Për herë të dytë brenda vitit besimi në ekonomi është në rënie. Banka e Shqipërisë raportoi se në muajin shtator besimi në ekonomik ra me 2.4%, i ndikuar nga përkeqësimi i treguesit të besimit në sektorin e ndërtimit dhe në sektorin e shërbimeve dhe të tregtisë.
Ndërtimi edhe pse është kthyer në sektor kyç në ekonomi, është pesimist për të ardhmen përsa i përket aktivitetit ndërtues si dhe për shkak të uljes së kontratave porositëse. Besimi në këtë fushë është ulur me 9.9%, dhe veç treguesve të mësipërm negativisht ka ndikuar edhe mungesa e fuqisë punëtore.
Problemet me punësimin, pasiguria për ecurinë e biznesit të tyre dhe kontratat porositëse janë faktorët kryesor që kanë ndikuar negativisht edhe tek besimi në sektorin e shërbimeve dhe të tregtisë.
Kurse besimi në industri është rritur, e ndërsa tek konsumatorët ka mbetur i pandryshuar. Banka qendrore thotë se gjendja financiare e bizneseve është afër vlerave maksimale, por që në krahasim me muajit e parë të vitit, gjendja është në rënie.
Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë konsumatorët po tregohen të rezervuar në blerjet e mëdha në situatën aktuale ndikuar kjo është nga çmimet e larta, ndërsa në të ardhmen presin rritje të këtyre shpenzimeve. Sa i takon situatës ekonomike të përgjithshme qytetarët janë pesimistë.