Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka udhëtuar drejt Kroacisë ku ka marrë pjesë në takimin e Ballkanit Perëndimor në kuadër të programit “Willy Brandt” të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Europian.
Çështja kryesore e trajtuar nga Balla në këtë takim ishte integrimi i Shqipërisë dejt Bashkimit Europian dhe rezultatet premtuese që vendi ka nxjerrë deri më tani me qëllim përmbushjen e synimeve për mbylljen e kapitujve në pjesën e fundit të vitit 2027.
“Duke folur për vendin tim, jam shumë krenar që Shqipëria po bën përparime të mëdha në rrugëtimin drejt familjes europiane. Ne tashmë kemi hapur pjesën dërrmuese të grupkapitujtve dhe shpresojmë që deri në Krishtlindjet e këtij viti të kemi hapur të gjitha, si dhe të përmbushim të gjitha kushtet deri në vitin 2027. Synimi ynë është që deri në Krishtlindjet e vitit 2027 të kemi mbyllur të gjitha kapitujt dhe të jemi gati për të nisur procesin e ratifikimit të Marrëveshjes së Anëtarësimit në BE gjatë vitit 2028”, tha Balla.
Ndërkohë ai risolli dhe njëherë në diskutim rezultatin zgjedhor të 11 majit, kryesisht atë të fituar nga vota e diasporës, duke thënë me bindje se ky mandat i 4-t, do të jetë ai i anëtarësimit në BE.
"Fakti që dy nga tre shqiptarë që jetojnë në diasporë votuan për ne, për Partinë Socialiste dhe për Edi Ramën, është një mesazh i qartë: ne u thamë shqiptarëve se duke votuar për PS dhe për Edi Ramën, ata votojnë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE pasi ata jetojnë aktualisht në BE", u shpreh Balla.
Balla tha se Shqipëria mezi pret të jetë pjesë e BE-së dhe shprehu dëshirën që zgjedhjet për eurodeputetë të mbahen edhe në Shqipëri në qershor 2029.
"Dua ta shfrytëzoj këtë rast për të rikujtuar edhe një ide që e kam ngritur në Bruksel kur u takuam në prill të këtij viti: duke marrë parasysh se në fund të majit ose qershor 2029 do të zhvillohen zgjedhjet europiane, padyshim do të donim të ishim gati që këto zgjedhje të organizoheshin edhe në vendet që i bashkohen BE-së."
Balla theksoi gjithashtu se Shqipëria po përparon në fushën e sigurisë kibernetike, duke sjellë si shembull Diellën, ministre për Inteligjencën Artificiale, e cila mbulon prokurimet publike.
"Është e rëndësishme për të kuptuar fakti që inteligjenca artificiale është një instrument që vendet e vogla mund ta përdorin për të shkurtuar disavantazhet historike përballë vendeve të mëdha," deklaroi Balla.
Ky takim ka për qëllim riafirmimin e mbështetjes së S&D për zgjerimin e BE-së, ndërlidhjen e sfidave rajonale me axhendën europiane, si dhe shkëmbimin e përvojave dhe ideve për reformat dhe bashkëpunimin rajonal, duke nxjerrë në pah progresin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera drejt integrimit evropian.
Komente
