Kosovë dhe për ish-komandantët ushtaratë të UÇK-së.

"Është e vetmja parti që s’ka pasur luhatje ndaj luftës së vëllezërve, tani ne e mbështesim thirrjen e veteranëve dhe u bëjmë thirrje qytetarëve të marrin pjesë. Këta na vunë kusht të mblidhemi këtu ta diskutojmë. Me nismë të PS janë miratuar 8 deklarata dhe rezoluta për të mbështetur luftën çlirimtare të Kosovës. E kemi bërë detyrën. Këta kanë pasur qëndrim jo pozitiv ndaj UÇK-së dhe komandantëve që ndodhen padrejtësisht në Hagë, se nuk ka asnjë provë ndaj tyre me ato palo dëshmitarë që po serviren."

Uroj që Tritan Shehu ta ketë serioze atë që tha, sepse për herë të parë pas kaq shumë vitesh flet një përfaqësues i PD për komandantët e UÇK-së në Hagë. Jam i sigurt që Sali Berisha as nuk ka folur dhe as ka për të folur kurrë për komandantët e UÇK-së, sepse të gjithë e dimë arsyen e tij ndaj UÇK-së, për shkaqe që, atëherë Tritani bënte drejtorin e ‘Shqiponjës’ kur Berisha furnizonte me naftë Millosheviçin," tha më tej Balla në fjalën e tij në kuvend, ku u dha përgjigje disa akuzave për shkelje të Kushtetutës, duke theksuar se për çështjen e ngritur tashmë është në pritje vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ai përmendi faktin se në 13 ditë pune Kuvendi ka ngritur 11 komisione dhe ka miratuar ndryshime në rregullore për të forcuar transparencën dhe mbikëqyrjen parlamentare”, tha Balla.

Ndër të tjera ai nuk kaloi pa përmendur dhe debatin e sotëm të zhvilluar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për ndryshimin e procedurës së raportimeve të institucioneve të drejtësisë mbi rezultatet vjetore.

"Mjaft me një histori të vjetër ku mblidhen komisionet, dëgjohen, bëhet një raport, një rezolutë dhe atë s’e merr në referencë vetë instituti, jo të tjerët. Ne do t’ia ndryshojmë faqen raportimeve. Ky është vetëm fillimi, që do ketë dy komisione përgjegjës: komisioni që e ka mbuluar në mënyrë tradicionale dhe përfshirja si komision përgjegjës i Komisionit për Nismat Qytetare dhe Mbikëqyrjet e Institutit. Mbledhjet do jenë të përbashkëta. Nëse ka mosdakordësi, do ndërhyjë kryetari", deklaroi Balla.

Raportimi i institucioneve të drejtësisë zakonisht zhvillohet në periudhën e pranverës, por për shkak të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 11 maj e më pas formimi i legjislaturës së re, raportimi u shty për në vjeshtë.

Pavarësisht se raportimi për këtë vit është tashmë me vonesë, përsëri vendi se ku do të raportohet ka nxitur debat në mbledhje. Për shembull, Partia Socialiste ka propozuar që Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK të raportojnë dhe në Komisionin e Ligjeve por edhe në Kuvend, propozim ky që është kundërshtuar nga PD-ja.

K.B/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?