Sali Berisha duhet të dorëhiqet nga Partia Demokratike pas humbjes së zgjedhjeve, duke respektuar statutin e partisë dhe bashkë me të edhe Flamur Noka dhe kasta drejtuese.
Kështu u shpreh sot në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, kandidatja e Primareve në Elbasan, Alesia Balliu, e cila tha se do vendosë edhe kandidaturën për të garuar për kreun e partisë, pasi në PD duhen bërë zgjedhje të reja pas humbjes më 11 maj.
Ajo e cilësoi PD-në si partinë e “humbësve serialë dhe pleqve dështakë”. Kurse analisti Arben Meçe tha se Berisha krijon qëllimisht artifica politike dhe situata krize, madje sa të jetë ai në politikë, Parlamenti nuk do gjejë kurrë qetësi.
“Çfarë mesazhi jep PD-ja me kërkesën e rinumërimit të votave në Tiranë dhe në Fier. Unë jam e mendimit që nëse ka pasur shkelje të arrestohen nga SPAK, gjithmonë nëse ka. Këta po akuzojnë për vjedhje votash brenda PD-së njëri-tjetrin. I qëndroj deklaratave të mia si një emër i ri. Si kandidaturë kërkoj hapjen e partisë. Nuk mund ta lëj PD-në në dorën e disa pleqve dështakë. Njerëzit me kontribute i lanë jashtë për të futur Roshin në listë. Koha e këtyre pleqve ka mbaruar, partia duhet hapur, të ketë garë. Kaq e pamundur është që PD të mos ketë lidership të ri, reale, një të djathtë që të mos jetë e shitur”, tha Balliu.
Ajo i quajti humbës serialë drejtuesit e PD-së me në krye Berishën dhe të paaftë për të fituar zgjedhjet nga 2013, ku regjistrojnë 10 dështime radhazi.
“Janë të paaftë për të pranuar humbjen dhe realitetin dhe të bëjnë analizën e zgjedhjeve. Kanë vetëm 45 deputetë se 5 i kanë aleatët, këto janë kundër garës dhe statutit, janë kundër gjithçkaje, ishin të përgatitur për të humbur, ndaj futën edhe Roshin. E vërteta e këtyre është se janë humbës serialë dhe dështakë. Nga 2013 e deri tani, janë 10 palë zgjedhje. Berisha është i gëzuar, fitoi legacinë për të qenë partia e dytë në vend. Berisha duhet të dorëhiqet, e thotë statuti. PD e certifikoi vetë humbjen e saj. Neni e ka të shkruar, duhet të dorëhiqet. Aty shoh se nuk ka iniciativë dhe alternativë. Duhet ë ketë zgjedhje, të formatohet e djathta, të mos kalojë nga humbja në humbje. Ata që s’duan ikjen e Berishës, duan Ramën në pushtet”.
Ajo u shpreh e gatshme që të hedhë kandidaturën për PD-në, por jo që të përsëritet farsa e Primareve si një ‘patericë’. Kandidatja e Primareve në Elbasan theksoi se edhe Aulon Kalasë në Durrës iu vodhën votat që të bëhej deputet njeriu i preferuar i familjes Berisha, sepse ashtu ishte dhënë urdhri.
“Unë jam e gatshme t’i bashkohem çdo gare që sjell zhvillim dhe kundër një gare që është farsë, siç eprovova njëherë me Primaret. Nëse do jetë për shpresë ndaj shqiptarëve do jem aty, nëse do jetë për patericë e pleqve dështakë, nuk mund të jem pjesë e asaj fasade dhe e humbjes së radhës. Zëra kritikë ka shumë, edhe nga deputetë aktualisht të zgjedhur, që bëjnë fajtorë kupolën aktuale të PD-së për dështimin. Të respektojë statutin që thotë se kryetari që humbet zgjedhjet, jep dorëheqjen. Por ato zëra nuk duhet të bëhen paterica të Berishës dhe pleqve dështakë atje. Edhe Aulonit iu vodhën votat brenda partisë në Durrës sepse ishte i preferuari i familjes Berisha, ish-prokurorit Arjan Ndoja. Nga informacionet që kam është se u punua për të, sepse ishte kërkesë e familjes Berisha që të bëhej deputet. Kanë bërë edhe denoncime dhe kallëzime në SPAK, me iniciativë vetë ata, pa mbështetje partiake dhe duhen përgëzuar”.
Në fund ajo theksoi se bashkë me Berishën duhet të largohet edhe kasta dështake e partisë.
“Ka dhe individë të shumtë që përgëzojnë, madje ka dhe nga ata që do kërkojnë për largimin dhe dorëheqjen e Flamur Nokës në PD. Nuk ka kuptim që të iki Berisha dhe të rrijë Flamuri bashkë me kastën. Shumë nga deputetët që janë aty kanë pakënaqësi të madhe ndaj Berishës”, përfundoi Balliu.
Kurse ish-deputeti i PD, Arben Meçe, theksoi se Berisha krijon artifica të qëllimta për të mbajtur vendin dhe Parlamentin në krizë, teksa për këtë qëllim të tijin personal, po u rreikon burgun edhe komisionerëve dhe numëruesve të partisë.
“OSBE dhe ODIHR thanë se ishin zgjedhje të realizuara më së miri në planin teknik. Numëruesit dhe komisionerët e PD-së tani rezikojnë edhe procedimin penal dhe arrestimit, këta hyjnë edhe në një proces penal nga ana e SPAK. KAS e rrëzoi ankimimin e kandidatëve, por tani u futën në një procedurë të re. Dy anëtarë të KAS që dalin e vendosin veton. PD po përdor të gjitha instrumentet e veta, për të bllokuar rezultatin, procesin dhe mekanizmin e zgjedhjeve. Këta duan mekanizëm bllokues, që në shtator të rikthehen me kauza e incidente, për ankimimin e madh që do paraqesë te ndërkombëtarët dhe për kolaps zgjedhor. Por faktikisht ai nuk ka asnjë instrument prove në dorë, nuk ka asnjë fakt. Provat ndodhen të procesverbalet që implikojnë pikërisht anëtarët e PD-së”, tha Meçe.
Meçe shpjegoi se lëvizja e fundit e kreut të PD-së në Bruksel ishte një iniciativë me qëllim krijimin e krizës, i ndihmuar edhe nga politika greke në PPE-të euriopiane.
“Partitë nuk ngrejnë dot misione faktmbledhëse në Shqipëri, siç po bëjnë PPE-të ku shkoi Berisha, ku të përfshirë dhe iniciatore është edhe partia greke Demokracia e Re. PPE-të mund t’ia sugjerojnë apo kërkojnë Parlamentit Evropian, por ato vetë s’kanë të drejtë. Berishës tani i është pranuar hapja e kutive, atë që ai ia mohoi Ramës në vitin 2009. Është e drejtë ligjore, por atëkohë gjithashtu ishte e ligjshme, por u refuzua”, tha analisti për Report Tv.
Por ai mendon se me Berishën në politikë, Parlamenti s’do gjejë kurrë qetësi.
“Parlamenti s’ka për të gjetur kurrë qetësi sa të jetë Berisha atje. Ai e ka sjellë, e përdor sepse kërkon armikun. Tani armikun do e kërkojë brenda partisë, sepse e ka në planin ligjor problemin tani, kushdo nga ata që janë në PD mund ta çojë në gjykatë për statutin që ka partia, për largimin. Nuk ka lëvizje brenda PD-së, ka vetëm lëvizje të Berishës për të amortizuar zërat në parti. Edhe kur doli Basha atëhere, e kam thënë se është lëvizje e Berishës. As mos t’ju shkojë në mendje fare se do ketë lëvizje në PD. Berisha prodhon vetëm artifica”, tha Meçe.
Ai kujtoi edhe një histori të vitit 1996, kur tentoi një lëvizje për reformimin e PD-së dhe një pjesë e atyre që shpreheshin për largimin e Berishës në fraksion, shkonin të nesërmen dhe ia tregonin të gjitha atij.
“Ata njerëz që thonin të largohet Berisha, të nesërmen shkonin te Berisha dhe ia raportonin. Këta ecin me tezën “Rroftë mbreti”, pra bëhen vetë figura e shëmtuar e intelektualit. Në 30 vjet Berisha këtë ka prodhuar, ai nuk ikën nga “vrima e çelësit” dhe SHIK-ut”, vijoi ai.
Në fund ai analizoi edhe paradoksin e Berishës që sulmon bandat, teksa vetë ka futur tani në Parlament një ish-prokuror të lidhur me bandat.
“Ndoja është pjesë e grupit më kriminal në Durrës. Rrumi i Shijakut, që në kohën e Sokol Olldashit, grupi më i tmerrshëm i vjedhjeve të Gjirit të Lalëzit, me tokat, e kush i dilte kundër asgjësohej. E mbani mend investitorin libanez që e masakruan këta se nuk pranonte t’ua linte pronat. Berisha i prodhoi grupet kriminale, por nëse i ikën Berishës e shkuan të tjetri, është për shkak të tij. Por ai prokurori përfaqëson grupin më të rrezikshëm kriminal në Durrës”, përfundoi Meçe.
Komente
