Kronikë

Banka Botërore: Më shumë se 2 mijë shqiptarë humbën jetën nga ndotja e ajrit më 2019, Shqipëria me nivelet më të ulëta në Rajon

18 Maj 2021, 07:34| Përditesimi: 18 Maj 2021, 12:34

  • Share

Gjatë vitit 2019, mbi 10 për qind e vdekjeve në vendin tonë erdhën për shkak të ndotjes së ajrit, raportoi së fundmi Banka Botërore. Shqipëria kishte 79 vdekje për 100 mijë banorë nga ndotja ose 2269 persona, në nivelet më të ulëta rajonale, për shkak se, prodhimi i energjisë bëhet 100 për qind nga burime të pastra (uji), ndryshe nga rajoni që prodhojnë energjinë nga qymyri. Gjithashtu vendet e rajonit përdorin gjatë dimrit për ngrohje lëndë që krijojnë ndotje si drutë dhe qymyri, ndryshe nga Shqipëria që përdor energjinë elektrike.

Banka Botërore evidentoi se, ajri që thithin njerëzit në Ballkanin Perëndimor është shpesh ndër më të ndoturit në botë. Ndotja e ajrit mbetet faktori kryesor i rrezikut mjedisor që kontribuon në numrin më të lartë të vdekjeve dhe aftësive të kufizuara të marra së bashku

Efektet negative të ndotjes vijojnë të rriten në rajon- duke përfshirë ndikimet shëndetësore, mjedisore dhe ato ekonomike.

Gjatë 15 viteve të fundit, Banka Botërore ka investuar më shumë se 250 milionë USD për të rritur eficiencën e energjisë dhe për të reduktuar ndotjen e ajrit dhe emisionet e gazeve serrë në rajon – përfshirë nismat me qëllim zvogëlimin e kërkesës së përgjithshme për ngrohje, zëvendësimin e kaldajave të vjetruara me dru dhe qymyr dhe rritjen e përdorimit të një ndriçimi më efikas.

Një pasdite, në fund të shkurtit 2021, sipas të dhënave në faqen zvicerane të internetit IQAir, Indeksi i Cilësisë së Ajrit (AQI) në Prishtinë, kryeqyteti i Kosovës, shënoi vlerën 298, duke lënë pas Lahoren në Pakistan, Ulan Batorin në Mongoli dhe rreth 100 qytete të tjera, dhe duke fituar në këtë mënyrë titullin e dyshimtë për cilësinë më të keqe të ajrit në atë moment krahasuar me çdo qytet tjetër të madh në planet. Gjatë asaj dite, Indeksi i Cilësisë së Ajrit në kryeqytetet e Bosnje-Herzegovinës, Maqedonisë së Veriut  dhe Serbisë shënoi vlera midis 165 dhe 214 – nivele që konsiderohen si ‘të pashëndetshme ‘ ose ‘shumë të pashëndetshme’.

Ajri që thithin njerëzit që jetojnë në Sarajevë, Shkup, Beograd dhe në shumë qytete të tjera në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është shpesh ndër më të ndoturit në botë, kjo veçanërisht në muajt e dimrit, kur ndotësit e emetuar nga termocentralet me qymyr, sistemet e ngrohjes së banesave, automjetet, aktivitetet industriale dhe burime të tjera errësojnë diellin, ndotin mjedisin dhe krijojnë kushte të rrezikshme për frymëmarrjen.

Me 175 vdekje për 100,000 banorë në 2019, Serbia kryesonte listën e vendeve europiane për normën më të lartë të vdekjeve nga ndotja dhe u rendit e 9-ta në renditjen e përgjithshme të gjithë vendeve të botës – më lart edhe se India.

Ndërsa ndikimet negative të ndotjes vazhdojnë të rriten në rajon, politikëbërësit atje vazhdojnë të hulumtojnë qasje shumëdimensionale me qëllim kapërcimin e ndikimeve shëndetësore, mjedisore dhe ekonomike të këtyre sfidave.

Ndotja e ajrit mbetet faktori kryesor i rrezikut mjedisor që kontribuon në numrin më të lartë të vdekjeve dhe aftësive të kufizuara të marra së bashku. Për më tepër, kostoja vjetore ekonomike  lidhur me dëmtimin e shëndetit nga kjo ndotje është marramendëse, mesatarisht për vitin 2016 ishte 240 milionë US$ në Kosovë (3.6% e PBB-së), 750 milionë US$ në Maqedoninë e Veriut (6.9% e PBB-së) dhe 1.38 miliardë US$ në Bosnjë dhe Hercegovinë (8.2% e PBB-së)./ Monitor

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?