Banka e Shqipërisë shtyn edhe me tre muaj ristrukturimin e kredive! Pandemia pezullon shpërndarjen e fitimit të bankave

13 Janar 2021, 20:32| Përditesimi: 13 Janar 2021, 20:52

  • Share

TIRANË- Banka e Shqipërisë ka vendosur të shtyjë deri më 31 mars 2021 masat lehtësuese për bankat e nivelit të dytë duke ju dhënë mundësinë që të ristrukturojnë kreditë e klientëve në vështirësi si pasojë e pandemisë COVID-19.

Afati i kaluar ka përfunduar në 31 dhjetor të vitit 2020, por me kërkesë të Shoqatës së Bankave që këto masa lehtësuese të shtyheshin Këshilli Mbikëqyrës i bankës qendrore ka marrë vendim pozitiv. Masat lehtësuese e lëna në fuqi për këto tre muaj konsistojnë në zgjatjen e afatit për pagesën e kredisë për ata klientë biznes apo individë që kanë vështirësi me likuiditetin dhe e kanë të pamundur shlyerjen në kohë të kësteve të kredisë.

Po ashtu bankat do të kenë mundësinë që nëpërmjet një marrëveshje që mund të arrijnë me klientin që ka vështirësi paguese të ndryshojnë edhe kushtet e kredisë ku përveç afatit mund të përfshihet edhe ndryshimi i normës së interesit, shtyrje e kamatëvonesave, komisioneve apo edhe marrje e garantuesve të rinj në kontratën e kredisë.

Edhe pse bankat gjatë vitit të vështirë të pandemisë kanë marrë përsipër një pjesë të barrës së kostove të qytetarëve dhe bizneseve, duke iu shkaktuar rënie të fitimit me mbi 20%, ata përsëri kërkuan që banka qendrore t’ju jepte mundësinë të vazhdonin me masat lehtësuese.

Nga ristrukturimi i kredisë deri në fund të dhjetorit 2020 përfituan mbi 25 mijë klientë bankarë. Ndërsa po ashtu këshilli mbikëqyrës ka vendosur të pezullojë deri më 31 dhjetor të këtij viti edhe shpërndarjen nga ana e bankave të fitimit të vitit 2020 dhe të fitimit që do të realizohet gjatë vitit 2021.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?