Kanë ngelur vetëm pak ditë nga ardhja në krye e presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe ende vijon përballja mes presidentit në largim Donald Trump dhe Joe Biden.
Të dy personalitetet mbajtën tubime në Georgia, ku zhvillohet gara e balotazhit që do të përcaktojë nëse republikanët apo demokratët do të kenë kontrollin e Senatit në Shtetet e Bashkuara, pasi në zgjedhjet e 3 nëntorit asnjë nga senatorët nuk arriti të sigurojë shumicën e për këtë arsye duhej të rivotohej.
Rezultati do të ndikojë në mënyrë dramatike tek funksionimi i legjislativit në gjysmën e parë të mandatit katër-vjeçar të Biden në Shtëpinë e Bardhë.
Nëse republikanët fitojnë ata do të mbajnë një shumicë të pakët dhe mund të bllokojnë qëllimet legjislative të Bidenit dhe të emëruarit në gjyqësor, nëse demokratët fitojnë Biden do të ketë kontroll të plotë në Dhomën e Përfaqësuesve, Senat dhe Shtëpinë e Bardhë duke lehëtsuar ndjeshëm vendimmarrjen.
Në një tubim në Atlanta, Biden tha se votuesit në Georgia "do të përcaktojnë drejtimin, jo vetëm për katër vitet e ardhshme, por për brezin e ardhshëm". Biden vuri në shënjestër Trump, duke e akuzuar atë se prej më 2 muajsh vetëm është ankuar për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të Nëntorit në vend që të përqendrohej në pandeminë Covid-19.
"Unë nuk e di pse ai ende e dëshiron punën, ai nuk dëshiron ta bëjë atë”, tha ai.
Ndërsa presidenti Trump vijoi të këmbëngulë se ka fituar shtetin e Georgias dhe se zgjedhjet e nëntorit ishin të manipuluara.
Në atë që mund të ketë qenë tubimi i fundit i presidencës ai tha: "Nëse demokratët liberalë marrin Senatin dhe Shtëpinë e Bardhë dhe ata do e marrin Shtëpinë e Bardhë - ne do të luftojmë ju garantoj".
Presidenti përsëriti akuzat e paprovuara se ai u shpall humbës në Gjeorgji vetëm pas zgjedhjeve të Nëntorit në Shtëpinë e Bardhë për shkak të mashtrimit.