Për ta mbrojtur autokratin serb Aleksandar Vuçiq, disa propagandistë në Serbi thanë se ai nuk kishte ditur fare se po përgatitej sulmi i bandës së Milan Radoiçiqit në veri të Kosovës. Në këtë rrëfim përrallor u tha se Radoiçiqi ishte njëfarë Jevgeni Prigoshini serb, i cili po rebelohej kundër shefit të tij. Aty ku çalojnë krahasimet, shfaqen shpejt humoristët. Nga njerëz me talent humori në Serbi, ky krahasim u komentua kështu: Radoiçiqi është Prigoshini i porositur te AliExpress, te dyqani virtual kinez ku mund të porositësh artikuj me cilësi të dobët. Por ka edhe definicione të tjera si ky: Milan Radoiçiqi, kjo kopje kineze e Milosh Obiliqit. Kopja kineze nuk duhet shpjeguar aq, është mall i lirë, gjithçka “një euro”. Në fillim të karrierës së tij Radoiçiqi mbase edhe mund të jetë blerë lirë nga regjimi serb, por me kalimin e viteve ai ia rriti vlerën vetes në bursën politiko-kriminale të Serbisë dhe të veriut të Kosovës.
Përtej humorit, parodi është edhe politika reale serbe. Një medium hulumtues nga Beogradi ka koleksionuar përgjigjet e politikanëve të pushtetit sa herë që ata, viteve të fundit, janë pyetur për Milan Radoiçiqin. Për shembull, Nebojsha Stefanoviqi, i cili ka qenë ministër i Brendshëm dhe i Mbrojtjes i Serbisë, u pyet se cili është roli i Radoiçiqit në Partinë Përparimtare Serbe (SNS). Stefanoviqi tha se Radoiçiqi nuk ka rol në SNS, ndërsa shtoi se nuk e dinte se ç’rol luante në Kosovë: “Nuk e di, vërtet nuk e di. Kam dëgjuar për të nga mediat. Kurrë s’kam dëgjuar më herët për të”. Duhet besuar Nebojsha Stefanoviqit, sepse ai edhe kur është marrë me plagjiat (për njëfarë doktorate të tij) nuk e ka ditur çfarë po bën; siç nuk e ka ditur se i ati i tij ka qenë pjesë e një rrjeti shitësish të armëve, të cilat me “çmime speciale” i blinin në ndërmarrjen shtetërore “Krushik Valevo”.
Në skenën e teatrit politik serb i pazëvendësueshëm është Marko Gjuriqi, të cilit i përvëlohen duart duke i duartrokitur shefit. I pyetur se cili është roli i Radoiçiqit në Kosovë, Gjuriqi dikur luante rolin e të hutuarit: “Kjo pyetje është për mua?”
Gazetari: “Po”.
Gjuriqi: “Në çfarë kuptimi?”.
Gazetari: “Ju jeni njeriu i parë i Qeverisë së Serbisë në Kosovë. Jeni parë disa herë me zotin Radoiçiq. Keni hapur shampanjë me të në festën me rastin e fitores në zgjedhje të Listës Serbe. Jeni parë me të edhe në një tubim të Listës Serbe, keni qëndruar ulur pranë tij në rendin e parë”.
Gjuriq: “Milan Radoiçiqi është një nga njerëzit të cilët, për aq sa e di, merren me biznes dhe punë në Mitrovicë. Jam njohur me të dhe e kam parë në disa raste”.
Një ndodhi tjetër. Gazetarja i drejtohet Gjuriqit duke ia përkujtuar se politikanët në pushtet (në Serbi) disa herë kanë thënë se nuk e dinë kush është Milan Radoiçiqi, por tani ai u zgjodh nënkryetar i Listës Serbe (bëhet fjalë për vitin 2018). A mund të na thoni tani se kush është Radoiçiqi, insiston gazetarja. Përgjigjja e Gjuriqit: “Milan Radoiçiqi është njëri nga nënkryetarët e Listës Serbe. Ai është zgjedhur nga ana e përfaqësuesve serbë në Kosovë”.
Kush është Milan Radoiçiqi? Kolumnisti Dragolub Petroviq na e prezanton kështu në gazetën “Danas”: “Milani ynë është pronar i manastirit mesjetar serb me pishinë dhe xhakuzi në Liqenin e Gazivodës, i ndershëm, domethënë: njeri, i krishterë & ortodoks, luftëtar për çlirimin e kufijve nga patrullat kufitare, distributor jozyrtar i granatahedhësve dhe pajisjeve të tjera çlirimtare prej Tuzllës në Gjilan. Thuhet se i pëlqente të kontrabandonte edhe kokainë...”.
Nëse e lëmë anash talljen me një kriminel, atëherë gjendja paraqitet kështu: Serbia e bëri multimilioner Milan Radoiçiqin, sepse synonte ta shkatërronte Kosovën, ta ndante, ta bënte shtet jofunksional. Disa politikanë në Prishtinë e bënë partner Radoiçiqin për të fituar pushtetin. U bënë skllevër të votave të tij duke rrezikuar ta bëjnë Kosovën skllave të Serbisë. Rasti i Radoiçiqit tregon se politika në Ballkan shpeshherë është vetëm sinonim i krimit të organizuar. Në këso situatash njerëzit e gjejnë shpëtimin te humori i zi. Së paku për pak minuta. Por shpejt kthehet realiteti i zymtë.
Njëherë u mblodh Parlamenti për të zgjedhur një qeveri të Kosovës. Por votimi s’mund të bëhej, sepse nuk ishte aty Lista Serbe. Duheshin votat e saj. Lista Serbe ishte në Beograd. Parlamenti i Republikës së Kosovës s’mund të bënte gjë, duhej të priste ardhjen e emisarëve të Beogradit. Disa politikanë shqiptarë të Kosovës prisnin (dhe shpresonin) të krijonin qeverinë, disa të tjerë i dërgonin mesazhe Listës Serbe të vonohej edhe pak – për t’ia hëngër nervat kandidatit për kryeministër. Ky nuk është humor i zi. Ka qenë realitet politik në Kosovë: politikani shqiptar duke e maltretuar politikanin shqiptar me ndihmën e Listës Serbe të Milan Radoiçiqit. Kjo situatë mund të bëhet sërish realitet, sepse Serbia ka Radoiçiqë të tjerë nëse Kosova ka politikanë të marrë.