Banka Botërore ka ngritur alarmin se në Shqipëri fatkeqësitë natyrorë janë një rrezik shumë i madh për ekonominë shqiptare. Përmes një raporti BB thotë se Shqipëria ka nivelin më të lartë të rreziqeve natyrore dhe se e ka të domosdoshme që të bëjë sigurimin e detyrueshëm të pronave.
Në raportin e fundit “Vlerësimi i financimit të dëmeve nga katastrofat në Shqipëri” nënvizohet se niveli i varfërisë mund të ketë shkuar 8 vite pas (në skenarin më të mirë) për shkak të këtyre dy ngjarjeve madhore ku përveç tërmetit është edhe pandemia e COVID-19.
Banka Botërore nënvizon në raport se tërmeti preku të paktën 200 mijë individë në 11 bashki me një efekt shumë të madh ekonomik.
"E ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshme natyrore, veҫanërisht përmbytjeve dhe tërmeteve, Shqipëria ka nivelin më të lartë të rreziqeve natyrore sipas Indeksit të Rreziqeve 2019. Çdo vit mesatarisht 30 mijë njerëz dhe më shume se 95 përqind e bashkive janë prekur nga katastrofat natyrore gjatë periudhës 1995-2015. Kosto ekonomike e këtyre fatkeqësive është e lartë si për sektorin privat ashtu dhe për atë publik. Ndryshimet klimatike mund t’i shpeshtojnë dhe rëndojnë fatkeqësi të tilla të motit. Shqipëria zotëron pak instrumente financimi ndaj rreziqeve natyrore dhe hendeku i mbrojtjes përmes sigurimeve ndaj këtyre fenomeneve të natyrës është i madh. Në përballimin e dëmeve prej fatkeqësive natyrore, vendi mbështetet kryesisht në rialokime të fondeve publike, huamarrje apo ndihmës së donatorëve. Një raport i sapopublikuar i Bankës Botërore mbi financimin e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore prezanton një vlerësim të ndikimit në vite apo atë të mundshëm të rreziqeve natyrore si dhe një vlerësim të financimit të dëmeve prej këtyre rreziqeve. Duke vlerësuar dhe analizuar hendekun e financimit, raporti sugjeron strategji për financimin e risqeve. Aktualisht, Banka Botërore dhe Qeveria e Shqipërisë po punojnë së bashku për të zhvilluar strategjinë e financimit të rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore mbështetur në rekomandimet e raportit", thuhet ndër të tjera në raportin e Bankën Botërore.