Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, nga Veria e Greqisë ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë në veriun e vendit fqinj e që nuk janë regjistruar për të votuar me postë, të vijnë më 11 maj të votojnë në Shqipëri.
“Ju presim të gjithëve, ju që nuk u regjistruat dot për të ardhur në Shqipëri dhe të votoni në zgjedhjet e 11 majit. Ju e keni bërë gjithmonë detyrën tuaj, e bëtë në qershor të vitit 2013 për t’i dhënë Shqipërisë ndryshimin e madh.Tani është e njëjta votë historike, më e rëndësishme, sepse ky mandat është mandati i Shqipërisë, anëtar i Bashkimit Europian”, shprehet Balla.
Nga Veria, ku përshëndeti bashkatdhetarët shqiptarë që jetojnë në veri të Greqisë; Kavalla, Halkidhiki, Nausa, Aleksandria, Larisa, Katerini, Kozana, Kastoria, Follorina, Balla u ndal edhe te përfitimet konkrete që do të sjellë anëtarësimi në BE:
“Imagjinoni, nuk do të kemi më histori letrash, histori dokumentesh të vonuara siç e thua, por do të kemi pasaportën e Bashkimit Europian dhe fëmijët tuaj do të kenë të drejta të studiojnë, të punojnë kudo, në çdo vend të Bashkimit Europian. Prandaj ju presim më 11 maj për të votuar numrin 5 për Shqipërinë Europiane”, vijoi kreu politik i PS për Diasporën.
Mesazhit të tij iu bashkua edhe një emigrante shqiptare, e cila theksoi simbolikën e kësaj vote:
“Mos harroni, jeni brezi i parë që i hapi rrugën Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Tani është momenti historik për ta finalizuar. Vetëm me një votë! Nisuni drejt Shqipërisë. Të dielën votojmë numrin 5.”
Ajo e quajti “pesën” si pasaportën drejt Europës, që forcon jo vetëm krenarinë kombëtare, por edhe identitetin europian të shqiptarëve.
“Mos harroni, e diela është e jona!”, përfundoi ajo, duke e kthyer mesazhin në një thirrje për bashkim dhe pjesëmarrje.
Komente
