Erinda Ballanca, sot në Komision
Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca u pyet edhe nga deputetët anëtarë të Komisionit për Çështjet Ligjore, në lidhje me disa problematika të ndryshme, përveç dëgjesës për buxhetin e vitit 2025.
Fillimisht ishte deputetja demokrate Dhurata Çupi që pyeti nëse kishte një raport se si bëhet ky buxhet dhe që nuk adreson çështjet e minimit jetik, apo të pensioneve?
“Kemi dhënë mendime me shkrim në lidhje me buxhetin në Komisionin e Çështjeve Sociale, për të thënë që ka çështje që nuk kanë gjetur zgjidhje në këtë buxhet, siç është minimumi jetik, indeksimi i pensioneve dhe i ndihmës ekonomike. Kemi pasur indeksim të pensioneve, pavarësisht masës, por jo të ndihmës ekonomike. Shqetësime që i kemi ngritur në komision dhe që duhet të trajtohen”, u shpreh Avokatja e Popullit.
Kurse deputeti republikan, Fatmir Mediu e zhvendosi fokusin në një çështje më të hershme, ndërhyrjet policore në Kampin e Muxhahedinëve në Manzë.
“Para disa kohësh ka pasur një ndërhyrje flagrante të policisë në kampin e iranianëve, ka pasur një qëndrim nga ana juaj për rastin? Sepse u mbulua sikur kishte një sekret shtetëror?”, pyeti ai.
Ballanca tha se autoritetet e kampit atje nuk e pranojnë institucionin e saj që të futen brenda territorit.
“Autoritet e kampit nuk e pranojnë Avokatin e Popullit. Sa herë në kemi pasur kërkesë-ankesa ata nuk kanë pranuar të futemi brenda. Në rastin konkret nuk ka pasur një ankesë nga ana e tyre dhe unë me kënaqësi nuk e kam ndjekur rastin e tyre. Sepse është çështje reciprociteti. Nëse ata më parë nuk e kanë pranuar autoritetin tonë, kur kemi pasur shqetësime nga dhjetëra familjarë të personave që ndodhen brenda kampit, që kanë pasur pretendime se fëmijët e tyre mbahen me forcë. Dhe kemi pasur raste kur kemi dashur të shkojmë dhe të kërkojmë informacione, por kemi pasur zero akses dhe liri. Me qëllim nuk do të kisha vijuar një hetim, për çështje të reciprocitetit”, shpjegoi Ballanca.
Lajmi kryesor:
Çështjet Ligjore/ Debate për buxhetin, deputetja e PD-së sulmon Gjykatën Kushtetuese: Duhet ta rrëzonit marrëveshjen antikombëtare Rama-Meloni! Bushka: Respektoni vendimet e Drejtësisë
A.Q/ReportTv.al