Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, zhvilloi një takim me raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder.
Gjatë takimit Balla dhe Schieder diskutuan mbi perspektivën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
"Shqipëria anëtare e Bashkimit Europian brenda vitit 2030 ishte tema kryesore e bisedës me raportuesin Andreas Schieder", deklaroi Balla pas takimit.
Transformimi që ka pësuar Shqipëria në drejtim të sundimit të ligjit dhe luftës kundër pandëshkueshmërisë, është dhe një nga kriteret kyçe të procesit të integrimit.
"Kur morëm detyrën, Shqipëria konsiderohej botërisht 'atdheu i pandëshkueshmërisë'. Barazia para ligjit ishte një fjalë boshe dhe sistemi i drejtësisë, një sistem padrejtësie", tha Balla.
Reforma në drejtësi, sipas tij ka ndryshuar rrënjësisht dhe perceptimin dhe funksionimin e institucioneve.
"Ne i dorëzuam drejtësisë shpatën e ndëshkimit për më të fortët, e cila mbahej nga pushteti politik qysh prej krijimit të shtetit shqiptar. Dhe për herë të parë në historinë e Shqipërisë, u çel kapitulli i hetimit dhe ndëshkimit të të pandëshkueshmëve nga një drejtësi e pavarur prej pushtetit politik. Ne do të jemi deri në fund garantët e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë", u shpreh ai në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook.
Balla garantoi se Partia Socialiste mbetet e vendosur të mbrojë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe të çojë përpara procesin e integrimit europian.
Postimi i Taulant Ballës në Facebook
Komente
