Foto nga mbledhja

Banka e Shqipërisë: Përdorimi i tepërt i valutës së huaj, rrezik për ekonominë! Duhen masa për fuqizimin e përdorimit të lekut

30 Dhjetor 2021, 14:38| Përditesimi: 30 Dhjetor 2021, 14:40

  • Share

Përdorimi i tepërt i valutës së huaj përbën rrezik për ekonominë. Ky shqetësim u evidentua sot në mbledhjen e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF), duke theksuar nevojën për uljen e përdorimit të valutave dhe fuqizimin e përdorimit të monedhës kombëtare.

"Përdorimi i tepërt i valutës në ekonomi, jo rrallë edhe si mjet pagese, mbetet një nga burimet e rëndësishme të rrezikut financiar dhe ndikon në uljen e efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare. Për këtë arsye, të pranishmit diskutuan rreth nevojës dhe mundësive që masat për uljen e përdorimit të valutave dhe fuqizimin e përdorimit të monedhës kombëtare, aktualisht të përqendruara në sektorin bankar, të shtrihen në mënyrë të kujdesshme edhe në sektorët realë të ekonomisë. Për këtë qëllim, të pranishmit u angazhuan për bashkëpunim ndërinstitucional, i cili mund të mbështetet edhe me ekspertizë nga institucionet financiare ndërkombëtare", u evidentua në mbledhje.

Sa i përket sistemit të bankave dhe atij financiar, gjendja u konsiderua e shëndetshme dhe se ekonomia është treguar rezistente ndaj pandemisë.  

Në prezantimin e BSH-së me fokus tek vlerësimi i gjendjes financiare të sektorit bankar, u theksua se gjatë 2021 zhvillimet ishin pozitive, duke reflektuar rezistencën e ekonomisë ndaj ndikimit të pandemisë.

"Tregjet financiare funksionuan normalisht, ku normat e interesit mbetën në nivele të ulëta dhe treguan luhatshmëri të ulët në lëvizje. Veprimtaria e sektorit bankar u zgjerua në mënyrë të ndjeshme, në kushtet e rritjes së fortë të depozitave të publikut dhe drejtimit të tyre në investime ndërbankare, tituj dhe kredi. Kreditë me probleme zbritën në rreth 41 miliardë lekë, duke bërë që raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredisë të bjerë në nivelin 6.2% në muajin nëntor. Në rënien e këtij treguesi ka ndikuar edhe rritja e mirë e nivelit të kreditimit. Treguesit e rreziqeve të tregut nuk shfaqën ndryshime te rëndësishme gjatë vitit. Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet vlerësohet e fortë në kushtet kur gjendja e likuiditetit është mjaft e mirë dhe kur veprimtaria bankare paraqitet fitimprurëse dhe e mirëkapitalizuar. Vijimi i përmirësimit të cilësisë së kredisë, edhe disa muaj pas ndërprerjes së masave rregullative mbështetëse të BSH-së, është inkurajues. Megjithatë, gjate vitit 2022 BSH do t’i kushtoje vëmendje të posaçme analizës së kredive me probleme, nëpërmjet veprimeve të dedikuara mbikëqyrëse në sektorin bankar", u theksua në mbledhje.

Në këtë mbledhje, e cila u drejtua nga Ministrja e Financave, Delina Ibrahiaj, morën pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë (BSH), Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Drejtori i Përgjithshëm i AMF-së, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?