Fernando Villavicencio

Banda 'Los Lobos' ekzekutoi kandidatin për president në Ekuador, gazeta britanike: Shqiptarët pjesë e këtij grupi kriminal, dominojnë ‘botën’ e drogës në Britani

11 Gusht 2023, 13:14| Përditesimi: 11 Gusht 2023, 13:37

  • Share

Vrasja e Fernando Villavicencio, kandidatit për president në Ekuador ka tronditur themelet e bandës kriminale e quajtur ‘Los Lobos’, që do të thotë ujqërit.

Një anëtar i bandës, ekzekutor i vrasjes së kandidatit gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale në Ekuador u vra në një përleshje me armë me policinë ne vendin e ngjarjes.

Ndërsa gjashtë pjesëtarë të tjerë janë arrestuar si përgjegjës për ekzekutimin e Fernando Villavicencio, i cili sipas gazetës britanike “The Telegraph” ishte zotuar për të luftuar krimin dhe bandat në Ekuador, të cilat kanë në mesin e tyre edhe shumë kriminelë shqiptarë.

Sakaq, mediat ndërkombëtare njoftuan se kandidati për president kishte marrë më herët kërcënime nga banda e ujqërve, të cilët i kthyen në fakte fjalët e tyre me përmbajtje kriminale.

Ekuadori, dikur një ishull paqeje ndonëse në varfëri ekstreme është kthyer vitet e fundit në një qendër për trafikantët ndërkombëtarë të drogës, të cilët kanë bashkuar forcat me bandat e zonës, duke shtuar kështu nivelin e kriminalitetit.

Vrasja e së mërkurës, e kandidatit presidencial Fernando Villavicencio nga banda "Los Lobos", e cila dyshohet se ka lidhje të ngushta me transportuesit dhe trafikantët e kokainës në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe me kartelet meksikane të drogës, nxorri në pah një anë tjetër të historisë.

“Los Lobos”, ose Ujqërit, mendohet se kanë në mesin e tyre rreth 8 mijë anëtarë, shumica e të cilëve drejtojnë botën e krimit nga burgjet e Ekuadorit.

Villavicencio ishte një kritik i hapur i lidhjeve të dyshuara midis krimit të organizuar dhe politikës në vendin e tij dhe qasaj e tij e hapur kundër bandave u bë shkak për vdekjen e tij.

Gazeta britanike, shkruan se në mesin e bandës së njohur ka edhe shqiptarë, duke i vënë theksin se këta të fundit janë krerët e trafikut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar.

“Pjesa më e madhe e rekordeve prej 19 mijë kilogramësh kokainë që u kapën në Britaninë e Madhe vitin e kaluar ka të ngjarë të jetë marrë nga grupet shqiptare që punojnë me “Los Lobos” dhe bandat e tjera ekuadoriane për të transportuar drogën në brigjet britanike, shpesh përmes porteve në Belgjikë ose Holandë.Ndërsa Agjencia Kombëtare e Krimit thotë se grupet e dhunshme kriminale shqiptare dominojnë botën e krimit britanik. Sipas tyre ata negociojnë drejtpërdrejt me prodhuesit e Amerikës së Jugut dhe shpërndajnë kokainë direkt te tregtarët në rrugët e qyteteve britanike", shkruan “The Telegraph.

Trafikantët ndërkombëtarë mbështeten te bandat lokale në Ekuador për t'i ndihmuar ata të transportojnë kokainën e tyre dhe të ofrojnë siguri. Autoritetet besojnë se karteli meksikan Sinaloa ka lidhje të ngushta me Los Choneros, bandën më të madhe të vendit, ndërsa rivalët e tyre, Karteli i Gjeneratës së Re Jalisco, kanë krijuar aleanca me Los Lobos. Të dyja bandat ekuadoriane dihet se punojnë me strukturat kriminale evropiane të pranishme në vend, përgjegjëse për rrugë të veçanta trafikimi.

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?