Për herë të parë në historinë e sistemit arsimor publik në Shtetet e Bashkuara, gjuha shqipe do të mësohet çdo ditë brenda një shkolle publike në New York. Ky program dygjuhësh, i pari i këtij lloji, do të zhvillohet nga Departamenti i Arsimit i Qytetit të New York-ut (NYCDOE), dhe do të fillojë në vitin shkollor 2025/2026.
Lajmi u bë publik nga Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, i cili përmes një postimi në Facebook tha se ky është një hap historik për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë Drita Gjongecaj - zv.drejtore shkolle, anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës dhe themeluese e organizatës “Children of the Eagle” - për kontributin e saj kyç në realizimin e këtij projekti.
Programi do të zhvillohet pesë ditë në javë, në gjuhën shqipe dhe anglisht, nga mësues të certifikuar nga NYCDOE dhe do të nisë në Bronx, New York.
Ky zhvillim është një arritje e rëndësishme për komunitetin shqiptar në SHBA dhe një shembull konkret se si diaspora mund të ndërtojë ura të qëndrueshme kulturore dhe arsimore mes brezave.
Gjuha shqipe dhe mësimi e trashëgimi i saj kudo te shqiptarët që jetojnë nëpër botë është një ndër platformat më të rëndësishme të qeverisë shqiptare, me programin "Mësues për Diasporën", që ka nisur me Greqinë, dhe në sajë të të cilit arsimtarët e shqipes paguhen nga Tirana dhe u mësojnë gjuhën amtare fëmijëve të lindur në Greqi nga familje shqiptare.
Komente
