Pas shumë vitesh në Pogradec është rikthyer kampionati ballkanik i ‘Beach Volley’ ose i volejbollit në plazh, që do të zgjasë për 3 ditë. Përveç Shqipërisë në këtë aktivitet që mbahet në brigjet e liqenit të Ohrit, marrin pjesë edhe Kosova, Turqia, Rumania dhe Moldavia, ndërsa përveç djemve garojnë edhe vajzat poshtë moshës 20 vjeç.
“Personalisht është hera e parë që marr pjesë në këtë kompeticion dhe është një event që po më pëlqen shumë me të vërtetë,”-u shpreh Santiel Kamenica, volejbollist i kombëtares U-20.
“Ne si federatë jemi shumë të kënaqur që pas kaq shumë kohësh sjellin një aktivitet ballkanik në qytetin e Pogradecit,”-tha Erlind Pëllumbi, presidenti i federatës së voeljbollit.
Ky aktivitet nuk ka vetëm rëndësi sportive, pasi në Pogradec përveç volejbollistëve ka edhe shumë staf, por dashamirës që do ta ndjekin këtë aktivitet.
“Ky është edicioni i parë pas shumë e shumë vitesh mungesë. Do jenë tre ditë aktivitet ku do ketë shumë ngjyra përveç promovimit të sportit, por do shërbejë edhe për turizëm dhe aspekte të tjera,”-deklaroi Klevic Cane, drejtor i shumësportëshit Pogradec.
Ky kampionat realizohet me bashkëpunimin e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe bashkisë Pogradec.