KOSOVË- Kryetarja e grupit Parlamentar të Lëvizjes së Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar lidhur me nismën 'Ballkani i Hapur' siç u quajt ‘minishengeni’ në takimin e 29 korrikut në Shkup mes 2 kryeministrave, atë të Shqipërisë Edi Ramës, atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev si edhe të presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend, Kusari-Lila është shprehur se Ballkani i Hapur synon të krijohet mbi parimin e superioritetit të Serbisë, pozicion ky, siç ka thënë ajo, i keqpërdorur çdoherë nga Serbia duke abuzuar me të tjerët.
“Për të gjithë ata që sot mundohen ta arsyetojnë një ide në qendër të së cilës është Serbia, e cila u mohon qytetarëve të saj vetëm se janë shqiptarë të drejtën e jetesës në atë shtet, e njëjta Serbia e cila në vazhdimësi cenon dhe pengon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, dhe po kjo Serbi e cila blen armë dhe dron nga Rusia e mohon gjenocidin në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, menjëherë dhe çuditërisht besohet se ushqen idenë për Ballkanin e Hapur, idenë e përbashkët, këtu në këtë mes nuk janë dy botë paralele siç po e theksojnë ata që e duan minishengenin me Serbinë në qendër dhe e krijojnë Kosovën, këtu është një realitet i qartë dhe një shtet që shkel të drejtat e shqiptarëve brenda dhe jashtë saj, një iluzion se është gjendur çelësi i problemit të Ballkanit, dhe një kullë prej letre e cila do të rrëzohet nga fryma e parë hegjemoniste serbe”, u shpreh Kusari-Lila.
Më 29 korrik në Shkup u takuan kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Të tre liderët ftuan vendet e rajonit që t’i bashkohen nismës së “minishengenit”, që u pagëzua me emërtimin e ri “Ballkani i Hapur” dhe ka si qëllim të krijojë një treg të përbashkët për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në takim përveç emrit të ri të ‘minishengenit’ u firmosën edhe 3 marrëveshje lidhur me qarkullim e lirë në tregun e punës, eliminimi i barrierave për importin dhe eksportin e mallrave si dhe mobilizimin e të tria vendeve në rast të katastrofave natyrore.
3 marrëveshjet e firmosura
1. Marrëveshja për mobilizimin e të tre vendeve për sa u përket përballimit të katastrofave natyrore. Nëse një katastrofë natyrore godet një vend, do të mobilizohen të tre për të ndihmuar.
2. Marrëveshje mirëkuptimi për të lehtësuar importin dhe eksportin e mallrave. Kjo do të eliminojë barrierat dhe do të ndihmojë në rritjen e ekonomisë së vendeve.|
3. Marrëveshje për qarkullim e lirë në tregun e punës. Mundësimin e qasjes së lehtë në tregun e punës dhe marrjen e lejeve të qëndrimit.