Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ngushëllon për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut. Ati i shenjtë i katolikëve, që mbylli sytë në moshën 88-vjeçare, sapo besimtarët kremtuan Pashkën, ishte një mik i madh i shqiptarëve. Shqipëria ishte vendi i parë që ai vizitoi në Europë kur u zgjodh pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI.
Argentinasi Jorge Mario Bergoglio u bë Papa i parë nga Amerika Latine dhe u shqua për përulësinë dhe përkushtimin ndaj të varfërve. Ai ishte një figurë unifikuese që punoi pa pushim për paqen, drejtësinë sociale dhe dialogun ndërfetar.
"U prehsh në paqe, Papa i Popullit, Papa Françesku, zëri i të varfërve i cili çeli një faqe të re për Kishën Katolike.
Papa Françesku do të kujtohet gjithmonë për dashurinë e tij për jetën, përpjekjet për paqen dhe angazhimin e pandërprerë për drejtësi dhe barazi sociale," shkruan ministri Balla në një postim në Facebook, shoqëruar me një foto që përjetëson vizitën historike të Papa Françeskut, shtatorin e vitit 2014 në Tiranë, ku mbajti dhe meshën në sheshin "Nënë Tereza".
Në Shqipëri, Papa Françesku inkurajoi forcën e dialogut ndërmjet feve, në perspektivën e së mirës së përbashkët, në një vend me shumicë myslimane, dhe inkurajoi gjithë popullin për të vazhduar në udhën e demokracisë.
“Nënë Tereza është bijë e madhe e këtyre trojeve. Paqe në shtëpitë tuaja!”, kështu u lut Papa Françesku në Tiranë më 21 shtator 2014.
Papa Francesku shkeli tokën shqiptare, plot 21 vjet pas vizitës së Papës tashmë shenjtor të Kishës Katolike, Gjon Pali i II-të.
Lajmi kryesor:
Ndahet nga jeta Papa Françesku, mesazhet e politikës shqiptare dhe udhëheqësve fetarë
Xh.D/ReportTv.al