Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë e interesit 3.25%! Sejko: inflacioni në rënie, por ende përbën rrezik

7 Shkurt, 17:29| Përditesimi: 7 Shkurt, 20:02

  • Share

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës se Shqipërisë ka lënë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin prej 3.25, po ashtu nuk ka ndryshuar interesat e kredisë dhe depozitave një ditore. 

Në konferencën e parë për këtë vit mbi vendimet e Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori Gent Sejko tha se shkak për këtë vendim është bërë tendenca në rënie e inflacionit.

"Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se ecuria e kushteve monetare do të mundësojë kthimin e inflacionit në objektiv brenda një horizonti kohor prej disa tremujorësh. Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare", tha Sejko.

Pavarësisht këtij vendimi, Sejko tha se rreziku i inflacionit është ende i lartë për këtë arsye Këshilli Mbikqyrës mund të rrisë gjatë vitit normën bazë, me synim kthimin e inflacionit në 3% brenda vitit. 

"Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi nivelin mesatar prej 3.9% në tremujorin e katërt, me një rënie të lehtë kundrejt tremujorit paraardhës. Megjithatë, edhe pse në rënie, presionet e brendshme inflacioniste mbeten relativisht të larta dhe nuk janë ende në linjë me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve. Kjo ecuri diktohet nga kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime, e cila mban të larta marzhet e fitimit, si dhe nga rritja e shpejtë e pagave, e cila përcillet më tej në kosto të rritura prodhimi. Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend dhe se balanca e rreziqeve për inflacionin qëndron në kahun e sipërm. Në këtë kontekst, ai thekson se mbetet i gatshëm të vazhdojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për kontrollin dhe garantimin e stabilitetit të çmimeve. ", tha Sejko.

Sa i takon rritjes ekonomike për këtë vit Banka e Shqipërisë rithekson edhe një herë se pritet ngaralwsim i lehtë krahasuar me vitin 2023, por përsëri sipas Sejkos ekonomia do dominohet nga turizmi. 

"Rritja ekonomike do të ushqehet nga bilancet likuide të biznesit dhe familjeve shqiptare, nga besimi i tyre për të ardhmen, nga rritja e shpejtë e të ardhurave nga turizmi, si dhe nga zgjerimi i kreditimit, në pasqyrim të përqasjes pozitive të bankave ndaj kreditimit. Megjithatë, ritmi i rritjes ekonomike pritet të shënojë një ngadalësim të lehtë në vitin 2024, si pasojë e ambientit ende sfidues të huaj, dhe t’i rikthehet potencialit të tij në vitet në vijim", theksoi Guvernatori. 

Guvernatori bëri edhe një panoramë të vitit të shkuar dhe sinjaleve të parë për këtë vit që flasin për rritje të pagave, shtim të punësimit, rritje të kredisë dhe depozitave, rritje të investimeve dhe gjithashtu të eksporteve.

Nga ana tjetër, inflacioni parashikohet të vijojë të reduktohet më tej gjatë vitit në vazhdim dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij. Ky reduktim do të pasqyrojë ecuri më të balancuar të kërkesës dhe të ofertës agregate në ekonominë vendase, si dhe reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në partnerët tanë tregtarë.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.25%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.25%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.25%.

Këshilli Mbikëqyrës vëren se qëndrimi aktual i politikës monetare është konsistent me pritjet tona të skenarit bazë.

Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend dhe se balanca e rreziqeve për inflacionin qëndron në kahun e sipërm. Në këtë kontekst, ai thekson se mbetet i gatshëm të vazhdojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për kontrollin dhe garantimin e stabilitetit të çmimeve. Në çdo rast, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të kushtëzohen nga informacioni i ri, si dhe do të jenë konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?