Ekonomi

Banka Botërore miraton huanë 120 mln USD për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë! Ndihmë për avancimin në integrimin në BE

13 Shkurt, 18:54| Përditesimi: 13 Shkurt, 19:00

  • Share

Shqipëria duhet të përgatitet për anëtarësimin në BE, dhe zhvillimi ekonomik, menaxhimi fiskal dhe rritja e të ardhurave duhet të jenë të qëndrueshme dhe të sigurta. Për këto objektiva Shqipëria do të ketë edhe mbështetjen e Bankës Botërore, e cila ka miratuar një hua të re 120 milionë dollarë, që ndihmon vendin të përmirësojë qëndrueshmërinë fiskale dhe atë mjedisore.

Në njoftimin e Bankës Botërore thuhet se kjo linjë e re financimi do të mbështesë Shqipërinë në tri fusha kryesore reformash.

Së pari do të jetë në fokus forcimi i hapësirave fiskale, kjo për shkak të përjashtimeve të shumta tatimore që vendi ka për sektorë të ndryshëm. Për këtë arsye do të punohet për përmirësimin e administrimit të taksave si dhe raportimit të ndërmarrjeve shtetërore mbi rreziqet e mundshme sociale dhe mjedisore.

Fusha e dytë ka të bëjë me energjinë, ku mbështetja do të përqendrohet tek nxitja e burimeve të rinovueshme dhe rritjen e efiçencës së energjisë.

Dhe së treti është mbrojtja e mjedisit dhe ulja e emetimeve të karbonit.

“Paketa e reformave që mbështesim përmes këtij programi synon të forcojë perspektivat e zhvillimit të Shqipërisë. Ky financim do ta ndihmojë vendin të adresojë sfidat kryesore në sektorin e energjisë si dhe të rrisë aftësinë e qeverisë për të menaxhuar rreziqet fiskale dhe për të mbështetur më mirë shtresat në nevojë të popullsisë”, tha Richard Record, Menaxheri në detyrë i Bankës Botërore për Shqipërinë.

Banka Botërore vlerëson se ekonomia e Shqipërisë po rritet, borxhi publik është në rënie ndërsa politika monetare mbetet e qëndrueshme.

K.M/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produktet e kontaminuara, si e vlerësoni sigurinë ushqimore në Shqipëri?