Ekonomi

Banka e Shqipërisë ul përsëri interesin maksimal për kreditë konsumatorë, s’do jetë më i lartë se 71% deri në muajin korrik!

17 Shkurt, 20:25| Përditesimi: 17 Shkurt, 20:46

  • Share

Kredia konsumatore do i kushtojë më pak xhepit të qytetarëve deri në korrik të këtij viti, pasi Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë tavanin për interesat maksimale që do të aplikohen për këto hua.

Për të gjithë qytetarët që do t’i drejtohen institucioneve të mikrofinancës por edhe bankave për të marrë kredi konsumatore deri në 200 mijë lekë, interesi maksimal do të jetë afro 71%, nga 95.1% që ka qenë deri në fund të muajit janar.

Pra një qytetar që do të marrë 200 mijë lekë kredi, do të duhet të kthejnë maksimalisht 342 mijë lekë së bashku me këstet, ndërsa deri në janar për të njëjtën vlerë kredie ai do duhet të paguante afro 390 mijë lekë.

Banka e Shqipërisë thotë se interesi për kreditë konsumatore është ulur me 4 herë që prej vitit 2022 kur ka hyrë në fuqi kjo rregullore për kufizimin e interesave për këto hua, që në të shumtën e rasteve merren për të përballuar shpenzime të papritura.

“Përpara masave të marra nga Banka e Shqipërisë, NEI maksimal i ofruar në treg arrinte në 300%, ndërsa sot, 4 vite më pas, ky tregues - i përllogaritur dhe i publikuar nga Banka e Shqipërisë - ka zbritur në 71%”, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.

Ndërsa interesi maksimal për kreditë nga 200 deri në 600 mijë lekë është 36.5% nga 37.4% që ishte deri në fund të janarit. Në rënie janë edhe interesat për shumat nga mbi 600 mijë lekë deri në 2 milionë lekë interesat do të jenë 14.7%. Kurse ata që marrin mbi 2 milionë lekë deri në 10 milionë do e kenë interesin maksimal 11.8%.

Po ashtu Banka e Shqipërisë u rikujton bankave dhe jo-bankave që duhet të respektojnë rregulloren edhe për penalitetet në rast të mospagesës së kësteve, ku thekson se shuma e penaliteteve nuk mund të kalojë 30% të shumës së kësteve të papaguara.

 

Vendimi që Banka e Shqipërisë të përcaktojë normën maksimale të interesit u mor në vitin 2021 dhe hyri në fuqi në vitin 2022, pas abuzimeve që këto institucione jo-bankare bënin me interesat e kredive konsumatore që merrnin qytetarët, për shkak se e japin më shpejt huanë dhe nuk kërkojnë kolateral.

Skandali i vitit të shkuar me mikrokreditë e përforcoi edhe më shumë domosdoshmërinë për të kufizuar interesat dhe gjobat, për shkak se institucionet jo banka shpesh nuk e kanë respektuar këtë rregullore.

Norma Efektive e Interesit përfshin të gjitha kostot që një kredimarrës paguan për kredinë e marrë (si p.sh. norma e interesit, komisionet e ndryshme, kosto e mbajtjes së një llogarie nëse është e detyrueshme për të marrë kredinë, primi i sigurimit që paguan kredimarrësi, etj.).

                                                        Ishte           Bëhet
0 - 200.000 Lekë                           95.19%   70.90%
200.001 - 600.000 Lekë             37.43%   36.55%
600.001 - 2 mln Lekë                  16.20%    14.76%
2 - 10 mln Lekë                           12.41%     11.84%

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tarrasi: 17/02/2025 20:56

    Prap shum esht.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?