Banka Botërore ka rishikuar pritshmëritë për rritjen ekonomike të vendit për këtë vit, nga 2.8% që ishte në 3.6%, duke iu afruar parashikimit të qeverisë për një rritje ekonomike në masën 3.7%.
Ky vlerësim i rritur sipas Bankës Botërore lidhet me faktin se ekonomia e vendit ka shfaqur qëndrueshmëri kundrejt goditjeve të njëpasnjëshme gjatë periudhës 2019-2022, duke nisur me tërmetin, pandeminë dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Në raport thuhet se normat e varfërisë vijuan trendin rënës edhe përgjatë vitit 2022, ndërsa faktorët kyç që kanë kontribuar në rritjen ekonomike janë ndërtimi dhe turizmi.
Rritja ekonomike sipas analizës së bankës në 6 mujorin e dytë të vitit do të përshpejtohet nga numri rekord i vizitorëve të huaj si edhe përshpejtimi i aktivitetit të ndërtimit. Ndërsa evitohet si shqetësim rënia e eksporteve për shkak të kërkesës së ulët në tregjet e huaja.
Sfidat kryesore të ekonomisë së Shqipërisë kanë të bëjnë me popullsinë.
“Sfidat kryesore të zhvillimit të Shqipërisë janë rënia e popullsisë së saj, e cila i detyrohet pjesërisht emigrimit të madh”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.
Po ashtu në raport theksohet se problem mbetet cilësia e fuqisë punëtore si dhe presionet fiskale për shkak të krizave të shumta. Energjia elektrike përsëri evidentohet si rrezik për ekonominë për shkak të varësisë nga reshjet e shiut, si kërkohet kujdes me monitorimin e koncesioneve.
Banka Botërore pret që borxhi të zbresë në nivelin 63.1% e PPB-së në vitin 2023 dhe deri në 2025 të jetë ulur në 60%.