Banka e Shqipërisë

Ekonomi

Banka e Shqipërisë: 44% e kredive për shtëpinë e parë në Euro, sipër kufirit të huasë ndaj vlerës

1 Tetor, 15:50| Përditesimi: 1 Tetor, 15:52

  • Share

Në muajin maj të këtij viti, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi disa kufizime për standardet e kredidhënies së re për blerjen e banesave.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo vendimmarrje synonte ruajtjen e stabilitetit financiar, përballë rritjes së shpejtë të çmimeve të banesave, nëpërmjet ruajtjes së aftësisë paguese të kredimarrësve dhe cilësisë së ekspozimeve të sektorit bankar ndaj tregut të pasurive të paluajtshme.

Dy treguesit e përzgjedhur ishin ai i huasë ndaj vlerës, në disbursim dhe ai i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave, në disbursim.

Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë është 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.

Ndërsa raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë është në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan do të jetë 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.

Banka e Shqipërisë shpjegon se vlerat e kufijve maksimalë të vendosur u kalibruan duke konsideruar të dhënat e bankave të mbledhura në mënyrë të posaçme, dhe duke i specifikuar sipas llojit të monedhës dhe qëllimit të përdorimit të pronës. Nga analiza e kryer deri në fund të gjashtëmujorit të parë 2025 mbi të dhënat e raportuara nga bankat deri në dhjetor 2024, rezulton se vlera mesatare e treguesve që janë subjekt i masave qëndron nën kufirin e sipërm për pjesën më të madhe të tyre.

Për kreditë për pasuri të paluajtshme rezidenciale në monedhën Lek të marra për blerjen e shtëpisë së parë, vlerat e raporteve huasë ndaj vlerës në disbursim ishte 71%, ndërkohë që kufiri i vendosur nga Banka e Shqipërisë ishte 85%. Ndërsa treguesi i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave, në disbursim rezultoi mesatarisht në nivelin 35%, ndërkohë që kufiri i përcaktuar nga Banka e Shqipërisë ishte 40%.

Për të njëjtët tregues për shtëpi të dyta të blera me kredi në monedhën Euro, raporti i huasë ndaj vlerës në disbursim vlerësohej në masën 83%, dukshëm sipër kufirit maksimal prej 70% të vendosur nga Banka e Shqipërisë. Ndërkohë, treguesi tjetër i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave, në disbursim ishte në nivelin 19%, dukshëm poshtë kufirit prej 30% të vendosur nga Banka e Shqipërisë.

Duke analizuar këta tregues, mund të arrihet në përfundimin se në rastin e shtëpive të dyta bankat marrin përsipër të financojnë një pjesë më të madhe të çmimit të blerjes, por, nga ana tjetër, kësti i kredisë së një pjesë më të vogël kundrejt të ardhurave të huamarrësve. Kjo tregon se, në përgjithësi, këto kredi jepen tek huamarrës me të ardhura më të larta, që duan të blejnë një pronë të dytë, për qëllime investimi.

Banka e Shqipërisë nënvizon se duhet marrë në konsideratë fakti që masat zbatohen ndaj çdo kredie individuale, çka do të thotë që efekti praktik i tyre varet nga shpërndarja e portofolit të Kredive, sipas llojit për secilin interval të vlerave të treguesit.

Për ilustrim, nëse masat do të zbatoheshin ndaj kredive të dhëna në gjysmën e dytë të vitit 2024 për blerjen e një shtëpie të parë në monedhat Lek dhe Euro, do të rezultonte që 21% e kredive në Lekë dhe 44% e kredive në Euro do të klasifikoheshin mbi kufirin e përcaktuar për raportin huasë ndaj vlerës, në disbursim.

Ndërkohë, 27% e kredive në Lek dhe 37% e kredive në Euro do të klasifikoheshin mbi kufirin e përcaktuar për raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave, në disbursim.

Këto shifra tregojnë se efekti i masave të reja mbi kredidhënien për blerje banesash potencialisht do të jetë i konsiderueshëm, qoftë edhe në rastin e blerjes së shtëpisë së parë.

Vendimi ka filluar të zbatohet nga bankat për kreditë e reja për pasuri të paluajtshme rezidenciale të disbursuara që prej datës 1 korrik 2025, ndërkohë që bankat mund të zbatojnë kuota përjashtimi për secilin prej treguesve me kushtin që në total, vlera e kredive të përjashtuara të mos kapërcejë 15% të vëllimit të kredive të reja që janë miratuar dhe disbursuar (edhe pjesërisht) gjatë tremujorit përkatës.

Kredia për shtëpi e dhënë nga sektori bankar shqiptar ka arritur rekorde të reja në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në gjashtë muaj sektori bankar dha 36.2 miliardë lekë kredi të re për shtëpi, në rritje me 31.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kreditimi është ngadalësuar disi pas hyrjes në fuqi të masave të Bankës së Shqipërisë, por duke vijuar sidoqoftë rritjen. Për periudhën korrik-gusht, kredia e re për shtëpi arriti në 9 miliardë lekë, në rritje me 11% krahasuar me të njëjtin dymujor të një viti më parë./Monitor

K.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si iu duket?