Ministri i Brendshëm Taulant Balla mbështet idenë e ndalimit të përdorimit të rrjeteve sociale nga personat nën 16-vjeç.
I pyetur lidhur me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në Durrës ku Bedrie Loka nëna e katër fëmijëve që dhunohej nga bashkëshorti i dha fund jetës pas bullizimeve në rrjete sociale, Balla u shpreh: "Edhe kjo çështje dhe kjo ngjarje ka qenë pjesë e trajtimit të analizës sonë. Ju e dini që për rastin në fjalë, Policia e ka bërë detyrën e vetë, ka bërë referimin në prokurori."
Ministri i Brendshëm tha se ndalimi i përdorimit të tyre nga moshat 16-vjeç e poshtë, siç ka bërë së fundmi shteti i Floridas në SHBA, është një ide e mirë.
"Ky është një diskutim që nuk do të kthehet më mbrapsht dhe nuk do të lihet më në sirtar. Bën pjesë në prioritetet e mia, sa i përket mbrojtjes së jetës private të qytetarëve. Sa i takon mbrojtjes kryesisht të fëmijëve dhe të rinjve nga fenomene si bullizmi, por bullizmi nuk po njeh moshë. Jam njohur sot me një iniciativë të ndërmarrë nga një prej shteteve të SHBA, në Florida, për të vënë kufizime në përdorimin e rrjeteve sociale, pra për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën 16 vjeç. Mendoj që është një ide e mirë. Qytetarët të referojnë çdo problem me rrjetet sociale në polici. Në Durrës ne kemi një seksion të posaçëm", shtoi Balla.
"E vërteta është që ne i ndjekim dhe kemi pasur raste të suksesshme të bllokimit të faqeve nga vjen sulmi, por shkojmë përtej në bashkëpunim me prokurorinë. Këtu dua të nxis prokurorët të jenë më bashkëpunues", tha më tej ministri.
Në një deklaratë për mediat pasi mori pjesë në analizën vjetore të Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësit ministri ka folur për rezultatet e arritura në 2023 dhe për sfidat në vijim.
“Drejtoria e Durrësit dhe ajo e kufirit janë të rëndësishme. Gjatë 2023 kemi pasur rezultate të mira kryesisht në parandalimin e ngjarjeve kriminale por mos harroni se kemi pasur edhe ngjarje kriminale njëra prej të cilave është në punë e sipër duke u hetuar nga policia dhe shpresoj që të shkojmë drejt rezultateve për të vënë para përgjegjësisë personat përgjegjës. Duhet të kuptojmë që Durrësi është kryeqendër edhe e turizmit dhe vëmendja jonë është shumë e madhe. Po planifikojmë që përgjatë sezonit të ri turistik të kemi edhe mbështetjen e forcës kombëtare të sigurisë për të garantuar një sezon turistik të suksesshëm".
Balla u shpreh se, qarkullimi rrugor mbetet një prej sfidave.
"Qarkullimi rrugor mbetet një nga sfidat tonë, shqetësimi im mbetet adresimi i shkeljeve rrugore. U bëj thirrje përdoruesve të rrugës, të reflektojnë për një respektim dhe më të madh të rregullave të qarkullimit rrugor. Edhe këmbësorët duhet të reflektojnë për një respektim më të madh të rregullave të qarkullimit rrugor. Procesi i vetëpastrimit të policisë së shtetit ka qenë pjesë e diskutimit tonë. Besoj se kam qenë i qartë me të gjithë që në punë e tyre duhet të orientohen vetëm nga ligji”.
I pyetur për luftën ndaj armëmbajtjes pa leje, Balla tha se, “Durrësi kishte një performancë më të mirë krahasuar me mesataren kombëtare, të rasteve të personave të arrestuar në flagrancë me armëmbajtje pa leje. Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them, armëmbajtja pa leje është shprehja më kuptimplotë e arrogancës ndaj ligjit dhe ndaj shtetit dhe ndaj qytetarit”.
Prandaj, shtoi ai, “na duhet të bëjmë gjithçka dhe këtu kërkoj edhe mirëkuptimin e qytetarëve, të cilët ankohen nga kontrollet e vazhdueshme të Policisë, se kjo bëhet për t’i dhënë fund një historie tashmë gati 30-vjeçare të kësaj shprehje të arrogancës dhe ne do të vazhdojmë të ushtrojmë kontrolle sa të kemi mundësi”.
“Dy operacionet kombëtare qoftë “Sundimi i Ligjit” qoftë “Tempulli” kanë dhënë rezultatet e tyre, por do të vazhdojmë të gjejmë edhe mënyra të tjera dhe ndërkohë që i nxis qytetarët që të bashkëpunojnë, që qytetarët vetë të dorëzojnë armë, të cilat kanë mbetur që nga viti i mbrapsht 1997 në mënyrë që t’i shkojmë deri në fund këtij shqetësimi që unë me të drejtë e ngrita”, u shpreh Balla.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ngushëlloi familjen e nënkomisarit, Arben Pjeçi, i cili vrau veten në Komisariatin e Durrësit disa ditë më parë. Balla nënvizoi se, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë po bën verifikimet e veta dhe AMP po bën verifikimet e veta për këtë ngjarje.
“Prej atij momenti të parë, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm, kemi bërë të gjitha verifikimet tona, edhe si koleg, por edhe si qytetar, se kush janë shkaqet që e kanë çuar në atë vendim. Të them të drejtën nuk na dha mundësinë që ta merrnim në konsideratë një ankesë prej tij, qoftë për faktin që Policia e Shtetit ka qenë e detyruar të zbatojë një vendim gjykate. Por na duhet një përkujdesje më e madhe dhe një komunikim më i hapur dhe më miqësor me çdo punonjës Policie në të gjitha nivelet për të kuptuar në fakt edhe problematika të tjera, që ndoshta nuk lidhen me punën e policisë, edhe një qasje tjetër të shërbimit me psikolog”, tha Balla.
“Mos harroni asnjëherë, punonjësit e Policisë janë ata që nuk kanë asnjëherë as orar dhe më takon mua t’i jap një zgjidhje përfundimtare historisë së mospagesës së orëve jashtë orarit. Kemi bërë një zgjidhje të parë për pagesën e ushqimit, më në fund, por duhet të japim zgjidhje të tjera. Mos harroni që punonjësit e Policisë janë të parët që thirren për çdo lloj problematike. Se bie zjarr, se bie shi, se përmbytet e problematika të tjera, Policia e Shtetit është e para që mbërrin. (Edhe gazetarët). As e vë në dyshim që edhe ju keni të njëjtat le të themi, por unë nuk jam Ministri i gazetarëve, jam ministri i Brendshëm. Ju e dini që e respektoj shumë punën tuaj”, theksoi Balla.
Ministri i Brendshën Taulant Balla, në analizën vjetore të policisë së Durrësit kërkoi rihetim te ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura në këtë qark në 30 vitet e fundit.
Pjese e analizës sot në drejtorine e policisë së Durresit ishte edhe rikthimi i vëmendjes dhe rihapja ngjarjeve kriminale, kemi 56 ngjarje te renda kriminale për të cilat drejtësia nuk e ka thënë fjalën e saj”, tha Balla.
Bedrija ishte mbi 16vjec or teeeejjjjj
PërgjigjuMinister koti, nje psikolog ose dy e me shume te vendosesh ne dispozicion per policet pasi kane vertet shume nevoje!! Po ju si shtet duket qe i'a keni var ketij populli dhe te gjithe po ikin, po largohen. Se kam me partite se nuk dua tia di fare por me ju qe jeni ne krye tregoni me pergjegjesi me detyrat.si shkarkohet polici dhe nuk ndiqet nga nje psikolog e shume aspekte te tjera. Shtet koti dhe i deshtuat per kete rast.
Përgjigju