Politikë

PS, gati për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore! Balla: Të adresohet financimi i partive dhe komisionerët jo politikë

6 Tetor, 12:07| Përditesimi: 6 Tetor, 14:18

  • Share

TIRANË - Socialistët i rikthehen sërish Reformës Zgjedhore dhe asaj Territoriale. Pa humbur kohë materializuan kërkesën Edi Ramës për të ngritur dy komisionet e posaçme që kryeministri u kishte gjetur më herët edhe drejtuesit. Për Reformën Zgjedhore, që do të drejtohet sërish nga Damian Gjiknuri, dy do të jenë ndërhyrjet thelbësore që socialistët do të kërkojnë me urgjencë, të tjerat mund të adresohen rrugës. 

"Në përmbyllje të mbledhjes, dua të informoj se grupi i PS do të institucionalizojë në orën 01:00 dy nisma që kanë të bëjnë me ngritjen e dy Komisioneve të Posaçme në Kuvend, i pari Komisioni i Posaçëm për Reformën zgjedhore, traditë prej shumë vitesh që në fillim të çdo legjislature grupi i PS ka qenë nismëtari i ngritjes së këtyre komisioneve të Posaçme për Reformën Zgjedhore. Uroj shumë që komisioni të udhëhiqet nga interesi i përbashkët i të gjithë aktorëve politikë në Kuvend për të përmbyllur rekomandimet e OSBE-ODIHR ndër vite, ku do të theksoja mbetet çështja e depolizitimit të Komisioneve Zgjedhore, duke risjellë në vëmendje edhe zgjedhjet e fundit ku formacione të caktuara politike kontestuan punën  e komisionerëve apo numëruesve të tyre vunë në dyshim cilësinë e punës së tyre.  PS mbetet partia që ndër vite e ka mbështetur çështjen e depolitizimit. Kam theksuar se ndër çështjet që duhet të adresojë Komisioni i Posaçëm i  Reformës Zgjedhore me urgjencë mbetet rritja e transparencës së fushatave zgjedhore dhe të partive politike. Mund t’iu them se është bërë punë e mirë me shumë ekspertë të atashuar ndër vite. Ligji për financimin e partive politike bën pjesë në detyrat e shtëpisë dhe duhet realizuar brenda këtij sesioni. ", tha Balla. 

Madje, PS ka nisur të mendojë jo vetëm për zgjedhjet e brendshme por edhe për ato të Parlamentit Evropian. 

“Çështja e dytë, ndoshta për disa duket si futuriste, por duhet adresuar në këto ndërhyrje të radhës që do të bëhen në Kodin Zgjedhor. Duhet të kemi nenet përkatëse ose draftin gati të republikës së Shqipërisë sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve për PE, sepse në pritshmëritë tona po afrohet momenti ku duhet të ketë edhe anëtarët e vet në PE.", shtoi ai. 

Thuajse 10 vite nga ndryshimi i Hartës Territoriale të vendit, socialistët besojnë se ka nevojë për një të re, që këtë herë do t’ia besojnë Arbian Maznikut, ish-ministrit të Pushtetit vendor. Nëse do t’i qëndrojnë variantit të parë, shkojmë drejt reduktimit të numrit të bashkive. 

“Tani, unë këtë përgjigje që ju sapo cituat e kam thënë para 3 vitesh dhe para 3 vitesh kam thënë që të paktën duhen bërë 10 vjet nga zbatimi. Ja që u bënë 10 vjet! Kështu që është e thjeshtë përgjigjja. Mendoj që ka plot çështje të cilat duhen adresuar dhe mos harroni që jemi në një fazë përmbyllëse edhe të procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe është koha e duhur për ta bërë.", tha Balla. 

Komisionet e posaçme kërkojnë bashkëdrejtim me opozitën, të cilës Balla i drejtoi një thirrje publike. 

“Unë do t’ja bëj këtë ftesë edhe drejtpërdrejt tre kryetarëve të grupeve parlamentare të opozitës, për të filluar punën menjëherë dhe ju lutem të mos ta paragjykojmë punën e këtij komisioni. Partia Socialiste, grupi i saj parlamentar do të atashojë si anëtar të përhershëm pranë këtij komisioni të posaçëm, ekspertë më të mirë, deputetë, njohës të fushës së pushtetit vendor.", theksoi ai. 

Në 2015-tën, Lulzim Basha i la socialistëve fushën bosh dhe reforma territoriale, sot me 61 bashki u hartua sipas propozimit të tyre. Në 2021-shin opozita kërkoi sërish rishikimin e saj duke propozuar rritjen e numrit të bashkive në 80. Më 83 votat e tyre dhe mandatet e PSD socialistët e kanë shumicën e cilësuar dhe duket se do të shkojnë drejt miratimi të propozimit të tyre.

Ora 12:22
Komisioni i Reformës Territoriale, Balla thirrje opozitës: Të fillojmë punën


Kreu i grupit Parlamentar PS-së Taulant Balla, gjatë një prononcimi për mediat, tha se Reforma Territoriale, e cila është bërë 10 vite më parë do të rishikohet.

“Unë këtë e kam thënë pra tre vitesh dhe iu kam thënë që duhet bërë 10 vite nga reforma e parë. Ja u bënë 10 vite. Pra në mirëpresim propozime. Mos harroni që jemi në fazën mbyllëse të negociatave me BE”, tha Balla.

Ndërsa bëri me dije se pritet të ngrihet Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale, Balla pati edhe një thirrje për opozitën që të mos e bojkotojë dhe të ulen bashkë që të nisin punën. 

“Të dyja këto komisione janë të rëndësishme për Kuvendin e Shqipërisë. Uroj që grupet parlamentare të opozitës dhe deputetët e pavarur që të formojnë vakancat për këto reforma. Ju e dini që nëse ne do të propozojmë uljen, ata do të propozojnë ngritjen. Ju jeni një institucion që ne duhet të komunikojmë me palën tjetër. Unë nga këtu po i bëj një ftesë tre kryetarëve të grupeve parlamentare të opozitës që të fillojnë punë dhe ju lutem mos e sulmoni punën e këtij institucioni. PS do të dërgojë ekspertët e saj më të mirë në këtë komision”, shtoi ai.

Ndërsa sa i përket projektligjit të barazisë gjinore, ku kuota e 50% grave dhe 50% burrave duhet të plotësohet brenda 10 viteve, Balla shtoi se do të ketë diskutime në komision parlamentar.

“I takon kuvendit dhe në kemi pjesën më të madhe të tij nga zgjedhjet e 11 majit, dhe t’i shohim do ti baraspeshojmë të gjitha propozimet, por do të ketë edhe ndryshime. Pjesa që përmendet ju, vlen më shumë. Edhe them të drejtën, për PS, e cila ka nismëtarja për barazinë gjinore në Këshillat Bashkiakë. Ne për funskionalitetit e brendshëm në PS, e kemi të nevojshëm, por edhe këtu le të lejmë diskutimet në komisione.”, tha Balla.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD pritet të mbështesë kandidatë të pavarur në 6 Bashki, si e vlerësoni?