Ministri i Brendshëm Taulant Balla përshëndeti Policinë e Elbasanit për identifikimin dhe shoqërimin e një të riu që u denoncua nga qytetarët se ecte me makinë me shpejtësi në zonë të banuar.
Përmes një postimi në Facebook Balla vlerësoi qytetarët që denoncojnë rastet e prishjes së qetësisë publike dhe të shkeljes të rregullave të qarkullimit nga persona të papërgjegjshëm.
“Fenomeni i rëndomtë i ecjes me shpejtësi në zona të banuara do të marrë gjithmonë ndëshkim nga forcat e Policisë së Shtetit”, shkruan Balla.
Ky reagim vjen pas një ankesë të bërë mbrëmjen e djeshme nga qytetarët, ankesë e shoqëruar edhe me video, në të cilën shfaqet një automjet që qarkullonte me shpejtësi në bulevardin "Qemal Stafa",Policia e Elbasanit ka bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të mjetit.
Për pasojë u la nën hetim në gjendje të lirë, shoferi 25-vjeçar i cili u ndëshkua me gjobë në vlerën 40 mijë lekë.