Ekonomi

BSH kufizon kredinë që japin bankat për të blerë shtëpi, Sejko: Tavan për vlerën dhe afatin e shlyerjes, kufizim të këstit në raport me të ardhurat mujore

7 Maj, 16:24| Përditesimi: 7 Maj, 19:57

  • Share

Nuk ka më kredi pa limit për qytetarët. Asnjë bankë nuk do të lejohet të japë kredi për qytetarët që duan të blejnë shtëpi më shumë se 85% e vlerës së saj. Kjo vlen vetëm për banesën e parë, pasi për të blerë apartamentin e dytë, vlera e financimit nga banka do të jetë edhe më e ulët.

 “Maksimumi i huasë në lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë”, tha Sejko.

Shembull- Pra për të blerë një shtëpi që hipotetikisht ka një vlerë 10 milionë lekë, qytetari nuk mund të marrë kredi më shumë se 8.5 milionë lekë nëse e ka banesën e parë. Nëse është shtëpia e dytë vlera maksimale e kredisë zbret në 8 milionë lekë.

Në konferencë për mediat Guvernatori Gent Sejko tha se tavane do të ketë edhe për kredinë në valutë, të cilat për shkak të luhatjeve të kursit, do të jenë edhe më të ulëta.

 “Në valutë të huaj vlera e kredisë do të jetë 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë. Është më e ulët për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit”, tha Sejko.

Shembull- Në rastet kur kredia kërkohet të merret në valutë, për një shtëpi të parë me vlerë 100 mijë euro, maksimumi i kredisë do të jetë 75 mijë euro, nëse është shtëpi e dytë vlera zbret në 70 mijë euro.

Limite do të ketë edhe për vlerën e këstit të kredisë, në raport me të ardhurat mujore.

 “Kësti ndaj të ardhurave si raport do të jetë në nivelin 40% për monedhën lekë dhe 35% për monedhën në valutë të huaj. Ndërsa për shtëpinë e dytë raporti do të jetë kësti i kredisë jo më shumë se 35% e totalit të të ardhurave dhe për kredinë në valutë sa 30% e totalit të të ardhurave”, tha Sejko.

Shembull- Nëse një qytetar ka marrë kredi në lekë për të blerë shtëpinë e parë kësti i kredisë do të jetë deri 40% e totalit të ardhura, pra nëse të ardhurat i ka 100 mijë lekë, kësti do jetë jo më i lartë se 40 mijë lekë. Kur kredia është marrë në valutë, kësti do jetë deri 35 mijë lekë.

Ndërsa kur kredia është marrë për shtëpi të dytë, nëse të ardhurat i ke 100 mijë lekë kësti i kredisë në lekë do të jetë 35 mijë lekë, ndërsa për kredinë në valutë ulet në 30 mijë lekë të totalit të të ardhurave.

Rritja e shpejtë e çmimit të pasurive të paluajtshme po shqetëson sektorin bankar, i cili këtë treg e konsideron si rrezikun e tretë më të rëndësishëm në aktivitetin e tyre, pas goditjeve nga jashtë dhe rrezikut nga sulmet kibernetike.

 Një rënie e shpejtë e sektorit e shoqëruar me ulje të fuqisë paguese nga qytetarët mund të dëmtojnë bankat, për shkak të ekspozimit të lartë të tyre. Janë 390 miliardë lekë kredi të dhëna e që kanë kolateral prona, nga të cilat 195 miliardë lekë i përket individëve.

S.B/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?