Balla: Po vijojmë konsultimet për Amnistinë Fiskale, do marrim rekomandimet më të mira nga BE! Heinrich: E pashë nga afër se qytetarët mbështesin procesin e integrimit europian

28 Tetor 2022, 09:51| Përditesimi: 28 Tetor 2022, 10:29

  • Share

Qeveria po vijon konsultimet për Amnistinë Fiskale. Kështu bëri me dije kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla në një deklaratë për mediat me Gabriela Heinrich, kryetare të grupit parlamentar të partisë gjermane SPD. Balla u shpreh se ende nuk ka një draft, por thekson se amnistia fiskale nuk është e ndaluar ndaj do të marrin rekomandimet më të mira nga BE, ndonësa nisma është kritikuar nga ndërkombëtarët. 

"Ne do të vijojmë të konsultohemi për Amnistinë Fiskale dhe do të kemi draft në bashkëpunim me BE. Nuk është e ndaluar por duhet bërë në rekomandimet më të mira nga BE. Nuk ka ardhur ende në parlament drafti, ndaj kini durim. E rëndësishme të kuptojmë se në këtë situatë të vështirë ekonomike të shkaktuar nga inflacioni i luftës, të gjitha qeveritë mundohen të sigurojnë të ardhura shtesë për efektet e krizës. Amnistia fiskale është për t’u ardhur në ndihmë atyre që kanë më shumë nevojë", tha Balla.

Ndërsa Gabriela Heinrich që ndodhet në Tiranë prej 2 ditësh shprehet se erdhi që të krijonte bindjen se sa mbështetet procesi i integrimit europian. Heinrich u shpreh se ka ende pika për të cilat duhet punuar, por Shqipëria ka treguar se po punon ndaj procesi mund të jetë akoma më i shpejtë.

“Ishte e rëndësishme të vija në Shqipëri dhe të krijoja bindjen se me cfarë entuziazmi shoqëria civile, qytetarët ndjekin dhe mbështesin procesin e integrimit europian. Ata janë të angazhuar me gjithë zemër. Gjatë 2 ditëve kam pasur shumë takime. Kemi pasur synim të intensifikojmë bashkëpunimin mes nesh. Kjo është shumë e rëndësishme. Duam të intensifikojmë marrëdhëniet tona. Brenda partisë mund të përmirësojmë disa gjëra. Ajo çka për mua është e rëndësishme është se Shqipëria na ka treguar se me motivimin e vet, procesi mund të jetë dhe më i shpejtë. Ky proces nuk do të jetë i lehtë, ama vetëdija se do të sjellë përmirësime është proces i rëndësishëm dhe besoj se është avantazh shumë i madh për këtë vend. Pata mundësinë të takohesha dhe me një delegacion të grave të PS. Marrëdhëniet janë bërë shumë të ngushta. Dhe grupi i miqësisë është një instrument shumë i rëndësishëm. Ka shumë sfida ku duhet të punojmë paralelisht”, tha Heinrich.

Balla u shpreh se marrëdhëniet diplomatike me Gjermaninë janë në nivelin më të lartë historik. Kryetari i grupit parlamentar të PS u shpreh se së shpejti do të vijë në Tiranë dhe kancelari Scholz dhe presidentin gjerman.

“Gjej rastin edhe një herë, që të falenderoj miqtë gjermanë për prezencën e tyre. Nuk hezitoj asnjëherë të kujtoj që Gjermania mbetet financuesi kryesor, përsa i përket rrugës evropiane të Shqipërisë. Kjo mbështetje gjermane, sot vjen edhe në një moment tjetër, të një niveli shumë të lartë, më i larti historik i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Në një kohë të shkurtër do të kemi në Tiranë, edhe presidentin gjerman, edhe kancelarin. Është një shprehje e një niveli shumë të lartë shkëmbimi diplomatik”, theksoi ai.

Ndër të tjera kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh se me opozitën kanë ende disa çështje për të zgjidhur, mes të cilave Reforma Territoriale, për të cilën nuk kanë gjetur dakordësi. PD kërkon 94 bashki ndërsa mazhoranca është e bindur se harta e re territoriale që i shërben vendit është me 61 bashki.

“Ne mundohemi që të kemi komunikim normal, dialog konstruktiv me opozitën dhe është gjithmonë i dobishëm në demokraci. Kemi disa çështje që duhet t’i zgjidhim bashkë me opozitën. Bindja ime ka qenë që mazhoranca dhe opozita për çështjet e rëndësisë së punës parlamentare duhet të kenë komunikim. Ka pasur komision të posaçëm parlamentar për Reformën Territoriale. Do kemi debat të hënën pasdite për këtë çështje. Në fund secili do të shprehet dhe do të kemi komunikim me ju të hënën pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS për të dhënë vendimin përfundimtar për këtë çështje”, tha Balla.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?