Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka zhvilluar në Uashington një takim me Sekretarin Amerikan të Energjisë, Dan Brouillette. Zyra e shtypit të ministrisë së Infrastrukturës njofton se në takim u diskutuan mes të tjerash 'penetrimi i gazit të lëngshëm LNG në tregun shqiptar si dhe përdorimi i tij për vënien në funksion të TEC-it të Vlorës, ndërtimi i depozitave apo dhe i një terminali për LNG në të ardhmen, që do t’a bënte Shqipërinë një pikë të shkëlqyer shpërndarje për sasitë e eksportuara të LNG nga SHBA'. Gjithashtu Balluku dhe Brouillette diskutuan mbi interesin e investitorëve amerikanë në fushën e eksplorimit të naftës, si dhe mundësinë më të gjerë të investimit në këtë sektor.
Ministrja Balluku, po sipas zyrës së shtypit, e vuri në dijeni Sekretarin Brouillete për angazhimin e qeverisë për të krijuar një klimë të favorshme për investimet e huaja përmes procedurave transparente dhe konkurrencës së drejtë. "Ajo e garantoi Sekretarin Brouillete se investitorët amerikanë do të gjejnë në Shqipëri mbështetjen e qeverisë për të bërë biznes në kushte optimale" thuhet në njoftim.
"Iniciativa të rëndësishme në fushën energjitike, të cilat mund të shërbejnë pozitivisht në nxitjen e sektorit në vend, si P-TEC (Partnership for Transatlantic Energy Cooperation), apo OCGI (Oil and Gas Initiative) janë çështje me interes të prezantuara nga Departamenti i Energjisë, të cilat po merren seriozisht në konsideratë" vijon më tej njoftimi. Takimi u zhvillua në Këshillin e Atlantikut vetëm pak ditë pasi Departamenti i Energjisë në partneritet me MIE organizoi në Tiranë një tryezë mbi hulumtimin e “Potencialit të penetrimit dhe aplikimit të Gazit të Lëngshëm Natyror në Europën Qendrore dhe Lindore”.