Politikë

Bamir Topi në Report TV: PD funksionon si inkuizitor politik, eliminon figurat! Berisha dhe Rama janë njerëzit më të pushtetshëm aktualisht! Vendi s’ka opozitë

22 Maj, 18:06| Përditesimi: 22 Maj, 18:52

  • Share

Partia Demokratike është kthyer si një kazermë politike inkuizicioni që vazhdimisht eliminon figurat intelektuale të saj, teksa në këto zgjedhje prodhoi edhe dramën e Primareve, ku njerëzit më të votuar jo vetëm u lanë në listën e hapur për të votuar në garë me njëri-tjetrin fatkeqësisht, por që të linin edhe autoktonët e Tiranës pa përfaqësim në Kuvend.

Demokracia në Shqipëri aktualisht jo vetëm është gri, por pa ekuilibër politik, anormale dhe në duart e dy njerëzve.

Kështu u shpreh sot në “Studio Live” ish-presidenti Bamir Topi, i ftuar nga moderatori Arbër Hitaj për një analizë të thellë politike të situatës. Ish kreu i shtetit tha se Edi Rama dhe Sali berisha pas zgjedhjeve të 11 majit janë dy njerëzit më të fuqishëm në Shqipëri, që e dinin rezultatin dhe ku njëri zotëron pushtetin e kapufishëm me 83 numra dhe tjetri kontrollon PD-në dhe opozitën për interesat personale, duke luajtur me demokratët e ndershëm dhe naivë.

“Ju falenderoj për konsideratën. Po të kisha qenë zë i mençur i politikës do isha dëgjuar 17 vite më parë (2008). Por duket se në politikën shqiptare nuk ka nevojë për zë të mençur me këtë politikë aktive që ekziston. Sidomos shoqëria jonë postkomuniste e ëndërronte si askush tjetër për të kapur frutet e demokracisë, por sot vendi ynë ka probleme serioze me demokracinë. Ka një background çështjesh, historish, në varësi interpretimi. Për më tepër tani që jam dhe e shoh nga jashtë, nuk është çështje kush futet në parlament, por e partisë, infrastrukturës me zgjedhësit, pastaj sa është roli i administratës, ndërhyrjes në fushatë etj., është çështje që i takon specifikës së tyre. Ndaj një pjesë janë të qetë, sepse u ka garantuar pushtetin, kurse pjesa tjetër është e ndarë në dy role brenda vetes, lideri që ka partinë dhe ata që janë të pakënaqur sepse ky lider nuk mundësoi dot fitoren”, e nisi bisedën e tij ish-presidenti, njëkohësisht ish-drejtues i PD-së.

Për Topin panorama politike e zgjedhjeve është e qartë, me dy lider dominues, një në pushtet dhe tjetri në opozitë, që janë dy njerëzit më të fuqishëm aktualisht në Shqipëri. Ai e cilësoi demokraci hibride gri dhe realitet anormal.

“Kemi dy parti me sistem bipolar, duke rinovuar të dyja kodin zgjedhor deri edhe një vit më parë. Numri 83 është shfaqur në ekranet e medias shqiptare dy orë pas nisjes së numërimit, herë shkonte 81 dhe rikthehej, derisa në fund mbeti, pra projektohej që në fillim për rezultatin që do kishin zgjedhjet, i paralajmëruar. Madje ky rezultat është parashikuar edhe nga kryeministrit. Unë nuk merrem me sondazhet, por me realitetin. Unë mendoj se sondazishtët vijnë të paguar nga partitë politike, ka gjykuar profesionalitetin e tyre. Këta dy njerëz e shkatërruan sistemin në 2008 dhe këta janë dy njerëzit më të lumtur pas përfundimit dhe certifikimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Njëri që rrit numrat, me rezultat paradoksalisht të lartë”, u shpreh ish-kreu i shtetit.

Topi thotë se shumë njerëz e mendojnë Berishën naiv me lëvizjet që bën, por është e kundërta, pasi kreu i PD përdor njerëzit e shumtë naiv brenda partisë. Ai kujtoi misionin e rremë pas 35 vitesh të berishës me Foltoren, që në fund e përdori për interesat e tij, duke futur në lista njerëzit më besnikë dhe përjashtuar shumë të tjerë me kontribute.

“Tjetra është se si një njeri 35 vite pas hyrjes në politik të ngrejë një mision politik, për veten e tij, duke ngritur Foltore dhe deri tek goditja apo largimi i njerëzve që ishin brenda partisë deri në përjashtimin e tyre. Ky njeri erdhi bashkoi grupin parlamentar dhe kur bëri listat nxori jashtë aq sa deshi dhe mbajti vetëm njerëzit e tij dhe aktualisht dominon dhe kontrollon opozitën e partinë, kurse tjetri ka pushtetin. Kush mendon se Sali Berisha është naiv është 10 herë më naiv. Berisha ka kaluar 360 gradë në politikë, ai e ka ditur këtë situatë. Kur pyetet për nenin statutor ai nuk jep asnjëherë përgjigje”, shprehet ai për Report Tv.

Dhe Shqipëria gjendet në demokraci hibride, me pushtetet në duart e dy njerëzve, njëri me qeverinë dhe tjetri që kontrollon opozitën, tani edhe ligjërisht pas zgjedhjeve të 11 majit.

“Kjo është një demokraci hibride, e ngarkuar shumë, që nuk riprodhon, realitet gri dhe demokraci e destrukturuar. Demokraci që konsiderohet vetëm nga njerëzit që janë tifozë partish. Berisha ka monopolin e opozitës dhe Rama monopolin e pushtetit. Thashë se Berisha nuk është naiv, dhe ai duke e ditur këtë luan me ata që janë nëvivë, sepse atje ka plotë naivë. Dy janë njerëzit më të rëndësishëm në një vend aktualisht, kryeministri dhe kryetari i opozitës, kështu si është gatuar situata në vend dhe që takohen nga delegacionet ndërkombëtare. Zgjedhjet ligjëruan kryetarin e opozitës dhe ai tani dëgjohet për atë që vendos, hyn apo jo në zgjedhje, kurse tjetri dominon pushtetin, fituesi i zgjedhjeve dhe që kontrollon pushtetin. Kurr rriten edhe numrat, rritet edhe kontrolli”, thotë ai.

Topi sheh shumë animali dhe bipolaritet, kurse brenda PD-së vëren vetëm eliminim të intelektualëve, proces shkatërrues brenda partisë që nga themelimi i saj.

“Kjo do të thotë një anomali për demokracinë në Shqipëri. Kjo është dëshmi e qartë se ky vend nuk ka opozitë, ose është tërësisht e bllokuar. Politika është kënetë ku rriten dhe shumëzohen mikrobet dhe që rreikon të kthehet në epidemi. Në kënetë nuk ka vetëm bufa, por edhe zhapikë, insekte, zhaba etj. Në PD ka një sistem eliminimi, të elitës intelektuale, ky proces zhvillohet atje. Demokraci brenda një partie që përfundon në regres. Madje edhe përpilimi i listës së deputetëve ka qenë rezultat i tipit të marrëdhënieve pazar, jo me lekë, por pazar politik, që PD-së do i kushtojë shtrenjtë edhe me aleatët. Sepse kryetarët e partive aleatë janë jashtë parlamentit tani. Nuk do jenë më Meta, Idrizi dhe Duka”, analizon ish-presidenti.

Ai e krahason PD-në me një “inkuizicion politik” dhe se “berishizmi nukdo largohet kurrë nga PD”.

“Në PD ka funksionuar inkuizicioni politik në çdo kohë. Largimi i Berishizmit nga politika nuk do ndodhë, madje 50 deputetë opozitarë nuk janë pak. Berisha është i vetmi intelekutor i Edi Ramës. Nuk mendoj se do ketë frymë dhe zëra në PD, sepse është lista e besnikëve, të listës së mbyllur. Nëse do lindë diçka në politikë, do lindë nga jashtë PD-së. Nuk pres, nisur nga eksperienca dhe logjika e ngjarjeve, ai është i vetëm si intelekutor, ka pozicion të fortë edhe si opozitë, më beso, gjithmonë ka pasur pushtet opozita”.

Ora 18:49
Ish-presidenti: Situata në PD është dramatike, janë kthyer si kazermë politike! E turpshme, autoktonët e Tiranës dhe më të votuarit e Primareve i lanë jashtë Kuvendit

Ish-drejtuesi i Partisë Demokratike dhe ish-kreu i shtetit Bamir Topi, gjatë intervistës për Report Tv ditën e sotme, trajtoi edhe problematikën politike të mospërfaqësimit të autoktonëve të Tiranës në parlament nga demokratët,pasi edhe dy fituesit më të mëdhenj të Primareve u lanë jashtë listave të sigurta.

Ai e cilësoi politikën si një kazermë e mirëpajisur në mënyrë luftarake, teksa situatën në PD e sheh si dramatike.

“Në PD ekziston një situatë akoma më dramatike sesa te PS. Se 2 njerëz fitues të Primareve u futën në listën e hapur. U hodhën në betejë me elektoratin, që dikujt i dha 22 mijë, e dikujt mbi 18 mijë, duke marrë kuptim tjetër. Po tentohet të manipulohet ky faktor nëpërmjet votave, teksa edhe popullsia autoktone e Tiranës nuk ka më përfaqësim. Ndaj popullsia autoktone duhet t’i përgjigjet partive për këtë përgjegjësi. Kaq naivë janë këta banorë autoktonë të Tiranës, që u janë marrë edhe pronat, e që shkojnë sa andej këndej” E nuk janë pak, janë mbi 150 mijë persona, e pas 35 vitesh politikë e demokraci, thuhet ‘stop’ se më ke mashtruar e manipuluar. Tani kanë mbetur jashtë përfaqësimit politik dhe kjo është e turpshme”, u shpreh ish-presidenti Topi në lidhje me mungesën e disa figurave të PD-së që përfaqësojnë kryeqytetin e që mbetën jashtë Parlamentit.

Topi i krahasoi partitë politike dhe veçanërisht PD-në me kazermë, kurse jetën politikë pa ekuilibër, ku i mungon poli i tretë.

“Analiza duhet të jetë reale, ku partitë duhet thënë se janë kazerma politike dhe jo demokratike. Si mund të kesh demokraci ku gjithçka kalon nëpër kazerma politike, të pajisura me mjete, luftarake, ushtarake, satalitë etj. Nuk kemi më ekuilibrim të jetës politike. Problemi është se ku janë të tretët. Të tretët nuk ekzistojnë”.

Ora 18:38
Topi: PS-PD e kanë arnuar aq shumë Kushtetutën, sa s’ka mbetur asgjë nga origjinali! ‘Iliri’ dhe ‘Saliri’ ikën, tani ka mbetur ‘Deliri’! Mos t’i inkurajojmë kot partitë e reja

 

Ish-presidenti Bamir Topi ironizoi dy partitë e mëdha PD-PS se e kanë masakruar aq shumë Kushtetutën për politikat e tyre të interesit ditor elektoral, sa sot prej saj nuk ka mbetur asgjë origjinale.

Ai mendon se ajo duhet ribërë nga e para, pasi tani ka vetëm arna.

“Kushtetuta nuk ekziston më, duhet ribërë, ajo është me arna. Aq shumë arna ka, sa është e vështirë të gjesh ku e ka fletën origjinale, ku e ka mantelin origjinal, sepse i ka shërbyer vetëm PD dhe PS, vetëm këtyre dy partive. E kanë ndryshuar aq shumë, se nuk ka mbetur asgjë nga origjinali. Kanë kryetarin dhe nënkryetarin në komisione ku bëjnë ndryshime sa her që duan”, analizoi ish-kreu i shtetit për Studio Live.

Topi mendon se edhe brenda mazhorancës janë vrarë zërat kritikë me kohë, duke iu referuar përsëri retrospektivës politike me terma ironikë.

“Ka pasur PS-ja një zë përfaqësues edhe pse kundërshtar i imi në atë kohë. Ka një sindrom të demokracie të mbyllur. Blushi e ka thënë hershëm, ‘deliri’, “saliri” dhe ‘iliri”. ‘Saliri’ dhe ‘iliri’ kanë ikur, tani ka mbetur ‘deliri’. Gjatë rrugës deliri shkon në yje, e kur shkon atje është rrezik real për institucionet, sepse s’ka nevojë të kërkojë zë nga opozita, se i bën vetë. Ky është lexim realist dhe nuk është gjykim politik. Unë kam kaluar tallaze shumë të forta mes delirit dhe salirit, që do të thotë se nuk ma ndjen për asgjë. Analiza duhet të jetë reale, ku partitë duhet thënë se janë kazerma politike dhe jo demokratike. Si mund të kesh demokraci ku gjithçka kalon nëpër kazerma politike, të pajisura me mjete, luftarake, ushtarake, satalitë etj. Nuk kemi më ekuilibrim të jetës politike. Problemi është se ku janë të tretët. Të tretët nuk ekzistojnë”, tha Topi.

Në lidhje me një opozitë të fortë, ish-kreu i shtetit sugjeron të mos pritet nga ana e PD-së, por as nga forcat e reja aktuale, të cilat nuk duheshin inkurajuar pas atij rezultati ku në fakt dështuan edhe pse morën gati 200 mijë vota, pasi nuk u bashkuan dot për t’i maksimalizuar.

“Problemi nuk është sa mirë kanë dalë. Janë 200 mijë vota për pak mandate ndaj tyre dhe një tjetër parti me më pak vota ka marrë disa mandate. Duket si lojë prestigjiatorësh. Gabime bëjnë edhe ata që kanë eksperiencë, duke mos shkuar në bazën e duhur. Rama ka thënë se më 2030 kryeministrja mund të jetë grua. Por para saj ka zgjedhje më 2029, pra ai si duket e njeh, e di atë që do ndodhë. Kemi ndeshje me dy ekipe, por tani ku luhet vetëm në një fushë. Mos t’i mbushim partitë e vogla me fjalë inkurajuese. Duhen ndryshuar rregullat e lojës, ndryshe nuk mundet. Çdo sport ka rregulla loje. Humbësit e mirë dalin nga kaneta”, tha Topi për Report Tv.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?