Politikë

Balla: PS bën shtet! Komisionerja Kos e tha shumë qartë, Shqipëria do të jetë vendi i 29-të anëtar i BE në vitin 2029

3 Maj, 12:51| Përditesimi: 3 Maj, 13:10

  • Share

Nga Njësia 8 në Tiranë, Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, vendosi në qendër të fjalës së tij dy çështje kyçe për qytetarët: rruga drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe mbështetja konkrete për pensionistët.

“Të martën foli komisionerja e BE-së, Marta Kos, e cila tha shumë qartë: ‘Shqipëria do të jetë vendi i 29-të anëtar i Bashkimit Europian në vitin 2029.’ Është një moment historik, sikurse është edhe një dritare e vogël aty që mund të mbyllet nëse ne përsërisim gabimet e së shkuarës. Kush janë gabimet e së shkuarës? Imagjinoni sikur një fraksion të çoni në atë imagjinatën tuaj, ta rikthesh Bufin jo 4 vjet, por 6 muaj. Do të kesh të njëjtën xhungël që iu desh Edi Ramës dhe Mimi Kodhelit në Bashkinë e Tiranës shumë punë për ta pastruar. Në ka diçka që i shkon për sinonim Partisë Socialiste është ‘Partia Socialiste e Shqipërisë bën shtet.’” u shpreh ai.

Një tjetër çështje e ndjeshme për të cilën Balla ndaloi gjatë ishin pensionet, duke thënë se Partia Socialiste po jep për moshën e tretë më shumë se të gjitha qeveritë bashkë.

 “Por mos harroni asnjëherë që kjo qeveri është qeveria që jep më shumë për pensionet se të gjitha qeveritë të marra bashkë. Më shumë se 250 milionë euro nga buxheti i shtetit, në kundërshtim dhe me rekomandimet e FMN-së, i jep qeveria jonë vit për vit për të mbushur sadopak. Nuk po fus këtu pjesën që jep si bonus. E dhamë dhe bonusin e pranverës. Do të na ecin gjërat mbarë. Do të kemi përsëri bonus këtë vit, sikurse është tanimë i vendosur dhe bonusi në fundvit. E pra, kjo është qeveria e Edi Ramës”, tha Balla.

Balla u shpreh krenar që ia kemi mbërritur ditës që Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Shqipëria jonë të jenë sot forca udhëheqëse në kohë të vështira për globin, ndërsa opozita mendon vetëm për konspiracione paszgjedhore për të përligjur disfatën e pritshme.

“Shqipëria sot nuk mund të humbë dot asnjë minutë. Imagjinoni që me të mbyllur zgjedhjet të dielën e 11 majit, në datë 12 rezultatin. Tani e dini, në 12 pasdite, diku nga ora 7 pasdite, do dalë dhe bufi dhe do të thotë që kjo ishte grabitja më e madhe elektorale në këto 34 vite. Kemi bërë gati dosjen e madhe të fakteve me manipulimin e madh që ka bërë Edi Rama bashkë me Taulant Ballën në diasporë edhe me Mimi Kodhelin te Njësia 8 dhe do t’ia nisim këtë atyre. Po se kujt do ia nisë, nuk e di, sepse të premten, pas të dielës së 11 majit, do të jenë në Tiranë gjithë udhëheqësit e botës, të paktën të Europës demokratike. Edhe kështu që nuk ka kohë bota dhe Europa të merret me ta”, shtoi ai.

Balla tha se nuk ka asnjë ofertë tjetër më të mirë se sa oferta e PS-së dhe, siç e thotë shpesh Edi Rama: “Ndoshta ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka.”

“Dhe këtu kam dhe porosinë e fundit që t’ua thoni disave nga ata që thonë: se ia kam pas dhënë PD-së, tani juve nuk ua jap. Hajt se po e çoj... Te kush do ta çojë? Te ata që ka pjellë Bufi, se nga Bufi kanë dalë edhe Shehaj, ky Luli po e po. Ai tjetri po dihet. Kështu që nuk ka tjetër këtu. Se e dëgjoj shpesh janë partitë e reja. Kush janë partitë e reja? Më thoni cila nga këto është parti e re? Cila është partia e re? Se partia e re është një parti që krijohet nga njerëz që realisht nuk kanë qenë më përpara në një aktivitet tjetër politik apo ndonjë forcë tjetër politike. Ajo është parti e re. Po ti, nëse dikur e nise në 2013 si kryetar i Forumit Rinor të Kreshnik Spahiut dhe sot na vjen dhe na thua që unë pas 12 vjetësh jam kryetar i partisë re?”

Balla u kërkoi qytetarëve që ta bëjnë natën ditë dhe të shkojnë derë më derë të Njësisë 8 dhe gjithë Tiranës dhe t’u flasin atyre hapur se është në të mirë të kryeqytetit e të Shqipërisë që Edi Rama dhe Partia Socialiste të vazhdojnë ta udhëheqin vendin në këtë moment historik për Shqipërinë.

Xh.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a e keni vendosur për cilën parti do votoni?